Kërko

 Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë 

Papa: Mendësia e botës, rrëshqitje e ngadaltë në mëkat

Një nga të këqijat e kohës sonë është të rrëshqasësh në një gjendje, në të cilën humbet vetëdijen e mëkatit. Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës, Papa kujtoi se edhe një shenjt, si Davidi, mund të bjerë në tundim. Është rrezik, që na kërcënon të gjithëve, prandaj duhet ta pyesim vazhdimisht veten nëse i nënshtrohemi apo jo shpirtit të botës.

R. SH. - Vatikan

Një  jetë normale, e qetë; një zemër,  që nuk tundet as përballë mëkatit më të rëndë; një mendësi, që  ta grabit aftësinë për ta parë të keqen e kryer para syve të tu. Papa Françesku, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, rilexoi fragmentin e shkëputur nga Libri Samuelit, përqendruar mbi figurën e Mbretit David, “Mbretit shenjt David” që, duke rrëshqitur në kënaqësitë e jetës komode, e harron fare se ishte i zgjedhur nga Zoti për punë të mëdha. Davidi, si shumë njerëz të ditëve tona,  njerëz që duken të mirë, që shkojnë në Meshë çdo të diel, që e mbajnë veten të krishterë, e humbet vetëdijen e mëkatit: një nga të këqijat, thoshte Piu XII, që është e pranishme edhe në kohën tonë. Kohë, në të cilën mund të bësh gjithçka, “atmosferë shpirtërore”, në të cilën mund të pendohesh vetëm kur të qorton ndokush ose kur merr ndonjë shuplakë të fortë nga jeta.

Shpirti i botës

Françesku u ndalua tek mëkatet e Davidit: tek regjistrimi i popullit  dhe ngjarja e Urisë,  të cilin e vret, pasi e lë shtatzënë të shoqen, Betsabenë. E si e ndjen se punët qenë përmbysur keqas, zgjedh  rrugën e vrasjes, për t’i kthyer përsëri së mbari, pasi plani për t’i vënë në vend, pas kurorëthyerjes,  i dështon  plotësisht. Bie në mëkat - kujtoi Papa - e megjithatë vijon jetën e tij normale. Qetë-qetë. Pa e lëshuar zemra:

“Po si është e mundur të  arrinte deri në këtë pikë Davidi i madh, Shenjti, i cili kishte bërë aq e aq gjëra të mira, që ishte i bashkuar me Zotin? Kjo nuk bëhet nga një ditë në tjetrën. Davidi i madh rrëshqiti dalëngadalë. Ka mëkate të çastit: mëkati i inatit, i një fyerjeje, që del nga goja jashtë kontrollit. Po ka, pastaj, edhe mëkate, në të cilat rrëshqet ngadalë, kur të pushton keqas shpirti i botës. Është shpirti i botës, që të shtyn t’i bësh këto gjëra, si të ishin fare të zakonshme. Që të nxit edhe të vrasësh…”.

Rrëshqitja në mëkat

“Ngadalë” është një ndajfolje,  që Papa e përsërit shpesh në homelitë e tij. E sot e përdori për të shpjeguar mënyrën sesi mëkati ngadalë- ngadalë e pushton  plotësisht njeriun, duke përfituar nga dëshira e tij për të jetuar një jetë komode, të rehatshme, pa trazira. Ne jemi të gjithë mëkatarë - vijoi Françesku - po mëkatet tona nuk janë gjithnjë të njëjta. Unë, për shembull, mund të zemërohem e ta fyej ndokënd. E pastaj edhe të pendohem. Po edhe mund të  rrëshqas  në një gjendje jete, në të cilën gjithçka mund të më duket… fare normale. Normale, për shembull, të mos e paguaj gruan e shërbimit ashtu si duhet, ose t’i jap gjysmën e pagës argatit, që dërmohet gjithë ditën në  arat e mia:

“Po, duken njerëz të mirë, që shkojnë në Meshë çdo të diel, që e quajnë veten të krishterë. E si është e mundur të bëjnë gjëra të tilla?  Po mëkate të tjera? Eh! ke rënë në një gjendje, në të cilën e ke humbur vetëdijen e mëkatit. E kjo është një nga të këqijat e mëdha të kohës sonë. E ka thënë qëkuri Piu XII: ‘Kësaj i thonë të humbasësh vetëdijen e mëkatit’. Mund të bësh gjithë të zezat… e pastaj të kalosh një jetë të tërë për të zgjidhur një problem, që ia  krijove vetvetes”.

Shuplaka e jetës

Këto nuk janë punë të kahmotshme - shpjegoi në vijim Papa - duke kujtuar një ngjarje ndodhur në Argjentinë me disa lojtarë të rinjt të regby, që e mbytën një shok me shkelma, pas një nate ‘feste’. Djelm - pohoi Papa - të  shndërruar në një lukuni ujqish. Fakt ky, që krijon një mori pikëpyetjesh, të cilat kanë të bëjnë me edukimin e të rinjve, me vetë shoqërinë. Duhet të marrësh nganjëherë ndonjë shuplakë nga jeta, për t’u ndaluar e për t’i dhënë fund kësaj rrëshqitjeje në mëkat. Duhet ndonjë njeri, si profeti Nathan, i dërguar i Zotit tek Davidi, për ta bërë tjetrin t’i hapë mirë sytë e ta shikojë gabimin:

“Të ndalemi e të mendojmë: si është gjendja shpirtërore e jetës sime? A jam i vëmendshëm, a kam  gjithnjë nevojë që ndokush të ma përsërisë të vërtetën, apo jo? A i përfill qortimet e ndonjë miku, të ndonjë rrëfyesi, të burrit, të gruas apo të fëmijëve, që mund të më ndihmojnë? Duke dëgjuar historinë e Davidit, të ndalemi një çast e t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘Nëse një shenjt shkoi e ra kaq keqas në mëkat, po ne? Ç’mund të ndodhë me ne? Kujdes, prandaj! Ta pyesim veten: në ç’atmosferë jetoj? E t’i lutemi Zotit  të na  dërgojë  përherë një profet - mund të jetë fqinji, biri, nëna, babai - që të na japë një shuplakë, kur e shikon se po  rrëshqasim në këtë atmosferë, në të cilën na duket se na lejohet të bëjmë gjithçka e se gjithçka është e ligjshme!”.

31 janar 2020, 12:43