Kërko

 Të rinj nigerianë duke lexuar Të rinj nigerianë duke lexuar 

Françesku: jo, historive të rreme, që përçajnë! Të tregohet e mira, që bashkon!

Në mesazhin e 54-t kushtuar Komunikimeve Shoqërore me temë “Që ti të mund ta tregosh e ta ngulësh mirë në kujtesë” (Dal. 10,2). Jeta bëhet histori” Françesku ndalet posaçërisht tek vlera e tregimit. Papa mendon se, edhe për botën katolike, është më e ngutshme se kurrë të mposhtet tundimi, që të shtyn të merresh me histori shkatrrimtare.

R. SH. - Vatikan

Tregimet mund të na ndihmojnë të kuptojmë e të pohojmë kush jemi, sepse njeriu është qenie tregimtare, që ka nevojë “të rivishet me histori, për ta ruajtur jetën e vet”. Papa Françesku e nënvizon këtë në Mesazhin e Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore për vitin 2020, botuar sot, në përkujtimin e Shën Françeskut të Sales, Pajtor i gazetarëve. Një mesazh, që shkon shumë përtej horizontit gazetaresk, siç është mësuar të bëjë Papa që në Mesazhin e parë kushtuar komunikimeve shoqërore, atë të vitit 2014, kur përvijoi lidhjen ideale ndërmjet figurës ungjillore të Samaritanit të Mirë dhe misionit, që kryejnë sot “komunikatorët e mirë”. Në një kohë kur fjala shpërdorohet e përçan, sëmundje nga e cila nuk shpëton as bota katolike, Papa kujton se komunikimi është i vërtetë kur ndërton e nuk shkatërron. Kur është i përvuajtur, e jo fodull. Kur kërkon të vërtetën, e nuk e maskon - siç pati theksuar edhe  në audiencën e majit të kaluar, gjatë takimit me gazetarët e Shoqatës së Shtypit të jashtëm. E, përballë  përpjekjes për të përhapur lajme të rreme e të mbrapshta - deri  në devijimet e falsifikuara të deepfake apo të videove false - Papa inkurajon të punohet në mënyrë që rrëfimi të flasë për ne e për të bukurën, e cila banon në ne, duke ndihmuar të gjinden rrënjët dhe forca, për të ecur përpara së bashku. Kemi  nevojë - kujton Papa - “ta thithim, si ajrin e pastër, të vërtetën e historive të mira”.

Shkrimi Shenjt, “Histori e historive”

Në Mesazh citohet edhe storytelling, teknikë që po përhapet gjithnjë më shumë në mjedise të ndryshme të publicitetit politik. Por ky nuk është tregimi, për të cilin mendon Françesku, Papa që nuk e ndjek logjikën e botës. Tregimi, sipas tij, ka një vlerë shumë më të thellë që “na kujton kush jemi para syve të Zotit”. Papa thekson fort edhe rëndësinë e temës së zgjedhur për mesazhin: “Që ti të mund të tregosh e ta ngulësh mirë në kujtesë” (Dal 10,2). Jeta bëhet histori". Shkrimi Shenjt - vëren Papa - është “Historia e historive”. E shton se Bibla tregon “Zotin, krijues e njëkohësisht edhe tregimtar”. Pikërisht përmes rrëfimit të Tij - vijon - Zoti i thërret në jetë sendet e, në kulm, krijon burrin dhe gruan si bashkëbisedues të lirë me Të”.

Nësa afrohet kremtimi i “së Dielës së Parë të Fjalës së Zotit”, themeluar me Letrën Apostolike Aperuit Illis, Françesku na fton, edhe me këtë Mesazh, ta kemi gjithnjë parasysh Shkrimin Shenjt, ta bëjmë tonin, duke kujtuar se “Bibla është historia e madhe e dashurisë së Zotit për njerëzimin”. Nga ana tjetër, siç na mëson Libri i Daljes, prej të cilit u mor tema e Mesazhit - mësojmë se  “njohja e Zotit transmetohet sidomos duke treguar, duke e përcjellë nga breznia në brezni rrëfimin, që na kujton sesi Zoti vijon të bëhet i pranishëm në jetën tonë, si vjen e ecën përkrah nesh në kohë e në histori”.

