Vendi ku u rrëzua avioni Vendi ku u rrëzua avioni 

Ngushëllimet e Papës për viktimat e avionit të rrëzuar ukrainas

Françesku dërgoi një telegram ngushëllimi për avionin ukrainas të rrëzuar pranë Teheranit

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku shpreh, në një mesazh ngushëllimi, trishtimin e thellë për rënien, sot në mëngjes, të një avioni Boeing 737 të linjës ajrore  ukrainase, me 177 vetë në bord. Papa - lexohet në telegramin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin – “i kërkon Zotit të mëshirshëm t’i presë me dashuri shpirtrat e të vdekurve e u bën ngushëllimet e tij familjeve dhe miqve të atyre, që humbën jetën”.

Përjashtohet atentati terrorist

Tragjedia ndodhi menjëherë pas shkëputjes së avionit nga aeroporti i Teheranit, në Iran. Burimet lokale e përjashtojnë çdo hamendje sulmi terrorist. Zëdhënësi i autoritetit të aeroportit, duke folur për agjencinë Fars, pohoi se shkaku i rrëzimit ishte një problem teknik. Ka shumë mundësi të ketë marrë zjarr një nga motorët. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se nuk ka shpëtuar asnjë nga udhëtarët. Viktimat ishin 82 qytetarë iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas (9, anëtarë të ekuipazhit), 10 suedezë, 4 afganë, 3 gjermanë e 3 britanikë.

Kriza SHBA-Iran, Nunci: Papa lutet me shumë shqetësim

Aksidenti ndodhi pak orë pas sulmit me raketa të forcave iraniane kundër dy bazave të forcave amerikane. Aksioni nisi në orën 1,20 të natës, në të njëjtën orë kur u vra gjenerali Qassem Soleimani në Bagdad, të premten e kaluar, pas një sulmi ajror amerikan. Për ministrin e jashtëm iranian, sulmi me raketa nga ana e Teheranit është “mbrojtje e ligjshme”. Pasdite, deklatara publike e presidentit amerikan Trump.

08 janar 2020, 14:10