Kërko

17012014_130414_eutanasia.jpg

Papa: shoqëria është “e qytetëruar”, nëse lufton “kulturën e hedhurinave”

Duke pritur Kongregatën për Doktrinën e Fesë, mbledhur në asamblenë e saj të përgjithshme, Papa Françesku foli për vlerën e paprekshme të jetës njerëzore, për kujdesin ndaj të sëmurëve në fazat kritike dhe të fundme të jetës, si edhe për nevojën e rishkrimit të “gramatikës” së përgjegjësisë dhe të kujdesit për të vuajturit.

R.SH. - Vatikan

Edhe sot, Papës ju desh një frazë e Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë e të dashurisë, për t’u shpjeguar pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, që i priti sot paradite, ç’do të thotë kujdes për tjetrin, sidomos për të sëmurët në fazën kritike, ose të fundit të jetës, siç është edhe tema e Takimit të tyre. “Kush, në udhën e jetës, – citoi Papa Nënë Terezën – ka ndezur qoftë edhe një flakëz në orën e errët të ndokujt, nuk ka jetuar më kot”.

Vlera e paprekshme e jetës

Sot jeta e njeriut, denoncoi Ati i Shenjtë, “vlerësohet gjithnjë e më shumë në bazë të frytshmërisë dhe të dobisë së saj, deri në atë pikë sa të konsiderohen ‘hedhurina’, ose ‘të padenja’ ato jetë, që nuk e plotësojnë këtë kriter”. Françesku theksoi se “në këtë situatë, kur kanë humbur vlerat e vërteta, ndihet më pak edhe detyrimi i padiskutueshëm për solidaritet dhe vëllazërim njerëzor e kristian”.

“Shoqëria meriton të cilësohet si ‘e qytetëruar’ – ky, mendimi i Papës - nëse zhvillon antikorpe kundër kulturës së hedhurinave; nëse e njeh vlerën e paprekshme të jetës njerëzore; nëse solidariteti praktikohet dhe mbrohet aktivisht si bazë e bashkëjetesës”.

Doktrina, realitet dinamik

Duke e falenderuar Kongregatën për Doktrinën e Fesë për shërbimin e saj në Kishë, Ati i Shenjtë theksoi se feja kërkon që të njihen njerëzit, të cilëve u predikohet, të duhen e të merren parasysh ata në çdo veprimtari kishtare e në çdo mendim, që më pas bëhet doktrinë.

“Doktrina e krishterë nuk është një sistem i ngurtë dhe i mbyllur, por as ideologji, që ndryshon me kalimin e stinëve; është një realitet dinamik, që, duke i mbetur besnik bazës së tij, risohet nga brezi në brez e përmblidhet në një fytyrë, në një korp, në një emër: Jezu Krishti i ringjallur”.

“Gramatika” e kujdesit

Duke u ndalur në çastin kur “sëmundja troket në derën e jetës”, Papa kujtoi sa e rëndësishme është dhembshuria, “refren” në Ungjill, si edhe prania e dikujt, që ta mban dorën, si një Samaritan i Mirë. “Mos braktisni kurrë askënd me sëmundje të pashërueshme- nënvizoi Papa Bergoglio. - Jeta e njeriut, e destinuar për amshim, e ruan gjithë vlerën dhe dinjitetin e saj, në çdo lloj kushti… dhe si e tillë është gjithmonë e denjë të vlerësohet maksimalisht”.

“Tema e kujdesit për të sëmurët, në fazat kritike dhe të fundme të jetës, i jep Kishës detyrën ta rishkruajë ‘gramatikën’ e përgjegjësisë dhe të kujdesit për të vuajturit. Shembulli i Samaritanit të Mirë na mëson se duhet ta ndryshojmë vështrimin e zemrës, sepse shpesh ai që shikon, nuk vështron. Pse? Sepse i mungon dhembshuria. Pa dhembshuri, vështruesi nuk merr pjesë në çka shikon e kalon më tej; ndërsa, ai që e ka zemrën të dhembshur preket dhe merr pjesë në dhimbje, ndalet dhe kujdeset”.

Papa Françesku vlerësoi angazhimin e dikasterit vatikanas “për kujdesin ndaj atyre njerëzve, që ndodhen në faza kritike, ose të fundme të jetës”, në një kuadër shoqëroro-kulturor, që “gradualisht po e zvetënon vetëdijen për çka e bën jetën të çmuar”. Lavdëroi ato qendra për të moshuar, që praktikojnë atë, që e quajti “terapia e dinjitetit”. E së fundi, Ati i Shenjtë kërkoi të vazhdohet studimi për rishikimin e normave mbi “delicta graviora” (krimet e rënda), përfshirë në Motu proprio “Sacramentorum sanctitatis tutela” të Papës shenjt Gjon Pali II, për të vijuar udhën e transparencës dhe të respektimit të dinjitetit të më të vegjëlve.

30 janar 2020, 14:35