1579681967520.JPG

Papa: migrantët nuk janë kërcënim, mikpritja është virtyt ekumenik

Duke kujtuar Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Papa Françesku e përqendroi katekezën e tij, gjatë audiencës së përgjithshme, në mbërritjen e shën Palit apostull në Maltë, duke nënvizuar se mikpritja është “virtyt i rëndësishëm ekumenik”. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të punojnë së bashku për të dëshmuar se çdo njeri është i çmuar në sytë e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Shën Pali dhe shokët e tij, si emigrantët e sotëm. Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur si zakonisht në Vatikan, Papa Françesku u ndal në Veprat e Apostujve, në pikën ku tregohet për mbytjen e anijes së shën Palit në brigjet e Maltës, për fenë e pakushtëzuar të apostullit në Krishtin dhe për mikpritjen spontane të banorëve të ishullit, shenjë e qartë dhe e fuqishme e dashurisë së Zotit. Ai episod, vërejti Papa, është i ngjashëm me ç’po ndodh sot në det. Mijëra njerëz të dëshpëruar përballen me valët dhe stuhitë, por ata që mbijetojnë, në vend që të kuptohen e të priten mirë, trajtohen me armiqësi.

“Në të gjithë botën – vuri në dukje Ati i Shenjtë – migrantët, burra dhe gra, ndërmarrin udhëtime të rrezikshme për t’i shpëtuar dhunës, për t’i shpëtuar luftës, për t’i shpëtuar varfërisë. Ashtu si Pali dhe shokët e tij, ata përjetojnë indiferentizmin, i bëjnë ballë shkretëtirës, lumenjve, deteve... Sa herë nuk i lënë të hyjnë nëpër porte! Fatkeqësisht, nganjëherë, ndeshen me armiqësinë edhe më të keqe të njerëzve. Shfrytëzohen nga trafikantët kriminelë. Sot! Trajtohen si numra dhe si kërcënim nga disa pushtetarë. Sot! Nganjëherë, refuzimi i mikpritjes i hedh, si valë, drejt varfërisë, ose drejt rreziqeve nga të cilat ikin”.

Mikpritja, tema e Javës së lutjes për Bashkimin e të Krishterëve

Në katekizmin e sotëm, Papa Françesku kujtoi se tema e zgjedhur nga bashkësitë e Maltës dhe të Gozos në Javën e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve është ajo e mikpritjes, që provuan shën Pali e shokët e tij në Maltë, pas 14 ditë lundrimi. Udhëtim plot frikë, për shkak të furisë së detit, në të cilin rrezikonin jetën, por edhe besim pa kushte në Zotin, Atin e dashur Qiellor. Pasi shpëtuan nga dallgët, shën Pali e shokët e tij priten nga maltezët me “humanitet të rrallë”, – siç thuhet në Veprat e Apostujve – gjetën strehë, ushqim, ngrohtësi. Dashuria e banorëve të ishullit për Zotin manifestohet në vepra konkrete bujarie.

“Mikpritja e banorëve të ishullit maltez shpërblehet nga mrekullitë e shërimit të njerëzve, që bën Zoti përmes Palit. Kështu që, nëse njerëzit e Maltës qenë shenjë e Provanisë Hyjnore për apostullin, edhe ai u tregoi dashurinë e mëshirshme të Zotit për ta”.

Virtyti ekumenik

Kur themi se jemi vëllezër në Krishtin, komentoi më tej Papa, duhet ta vëmë në jetë këtë thënie. Vetëm kështu mikpritja kthehet në “virtyt të rëndësishëm ekumenik”, që nuk është “akt bujarie i njëanshëm”, sepse kur presim të krishterë të tjerë, i konsiderojmë si dhuratë, që na bëhet, pra, jo vetëm japim mikpritje, por marrim edhe dhuratën e Hirit të Tënzot, që resh të mira mbi mikpritësit. Papa kujtoi kohën kur në Argjentinë “një grup i vogël katolikësh digjnin tendat” e misionarëve evangjelistë. “Kjo nuk është e krishterë – nënvizoi – sepse jemi vëllezër dhe duhet t’i ofrojmë mikpritje njëri-tjetrit”.

“Të pranosh të krishterët e një tradite tjetër – vijoi Ati i Shenjtë – do të thotë, së pari, të dëshmosh dashurinë e Zotit ndaj tyre, sepse janë bij të Zotit – vëllezërit tanë – e, së dyti, do të thotë të pranosh gjithçka Zoti ka përmbushur në jetën e tyre. Mikpritja ekumenike kërkon gatishmëri për t’i dëgjuar të krishterët e tjerë, duke treguar vëmendje për historinë e tyre personale të fesë e për historinë e bashkësisë së tyre, bashkësi fetare me traditë të ndryshme nga e jona”.

Ta dëshmojmë dashurinë e Zotit

Deti i asaj kohe, theksoi Papa Françesku, është si deti i sotëm: i rrezikshëm, plot kurthe, plot pengesa për ata, që ikin nga dhuna, lufta dhe varfëria. Refuzimi i migrantëve do të thotë porte të mbyllura, indiferentizëm, që i kthen këta njerëz sërish në varfëri e rrezik. Prandaj, të krishterët duhet të punojnë së bashku për t’u bërë “njerëz më të mirë, dishepuj më të mirë dhe popull më i bashkuar”, pra, më mikpritës me njëri-tjetrin, kërkoi Papa.

“Ne, si të krishterë, duhet të punojmë së bashku për t’u treguar migrantëve dashurinë e Zotit, që na u zbulua nga Jezu Krishti. Ne mund dhe duhet të dëshmojmë se nuk ekziston vetëm armiqësia dhe indiferenca, por çdo njeri është i çmuar për Zotin dhe i dashur prej Tij. Ndarjet, që akoma kemi ndërmjet nesh, nuk na lejojnë plotësisht të jemi shenjë e dashurisë së Zotit për botën, që është thirrja dhe misioni ynë”.

Mos u tregoni indiferentë ndaj varfërisë dhe diskriminimit

Gjatë përshëndetjes së shtegtarëve të gjuhës arabe, Françesku kujtoi se “si të krishterë, nuk mund të jemi indiferentë para dramës së varfërive të vjetra e të reja, para vetmive më të zymta, para përbuzjes dhe diskriminimit”. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të punojnë së bashku, duke dëshmuar dashurinë e Zotit, “duke mos u bërë të pandjeshëm e me zemër të anestetizuar përballë mjerimit të shumë njerëzve të pafajshëm”. Në italisht, Papa përshëndeti shtegtarët nga dioqeza Termoli-Larino, të pranishëm në Romë për të shoqëruar reliket e Shën Timoteut, të cilat, me rastin e kremtimit të së Dielës së Fjalës së Zotit, do të zhvendosen nga Bazilika e Shën Palit jashtë mureve, ku gjenden që nga 18 janari.

22 janar 2020, 13:04