Funerali i Soleimani Funerali i Soleimani 

Papa kërkon dhuratën e paqes. Warduni: lufta do të ishte e tmerrshme!

Në një tweet, Françesku kujton se edhe tjetri ka të njëjtën nevojë për paqen. Imzot Shlemon Warduni, ipeshkëv ndihmës i Bagdadit, shpreh shqetësimin për popullin irakian dhe për bashkësinë e krishterë, që po jeton në atmosferën e tensionit ndërmjet SHBA-ve e Iranit. Protesta e Teheranit në OKB. Trump: SHBA-të, gati për çfardolloj përgjigjeje!

R. SH. - Vatikan

“Duhet të besojmë se edhe tjetri ka të njëjtën nevojë për paqe. Nuk mund të ketë paqe, kush nuk shpreson në të. T’ia kërkojmë Zotit dhuratën e paqes”: ky, tweeti i sotëm i Papës Françesku, në faqen papnore të internetit @Pontifex.

Sulm i ri ajror, përgënjeshtrime e vërtetime  

Ndërkaq vijon të thellohet më tej tensioni ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit, gjë që krijon rrezikun t’i vërë flakën Lindjes. Sipas disa mediave, mbrëmë, në veri të Bagdadit, një sulm i ri ajror i SHBA-ve goditi komandantin e grupit paraushtarak filo-iranian, Hashed Al Shaabi. Lajmi u përgënjeshtrua prej koalicionit ndërkombëtar kundës Isisit,  i udhëhequr nga SHBA-të, por Forcat e mobilizimit popullor pohojnë të kundërtën, duke sqaruar edhe se viktimat janë mjekët pranë grupit e se asnjë nga milicët nuk mbeti i vrarë.

Funerali i Soleimani

Sot në mëngjes kryeqyteti irakian ishte, pastaj, teatër i kortezhit funebër të gjeneralit iranian Soleimani, që përshkoi udhët e distriktit Kazimiya, ku ndodhet një xhami shiite. Mijëra njerëz morën pjesë e shumë prej tyre hodhën parulla kundër Amerikës. Në përfundim, në zonën e gjelbër të Bagdadit, u kremtua funerali zyrtar kombëtar, në praninë e një mori liderësh irakianë, ndërmjet të cilëve, edhe kryeministri irakian, Adil Abdul-Mahdi.

Trump: Soleimani po planifikonte atentate

Ndërkaq, ndërsa të gjitha diplomacitë kërkojnë moderim, në OKB arrijnë protestat zyrtare të Iranit dhe vendosmëria e Presidentit të OKB-së, Trump,   që shpjegon arsyet e operacionit dhe e mban lart presionin mbi të gjitha mjediset e lidhura me qeverinë e Teheranit. Trump vijon të pohojë edhe se Soleimani po planifikonte sulme të reja e se nuk u vra për të ndërruar regjimin, e aq më pak, për të filluar luftën, ndonëse SHBA-të janë gati për  të dhënë çdo  përgjigje që të jetë e nevojshme.

Riorganizohet operacioni anti-Is

Funksionarët e mbrojtjes amerikane bënë të ditur se po dërgojnë 3500 ushtarë të tjerë në Lindjen e Mesme. Trupa, që do të vendosen në Irak, Kuvait, Liban, si përgjigje që i jepet kërcënimeve për hakmarrje, nga ana  e mjediseve shiite. Gjithnjë burimet e mbrojtjes së SHBA-ve njoftojnë  edhe se koalicioni kundër Isisit në Irak do t’i riorganizojë operacionet “për arsye sigurie”. Vijë maturie ndiqet edhe nga ana e Natos, që do t’i ndërpresë misionet e stërvitjes në Irak.

Irani proteston pranë OKB-së

Nga ana tjetër lideri më i lartë shpirtëror Ali Khamenei, që shpalli tri ditë zije kombëtare, flet për raprezalje kundër autorëve të sulmit. Tone të ndezura edhe nga ana e presidentit irakian, Hasan Rohani, që deklaroi se “Martirit Soleimani do t’i merret gjaku, në ditën kur Amerikës së poshtër do t’i pritet dora në Lindjen e Mesme”. E në OKB arrijnë edhe protestat e Iranit, përmes një letre, në të cilën flitet për shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe për “Terrorizëm Shteti”.

Warduni: bota të lutet për paqen

Por, si po e jeton këtë çast popullsia irakiane e, në veçanti, bashkësia e krisherë në këto vende? Ia kërkuam përgjigjen imzot Shlemon Wardunit, ipeshkëv ndihmës i Bagdadit.

Ta ndjekim intervistën me Imzot Wardunin:

“Është një çast kritik, shumë i vështirë, sepse feja jonë është paqe: “Unë po ju jap paqen, jo siç e jep bota!”- vijon të na kujtojë Krishti. Po bota e sotme do vetëm interesat personale, do vetëm “materien”, do vetëm të pushtojë ku të mundet. Vetëm këto dy muajt e fundit dy-tre kombe iu vërsulën dy-tre të tjerëve, për t’i pushtuar. E në këtë atmofesrë irakianët po vuajnë më shumë se asnjë komb tjetër. Ndërsa apostullimi i Papës është të mbillet paqja në botë, duke kujtuar porosinë e Krishtit “Duajeni njëri-tjetrin!”. Prandaj ne do të vijojmë  ta lartojmë zërin, që të na dëgjojë mbarë bota, për të mbjellë kudo paqen, pa asnjë interes personal”.

Si po i jeton populli irakian këto orë? Besojmë se edhe bashkësia e krishterë shqetësohet shumë për këtë shkallëzim të dhunës…

“Sigurisht, sigurisht: të gjithë kanë frikë nga lufta, që do të ishte e tmerrshme,  edhe pse familja irakiane sot është e shpërndarë në mbarë botën. Nuk duam gjë tjetër, veç paqes. Shpresojmë se për këtë do të mendojnë krerët e shteteve, në këtë kohë kur, në vend të paqes, po mbillet urrejtja. Ne e falënderojmë Atin e Shenjtë dhe kërkojmë nga mbarë bota  të lutet, të rikthehet tek Zotit, sepse largimi nga Zotit e bën të mundshme çdo të keqe!”.

Në mozaikun irakian duhet të sigurohet bashkëjetesa e të gjitha konfesioneve fetare. Ky sulm, a i minon përpjekjet për bashkëjetesë? A mund të sigurohet një paqe afatgjatë në Irak?

“A është e mundshme paqja afatgatë? Nuk e di! Sepse kur ka interesa personale, i kundërvihemi edhe fjalës së Zotit, që na kujton se nuk mund t’i shërbejmë njëkohësisht Mamonës e Zotit, por ose Zotit , ose Mamonës! Kështu janë punët! Por shumica do paranë. Ku është bota, ku? Ne e ftojmë  të lutet për paqen, jo për paratë, të ndihmojë për ta mbjellë paqen, jo për ta shkulur!”.

04 janar 2020, 15:55