Kërko

Papa në Meshën kushtuar Marisë, Nënë e Zotit Papa në Meshën kushtuar Marisë, Nënë e Zotit 

Papa: Maria na priftë drejt unitetit, kundër tundimit të ndarjes

Në Solemnitetin e të Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, Dita e 53-të botërore e paqes, Françesku na nxit ta shikojmë Zojen si dritë për t’i treguar rrugën Kishës. Duke kujtuar shembullin e Saj, Papa kërkon me forcë të respektohet trupi i grave, i shfrytëzuar, i fyer e i shpërdoruar, të mbrohet amësia e tyre, shpesh e poshtëruar, në emër të zhvillimit ekonomik.

R. SH. - Vatikan

Në kraharorin e Marisë është historia e njerëzimit, ardhmëria e Kishës, janë historitë e nënave, që lënë gjithçka për të mbrojtur fëmijën e vet e që, për fat të keq, shikohen si numra; janë plagët e grave, trupi i të cilave nuk respektohet, ndërsa nga korpi i një gruaje erdhi shëlbimi. Në homelinë e Meshës, kremtuar në Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit dhe në Ditën  e 53-të botërore të paqes, Papa kujtoi se çdo dhunë  e ushtruar mbi gruan, është fyerje që i bëhet vetë Zotit, lindur nga gruaja! E t’i përfshish gratë në proceset vendimarrëse, “fitore për mbarë njerëzimin”.

Fjalët e para të Papës, drejtuar Zojës

“Është grua e Nënë - ishin fjalët e para të homelisë së Papës në Meshën e kremtuar për Solemnitetin e Marisë - Nënë e Zotit. Nga ajo, gruaja, erdhi shëlbimi. Prej këndej, nuk ka shëlbim, pa gruan! Aty Zoti u bashkua me ne e, nëse duam edhe ne të bashkohemi me Të, do të kalojmë nëpër të njëjtën rrugë: nëpër Marinë, grua e nënë:

“Prandaj e nisim vitin nën shenjën e Zojës, grua që endi natyrën njerëzore të Zotit”.

Gratë janë gurrë jete

Gratë janë burim jete - nënvizoi më pas Papa - e megjithatë fyhen vazhdimisht, rrihen, dhunohen, detyrohen të shiten në rrugë të madhe e deri ta mbysin jetën e zënë në kraharor. Çdo dhunë mbi gruan është dhunim i Zotit, lindur nga gruaja. Nga korpi i gruas erdhi shëlbimi për mbarë njerëzimin; nga mënyra si e trajtojmë korpin e gruas, kuptojmë edhe nivelin e natyrës sonë njerëzore:

“Sa herë - theksoi Papa - trupi i gruas flijohet në altaret profane të publicitetit, të fitimit, të pornografisë; sa herë shfrytëzohet si sipërfaqe për t’u përdorur. Gruaja duhet çliruar nga konsumizmi, duhet respektuar e nderuar: është korpi më i fisëm në botë, që e zuri dhe e nxori në dritë Dashurinë, që na shpëtoi”.

Këtë theksoi, në vijim të homelisë gjatë Meshës në Solemnitetin e Marisë, Nënë e Zotit, Papa.

I lindur nga gruaja

Më pas kujtoi se gruja arrin në kulmin e krijimit, si përmbledhje e gjithësisë: e lind dhe e ruan jetën, kujdeset për gjithçka! E këtë bën Maria në Ungjillin e sotëm:

“Maria - thotë teksti- i ruante të gjitha këto gjëra, duke i medituar në zemër të vet”.

Ruante gjithçka: gëzimin e lindjes së Jezusit e trishtimin e mikpritjes së mohuar në Betlehem; dashurinë e Jozefit e mahnitjen e barinjve; premtimet e paqartësitë për ardhmërinë. Ruante gjithçka në zemër, duke ia besuar Zotit. E kjo ruajtje përsëritet edhe në fund të jetës së fshehur të Jezusit, duke na kujtuar se nuk ishte gjest i bukur, por i zakonshëm. Ajo shikonte me zemër, e kush shikon me zemër, shikon mirë, sepse “shikon brenda shpirtit e shikon Zotin në gjithçka.

A di t’i shikoj njerëzit?

A di t’i shikoj njerëzit? Me këtë pyetje e vijoi Papa homelinë. A di t’i shikoj njerëzit, me të cilët jetoj? A i dua? E, sidomos, a e kam në thelb të zemrës Zotin? T’ia kërkojmë Atij të Lumit hirin ta jetojmë vitin,  duke i  pasur për zemër të tjerët, duke u kujdesur për ta.

“E nëse duam një botë më të mirë, që të jetë shtëpi paqeje, e jo oborr lufte,  duhet ta kemi  për zemër dinjitetin e çdo gruaje”.

Himn për gruan

Në vijim të homelisë Papa i thuri një himn të vërtetë gruas:

“Nga gruaja - kujtoi - lindi Princi i Paqes! Gruaja është dhuruese dhe ndërmjetësuese e paqes. Kur gratë mund t’i transmetojnë dhuratat e tyre, bota është më e bashkuar, më paqësore. Prandaj çdo fitore e gruas, është fitore për mbarë njerëzimin”.

Jezusi lindi nga gruaja

Jezusi i sapolindur u pasqyrua së pari në sytë e një gruaje, në fytyrën e nënës. Ajo e ledhatoi e para, ajo e pa e para buzëqeshjen e Tij. Me të e realizoi revolucionin e dashurisë. Revolucion, që Kisha, duke parë Krishtin fëmijë,  është e thirrur ta vijojë.

Tek Maria Kisha gjen unitetin

Duke iu afruar Marisë, Kisha rigjen qendrën e unitetin. Armiku i natyrës njerëzore, djalli, kërkon t’i ndajë, duke vënë në plan të parë ndryshimet, ideologjitë, mendimet e palëve e të partive. Po Kishën nuk mund ta kuptojmë, nëse e shikojmë duke u nisur nga strukturat, nga programet e nga tendencat; mund t’ia fitojmë  ndonjë gjë, por jo zemrën. Sepse Kisha ka zemër nëne. E ne i lutemi sot Nënës së Zotit, që na bashkon si popull besimtar:

“O Nënë, linde në ne shpresën, na ço drejt bashkimit. Grua e shëlbimit, ty po ta besojmë këtë vit, ruaje në zemrën tënde. Për ty po brohorasim: Nënë Shenjte e Zotit, Nënë Shenjte e Zotit, Nënë Shenjte e Zotit!”.

01 janar 2020, 11:56