Papa: forca e Fjalës të çon nga errësira, në dritë

Në të Dielën e parë të Fjalës së Zotit, Papa na çon, përmes Leximeve, tek zanafilla e predikimit të Krishtit. Është shtegtim në gurrat e Fjalës së jetës, për ta kuptuar rëndësinë e saj!

R. SH. - Vatikan

Vetëdija e dashurisë pa asnjë shpërblim, që na dhuron Zoti dhe kuptimi i faktit se “Zoti erdhi vetë të na vizitojë, duke u bërë njeri” na krijojnë mundësinë  ta kuptojmë mesazhin e parë të Jezusit drejtuar njerëzimit. Na e kujtoi Papa Françesku në homelinë e kësaj së Dieleje të parë të Fjalës së Zotit, duke u frymëzuar nga “fraza krejt e thjeshtë” e Mateut shkëputur nga Ungjilli i sotëm (Mt 4,12-23): “Pendojuni, sepse mbretëria e qiellit është fare pranë!”:

“Kjo është baza e të gjitha predikimeve të Krishtit: Krishti na kujton se mbretëria e Zotit është fare pranë. Po, ç’do të thotë kjo? Mbretëria e qiellit është mbretëria e Zotit, ose mënyra si sundon, qëndrimi që mban ndaj nesh. Tani Jezusi na kujton se mbretëria e qiellit është pranë, se Zoti vetë është pranë. Ja e reja, mesazhi i parë: Zoti nuk është larg. Ai, që banon qiejtë, zbriti në tokë, u bë njeri! I shembi muret, i shkurtoi distancat. Jo për meritën tonë: Ai  zbriti, erdhi të na takojë”.

Fjala inkurajon e shkund

Është mesazh gëzimi - vijoi Papa -  me rrënjë në dashuri! Na këshillon të ndërrojmë jetë, sepse nisi një kohë e re, e cila na çon nga terri - në dritë e, në të njëjtën kohë, na shkund e na jep guxim: “Ndërroni jetë, sepse nisi një mënyrë e re të jetuari: perëndoi koha e të jetuarit vetëm për vete, erdhi koha për të jetuar me Zotin e për Zotin, me të tjerët e për të tjerët, me dashuri e për dashuri. Jezusi të përsërit edhe ty”:

“Guxim, jam pranë teje, bëmë pakëz vend e jeta jote do të ndryshojë!’. Prandaj ta dhuron Zoti Fjalën e tij, që ti ta pranosh si letër dashurie shkruar për ty, për ta ndjerë se Ai është aty, fare pranë. Fjala e Tij të ngushëllon e të inkurajon. E, njëkohësisht, të nxit të pendohesh, të ndërrosh rrugë. Fjala e Tij të shkund, të çliron nga paraliza e egoizmit. Sepse Fjala e Tij e ka këtë forcë: ta ndërron jetën, të bën të kalosh nga errësira në dritë. Kjo është forca e Fjalës së Tij”.

Jezusi vjen në terrinat tona

Bukuria dhe risia e Jezusit kuptohen menjëherë  edhe duke parë “vendin ku nisi të predikojë së pari”. Zgjodhi “zona të errëta, ato, që nuk do t’i kishim menduar kurrë. Po Zoti, dihet, është kështu. Krishti - nënvizoi Papa - e nis predikimin publik nga “Galilea e fiseve”, udhëkryq popujsh të ndryshëm, të huaj:

“Nuk ishte, sigurisht, vendi ku gjindej pastërtia fetare e popullit të zgjedhur. E, megjithatë, Jezusi nisi pikërisht që aty: jo nga tremja e Tempullit  të Jeruzalemit, por nga ana e kundërt  e vendit, nga Galilea e popujve, vend kufiri, periferie. Prej këndej vjen mesazhi: ‘Fjala që shpëton  nuk shkon në kërkim të viseve të zgjedhura, të sterilizuara, të sigurta. Vjen në gjeratoret tona, në errësirat tona'”.

Jezusi nuk ka frikë t’i eksplorojë zemrat

Në të njëjtën mënyrë si atëhere kur i ra kryq e tërthor mbarë Galilesë duke kumtuar Ungjillin e duke shëruar çdo lloj sëmundjeje (v.23) Krishti nuk   ka frikë të ecë ndërmjet terrinave e sëmundjeve të zemrës sonë:

“Ai  e di se vetëm ndjesa e Tij mund të na shërojë, vetëm prania e Tij, të na shndërrojë; një fjalë e vetme e Tij, të na rinojë. Atij, që përshkoi udhën e detit, t’ia hapim udhët tona më të rrëpirta, ato që i kemi në shpirt e nuk duam të na i shohë kush, prandaj i fshehim. T’ia hapim  udhët tona më të përpjeta e ta lëmë të na hyjë në shpirt Fjala e Tij, fjalë e gjallë, e frytshme,  e të na i shqyrtojë ndjenjat dhe mendimet e zemrës” (Heb 4,12).

Jezusi flet me njerëz të zakonshëm

“Nuk janë njerëz të zgjedhur mbi bazën e aftësive a të devoçëm, që luten   në Tempull, por njerëz të thjeshtë, që punojnë gjithë ditën”. Këtyre njerëzve - kujtoi Papa - u drejtohet së pari Krishti. Flet me dy peshkatarë të thjeshtë, me gjuhën e tyre. ‘Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’- lexojmë Fjalën e Tij në Ungjill, e 'ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën pas'”.

I lanë menjëherë rrjetat

Por, pse e ndoqën kaq vrik këta dy mundçarë? Përgjigjja e tyre e menjëhershme zbulon pushtetin e dashurisë së Zotit:

“Pse shpejt e shpejt? Thjesht sepse i tërhoqi. Nuk ishin të shpejtë e të gatshëm sepse morën urdhër, por sepse u tërhoqën fort nga dashuria. Për të ndjekur Jezusin nuk mjaftojnë angazhimet e mira, duhet dëgjuar ditë për ditë thirrja e Tij. Vetëm Ai, që na njeh e na do deri në fund të fundit,  na bën të dalim në detin e hapur të jetës. Siç bëri me ato dishepuj, që ia dëgjuan fjalën. Kemi nevojë, prandaj, për Fjalën e Tij! Kemi nevojë ta dëgjojmë ndërmjet mijëra fjalësh,  që fliten çdo ditë. Sepse vetëm Fjala  e Tij nuk na flet për sendet, por për jetën!”.

E me ftesën për ta dëgjuar këtë Fjalë, e përfundoi Papa homelinë:

“Të fillojmë nga Ungjilli: ta mbajmë të hapur mbi komodinën e shtëpisë,  ta marrim me vete në xhep a në çantë, ta lexojmë në celular, ta lëmë të na frymëzojë çdo ditë. E do të zbulojmë se Zoti është pranë, se e ndriçon errësirën tonë e se na prin me shumë dashuri në detin plot dallgë të jetës . Drejt Dritës!”.

26 janar 2020, 13:38