Kërko

Papa Francesco e anziani - nonni Papa Francesco e anziani - nonni 

Papa: “Pleqëria nuk është sëmundje. Shkoni e kërkojini të moshuarit, që jetojnë të vetëm!”

Pleqëria është privilegj, që duhet vlerësuar. E duhet ndryshuar edhe mendësia, që kemi për të moshuarit, duke u mësuar ta shikojmë ardhmërinë së bashku me ta”.

R. SH. - Vatikan

“Edhe të moshuarit janë e sotmja dhe e ardhmja e Kishës. Po, janë e ardhmja e një Kishe që, së bashku me të rinjtë, profetizon, punon, ëndërron!”. E theksoi me forcë Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e Kongresit të parë ndërkombëtar të baritorisë për pleqtë, mbajtur këto ditë në Augustinianum, në Romë, me nismën e Diskasterit vatikanas për laikët, familjen, jetën. Prandaj ka rëndësi të madhe që të rinjtë të bisedojnë me gjyshat - shtoi duke folur lirisht Papa.

Kur mendojmë për të moshuarit e flasim me ta, aq më tepër në përmasën baritore, duhet të mësohemi t’i modifikojmë paksa kohët e foljeve” – shpjegoi Françesku:

“Nuk duhet përdorur vetëm koha e shkuar për pleqtë, si të kishin vetëm një jetë  të lënë pas shpine e një arkiv të mykur kujtimesh. Jo, Zoti do e dëshiron të shkruajë me ta edhe faqe të reja, faqe shenjtërie, shërbimi, lutjeje”.

Profecia e të moshuarve realizohet kur drita e Ungjillit hyn plotësisht në jetën e tyre - vërejti Papa Françesku:

“Kur, ashtu si Simeoni e Ana, marrin në krahë Krishtin e kumtojnë revolucionin e dashurisë, Lajmin e mirë të Atij, që erdhi në botë për të sjellë dritën e Atit. Prandaj ju kërkoj të mos kurseheni, kur bëhet fjalë për t’ua kumtuar Ungjillin gjyshave e të moshuarave”.

Kjo, ftesa e Papës:

“Shkoni t’i takoni me buzë në gaz e me Ungjill në dorë. Dilni rrugëve të famullive tuaja e shkoni e kërkojini pleqtë që jetojnë  të vetmuar. Pleqëria nuk është sëmundje, është privilegj! Vetmia  po, mund të quhet sëmundje, por me dashuri, me afërsi, me ngushëllim shpirtëror, mund ta shërojmë!”.

Së fundi, një mendim i Papës për gjyshat:

“Në ditët tona, në shoqëritë e shekullarizuara të shumë vendeve, breznitë e sotme të prindërve nuk e kanë atë formim të krishterë e atë fe të gjallë, të cilën vetëm gjyshat mund t’ua transmetojnë nipave. Janë ata, hallka e domosdoshme për t’i edukuar në fe të vegjlit e të rinjtë. Duhet  të mësohemi t’i përfshijmë të moshuarit në horizontet tona baritore e t’i konsiderojmë,  jo vetëm nganjëherë, por përgjithëherë, si një nga pjesët pëbërëse  jetike të bashkësive tona. Ata nuk janë  vetëm njerëz, që duhet t’i  asistojmë e t’i ndihmojmë të jetojnë sa më gjatë, por mund të jenë edhe aktorë të baritorisë ungjillëzuese, dëshmitarë të zgjedhur të dashurisë besnike të Hyjit”.

Nuk duhet harruar se pleqëria arrin shpejt e shpejt, si dëbora. Një ditë zgjohesh e shikon se gjithçka është zbardhur! Është gjëja më e papritur, që mund t’i ndodhë njeriut. Të dish të motnohesh, do të thotë të dish të krijosh një përkim të përkryer ndërmjet fytyrës sate të plakur e zemrës dhe trurit të ri! Këto, disa nga shprehjet e njohura, që na kujton urtia njerëzore, ndërsa Papa pohon se bota e sotme ka një popullsi të moshuarish, që mund të popullojë një kontinent të tërë e se pleqëria përkon me stinë të ndryshme të jetës: për shumëkënd, është mosha, në të cilën përfundon angazhimi prodhues, focat ligështohen e duken shenjat e para të sëmundjes, të nevojës për ndihmë e të izolimit shoqëror: por për shumë të tjerë, është periudha e gjatë e mirëqenies psiko-fizike dhe e çlirimit nga detyrimet e punës. E Françesku  këshillon edhe si duhen jetuar këto vite, në një kohë kur shoqëria  ka nevojë për vlerat e moshës tretë!  Duke u drejtuar breznive të reja thirrjen:

“Pleqëria nuk është sëmundje. Shkoni e kërkojini të moshuarit, që jetojnë të vetëm!”.

31 janar 2020, 14:03