26.mo congresso della Confederazione interamericana per l’educazione cattolica 26.mo congresso della Confederazione interamericana per l’educazione cattolica 

Edukimi katolik, Papa: të promovohet kultura e takimit

"Ati i Shenjtë ju inkurajon të vazhdoni reflektimin tuaj mbi sfidat që ndeshin përgjegjësit e shkollës katolike në nxitjen e kulturës autentike të takimit, për t’i ofruar shoqërisë bashkëkohore një propozim shprese dhe besimi për kohën tonë". Kështu u shkruan Papa Françesku pjesëmarrësve të Kongresit Ndëramerikan të Edukimit Katolik, që mbahet këtyre ditëve, deri të dielën më 12 janar, në Santiago të Kilit.

R.SH. - Vatikan

"Lidershipi, komunikimi dhe marketingu. Këto janë temat kryesore të Kongresit të 26-të ndëramerikan të edukimit katolik që po zhvillohet në Santiago të Kilit deri më 12 janar. Në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku i nxit të gjithë ata që kanë përgjegjësi në shkollën katolike, të reflektojnë mbi sfidat që duhen përballuar për të promovuar, në atë kontekst, "një kulturë autentike të takimit", në mënyrë që të mund të jetë "një propozim shprese dhe besimi për kohën tonë".

Kështu, pra, u shkruan Papa Françesku pjesëmarrësve të Kongresit Ndëramerikan të Edukimit Katolik, organizuar nga Konfederata ndëramerikane për edukimin katolik (Ciec), që po mbahet këtyre ditëve, deri të dielën më 12 janar, në Santiago të Kilit. Mesazhi i Papës u lexua nga Nunci Apostolik në Kili, imzot Alberto Ortega Martin.

Sekretar i përgjithshëm i Konfederata ndëramerikane për edukimin katolik, Oskar Perez  Sayago i hapi punimet e Kongresit duke kujtuar, së pari, se misioni i këtij organizmi kishtar është të "inkurajojë ungjillëzimin e popujve të Amerikës nëpërmjet edukimit, t’i përhapë dhe mbrojë parimet e mëdha që kanë të bëjnë me organizimin dhe orientimin e edukimit katolik, si dhe nxitjen e bashkimit e të solidaritetit ndërmjet anëtarëve të saj.

Së dyti, në se duam të ballafaqohemi me sfidat e mëdha që përcaktojnë të ardhmen dhe vitalitetin e shkollës katolike të kontinentit Amerikan, duhen shqyrtuar e rimenduar vazhdimisht praktikat e metodat e mira, duhen rishkruar, për t'i zbatuar, për t'i përsëritur dhe propozuar pareshtur" në shoqëri, e kjo është një "çështje e pashmangshme, nëse duam të jemi tharmi i tokës sonë".

Në përkim me mësimet zyrtare të Papës Françesku dhe e nxitur nga Ungjilli, përballë vështirësive e "mënjanimeve të reja" që dalin në pah në shoqëritë e Amerikës, Konfederata ndëramerikane për edukimin katolik (Ciec) ofron "momente kreativiteti dhe shprese, në të cilat forca dhe qëndrueshmëria e propozimit tonë në fushën e edukimit do të sjellë risi, si dhe një domethënie të re për fëmijët e të rinjtë".

Nga ndërhyrjet e shumta gjatë punimeve të kongresit, Motër Gloria Liliana Franco Echeverri, presidente e Konferencës së rregulltareve të Amerikanës Latina e Karaibeve (Klar), mes tjerash tha se: "Me fjalët dhe dëshminë e tij Papa këmbëngul e na fton të mos lodhemi duke mbjellë farën e mirë të kulturës së takimit e të vëllazërimit. Lidershipi për të cilën Papa Françesku na flet dhe na fton është ajo e Jezusit - Bariut të Mirë, që i le 99 delet e shkon ta kërkojë delen e humbur, ky është shembulli i atij që bënë gjithçka për ata që i do".

Edhe, imzot Héctor Vargas, ipeshkëv i Temuco-s, kryetar i departamentit për Edukim pranë Konferencës episkopale të Kilit, theksoi se sot: "Duhet të promovojmë një prani të re udhëheqësish katolikë në fusha të ndryshme të jetës njerëzore", po për këtë janë të nevojshme, "metodat e reja që na ndihmojnë të krijojmë alternativa, që në të njëjtën kohë janë kritike e konstruktive për shoqërinë tonë, alternativa që kërkojnë gjithmonë mirën e mundshme, me një identitet të qartë social të krishterë”.

10 janar 2020, 14:46