Në audiencë tek Papa, presidenti i Irakut, Barham Salih
R. SH. - Vatikan
Një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë njofton se Papa Françesku u takua sot paradite me presidentin e Irakut, Barham Salih. Ndërmjet temave, të prekura më pas edhe me sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, sfidat aktuale të Vendit dhe rëndësia e ecjes në rrugën e dialogut. U nënvizua edhe nevoja për ta mbrojtur praninë e të krishterëve në Irak.
Më poshtë, teksti i plotë i komunikatës:
“Sot, 25 janar, Ati i Shenjtë Françesku priti në audiencë Shkëlqesinë e tij, zotin Barham Salih, President i Republikës së Irakut, i cili më pas u takua edhe me kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për marrëdhëniet me Shtetet.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, u kujtuan marrëdhëniet e mira dypalëshe, duke u ndaluar kryesisht tek sfidat aktuale të vendit, rëndësia e favorizimit të stabilitetit dhe procesit të rindërtimit, inkurajimi i rrugës së dialogut, kërkimi i rrugëzgjidhjeve të përshtatshme në favor të qytetarëve, duke respektuar sovranitetin kombëtar. Në vijim të bisedës, u fol për rëndësinë e mbrojtjes së pranisë historike të të krishterëve në vendin ku jetojnë prej shekujsh e ku japin kontributin e tyre për ndërtimin e indit shoqëror, duke theksuar posaçërisht nevojën e garantimit të sigurisë dhe vendit, që u përket, në ardhmërinë e Irakut. Së fundi, u fol mbi disa konflikte dhe kriza të rënda humanitare, që trondisin Rajonin, duke nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të bëra edhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, për të rikrijuar besimin e për të rivendosur bashkëjetësën paqësore”.