Kërko

Papa Françesku: t’i shpëtojmë të mbyturit nga qëndrimet çnjerëzore

“Kur besimtari shijon shëlbimin, nuk mund ta mbajë më për vete, por dëshiron ta ndajë me të gjithë”: është një nga fragmentet e katekizmit të Papës, mbajtur në audiencën e përgjithshme, kushtuar fundosjes së anijes me të cilën lundronte Pali drejt Maltës, shembull, që tregon si duhet jetuar çasti i provës, me besim të plotë në Jezu Krishtin.

R. SH. - Vatikan

“Vështirësitë, feja, e mira, që ta bën zemrën të butë e të ndjeshme  për të tjerët”. Françesku vuri në dukje disa nga kuptimet e mbytjes së anijes së Palit në Maltë, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme mbajtur në Sallën e Palit VI, mbytje tejet e ngjashme me ato të ditëve tona:

“T’i kërkojmë sot Zotit të na ndihmojë ta jetojmë çdo provë, të mbështetur nga energjia e fesë; të jemi të ndjeshëm ndaj shumë të mbyturve në detin plot me dallgë të historisë, që arrijnë të shkallmuar brigjeve tona. T’u dëshmojmë se edhe ne dimë të mikpresim me atë dashuri vëllazërore, që vjen nga takimi me Jezusin. E pikërisht kjo dashuri të shpëton nga akulli i indiferencës dhe i çnjerëzimit”.

Lundrimi i rrezikshëm

Udhëtimi i Palit nga Çezarea, në Romë ishte tema e katekizmit të sotëm të Papës, përqendruar përsëri mbi “Veprat e Apostujve” që - shpjegoi -  është për t’u lexuar, sepse kështu mund ta shikojmë sesi Ungjilli, me forcën e Shpirtit Shenjt, arrin tek të gjithë popujt, bëhet universal. “Merreni, prandaj! Lexojeni”. Ndiqeni lundrimin e Palit, që i ngjet shumë lundrimeve të ditëve tona. E që bëhet shpesh i rrezikshëm, kur mbi anijet shfryn era e tërbuar e gjatë vorbullës së një ere të tillë, shtegtarët tmerrohen. Po Pali ndërhyn, duke i  qetësuar shokët:

“M’u duk… sonte një Engjëll i atij Zoti, të cilit i përkas - Zotit, që i përkas, sepse secili prej nesh e ka një Zot, apo jo? - Zotit, të cilit i përkas e i shërbej, e më tha: ‘Mos ki frikë, Pal, ti duhet të paraqitesh para Çezarit,  e ja! Desha t’i ruajë shokët e tu të lundrimit”(Vap 27,23-24), ty e të gjithë’. Edhe në çastin e provës ai, Pali , vijon ta ruajë jetën e të tjerëve e t’i mbajë gjithnjë me shpresë”.

Nga fatkeqësia, në mundësi

Kumtimi i Ungjillit kalon përmes kapërcimit të provës. Përmbytja - pohoi Papa - nga fatkeqësi, shndërrohet në mundësi providenciale. Ankorimi i anijes në brigjet e Maltës shënon një kthesë të këndshme. Maltezët - nënvizoi Françesku - janë njerëz të mirë, të butë, mikpritës. Ishin kështu që në atë kohë e vijojnë të jenë edhe sot. I presin gjithnjë të mbyturit me ngrohtësi, ua lehtësojnë shpirtin e trazuar. I presin, siç pritën Palin që, si dishepull i vërtetë i Krishtit, u vu menjëherë në shërbim  të shokëve duke mbledhur karthje, për të ushqyer zjarrin. E pikërisht nësa mbledh degët e thata, kafshohet nga një nepërkë:

“Të gjithë prisnin çastin kur do të binte i vdekur përdhe, por ai nuk pëson asnjë dëm e atëherë nisin ta shikojnë jo si keqbërës, siç patën kujtuar në fillim, por si hyjni, që s’ka ç’i bën as helmi. Në të vërtetë e gjithë kjo vjen nga Zoti i ngjallur, që e shoqëron, sipas premtimit që u bëri besimtarëve para se të ngjitej në qiell: ‘Do të merrni në duar gjarpërinj e, nëse do të pini ndonjë helm, nuk do t’ju bëjë asnjë dëm; do t’i vini duart mbi kokën e të sëmurëve, e ata do të shërohen” (Mk 16,18). Tregon historia se  nga ky çast në Maltë nuk ka më shlliga: e ky është bekimi i Zotit për mikpritjen që tregoi ky popull kaq i mirë”.

Ta mishërosh fjalën

Që nga ky çast “ndalimi në Maltë bëhet për Palin rast i përshtatshëm për “ta mishëruar” Fjalën e për të nisur një shërbim mëshire, duke shëruar të sëmurët:

“Ky është ligji i Ungjillit: “Kur besimtari shijon shëlbimin, nuk mund ta mbajë më për vete, por dëshiron ta ndajë me të gjithë. E mira duhet komunikuar gjithnjë. Çdo përvojë e së vërtetës dhe e bukurisë kërkon të përhapet e çdo njeri, që e jeton çlirimin e thellë, i ndjen më shumë në shpirt nevojat e të tjerëve’ (Nxit. Ap. Evangeli gaudium, 9). I krishteri që kalon prova të rënda, mund të bëhet shumë më i afërt me njeriun që vuan. E mund t’ua hapë më lehtë zemrën të tjerëve”.

Zoti mund të veprojë në çdo rrethanë, edhe atëhere kur të duket se ke dështuar sepse “kush vuan e i dhurohet Zotit për dashuri, sigurisht do të japë fryte të begata”.

Mos e harroni datën e pagëzimit  

Në përfundim të audiencës, pasi kujtoi Australinë e tronditur thellë nga rënia e zjarreve dhe pas shfaqjes së Cirkut Aqua, Françesku u kërkoi besimtarëve ta kujtojnë datën e pagëzimit të tyre:

“Dëshiroj që secili nga ne ta dijë datën e pagëzimit: sigurisht ne e dimë datën e ditëlindjes, datën kur dolëm në dritë; po sa nga ju e dinë edhe datën e pagëzimit? Pak… epo mirë. Doemos harrohet, kur nuk festohet. Po ju lë një detyrë shtëpie; pyetini prindërit, gjyshërit, xhaxhallarët, miqtë: ‘Kur jam pagëzuar?’. E mbajeni gjithnjë këtë datë në zemër, që të mund ta falënderoni Zotin për hirin e Pagëzimit. Dakord? Do ta bëni këtë?”.

08 janar 2020, 13:13