Tundimi për tregime të rreme e të mbrapshta

Një pjesë të rëndësishme të dokumentit Papa ia kushton “historive shkatrrimtare”, duke i përshkruar me fjalë, të cilat të kujtojnë sakaq homelitë e Shën Martës. Edhe një herë - siç pati bërë  në Mesazhin e 2018-tës për komunikimet, kushtuar fenomenit  të fake news - lajmeve të rreme - Françesku tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga tundimi i gjarprit, rrëfyer në Librin e Zanafillës. Pikërisht i atij, që mashtroi Evën e ia mbylli njerëzimit portat e Parajsës. Papa u kundërvihet  historive, që narkotizojnë, duke na bindur se për të qenë të lum, “duhet të kemi, të zotërojmë, të konsumojmë”. E, duke riprekur një temë shumë të dashur për të, dënon ashpër prirjen për t’u marrë me thashetheme, me përgojime, me shpërrallime, pa u kujtuar fare për pasojat e tyre shkatrrimtare. Ashtu si nuk kujtohemi për dhunën dhe falsitetin, që konsumojmë çdo ditë. Pasoja  e fundit e përhapjes së “historive shkatrrimtare e provokuese është  këputja e fillit të ligshtë të bashkëjetesës”. “Rrezikohet, kështu, dinjiteti njerëzor - lexohet në mesazh - përmes informacionesh të pavërtetuara e fjalësh banale, që tingëllojnë si britma të ngarkuara me urrejtje”. Duhet t’i kundërvihemi pa vonesë gjithë kësaj zhurme, që na kërcënon. Në një botë, që i duron gjithë këto lajme sa të rreme, aq edhe të rrezikshme, Françesku uron që të mund të shndritemi nga drita e së vërtetës, që na kujton kush jemi, edhe në klimën e mohimit të heroizmit të përditshëm.

Asnjë histori njerëzore nuk është e pakuptimtë para syve të Zotit

Papa i kushton vëmendje të veçantë historisë së Jezusit, që tregon se Zoti e ka shumë për zemër njeriun e se për Të “nuk ekzistojnë histori njerëzore  të pakuptimta a të parëndësishme”. Përmes dikimit të Shpirtit Shenjt - shton - çdo histori, edhe më e harruara, “mund të rilindë si kryevepër, duke u bërë një shtesë e vogël e Ungjillit”. Citon, më pas disa histori që inskenojnë takimin mahnitës të Zotit me njeriun, që nga “Rrëfimet” e Shën Agostinit, tek Vëllezërit Karamazov. I fton të gjithë të lexojnë histori nga jeta e Shenjtorëve e t’i ritregojnë këto histori, nga të cilat përhapet parfumi i Ungjillit, që e njeh mirë secili prej nesh. E na nxit edhe t’ia tregojmë Zotit historinë tonë. Nuk është kurrë i tepërt ky tregim - pohon - sepse “historia e njeriut, që del në skenën e botës, nuk është e pandryshueshme. Përkundrazi, mund të ndryshojë çdo çast. Prandaj, edhe kur tregojmë të keqen, mund të rikujtojmë të mirën, duke i hapur rrugën së drejtës.

Mesazhi mbyllet me një lutje  drejtuar Marisë, që t’i dëgjojë historitë tona, t’i ruajë, t’i pastrojë - me pastrinë e Saj. Duke kujtuar një figurë  shumë të dashur për të, që e thekson edhe në Shën Martë, Papa i lutet Zojës së Bekuar  t’i zgjidhë të gjitha nyjet, që e mbajnë të lidhur jetën tonë e të na e zgjidhë edhe nyjen e gjuhës, duke na ndihmuar të rrëfejmë histori  paqeje e ardhmërie të bukur”.

24 janar 2020, 11:36