Kërko

Lutja dhe solidariteti i Papës, një vit pas tragjedisë së Brumadinho

Papa Françesku kujton katastrofën ambientale të një viti më parë në Brumadinho, duke u shprehur, përmes një videomesazhi, afërsinë e tij familjarëve të viktimave, bashkësisë dhe Kishës vendase.

R. SH. - Vatikan

Një vit pas tragjedisë së Brumadinho-s, Papa dëshiron të arrijë solidariteti  dhe mbështeja e tij tek gjithë viktimat dhe bashkësia  lokale.

Orteku i baltës. Kryeipeshkvi i Belo Horizonte: të ndryshohet politika e industrisë së minierave

Katastrofa e madhe ambientale ndodhi pasditen e 25 janarit 2019, pas  shembjes së rezervuarit të një miniere hekuri pranë fshatit Córrego do Feijão, në Brumadinho, qytet i shtetit brazilian të Minas Gerais. 

Shembja e digës, që përmbante 13 milionë metra kub skorie minerare, ndërmjet të cilave, edhe metale helmuese, si mërkuri,  shkaktoi vdekjen e 272 punonjësve të minierës, pronë e shoqërisë Vale, si dhe të disa familjarëve të tyre. Balta dhe mbeturinat vërshuan edhe mbi rrjedhën e lumit, që përshkon territorin, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë ambientale.

Afërsia e Papës Françesku

Në videomesazh, Papa shpreh solidaritetin e tij, duke uruar të punohet   me përkushtim për përtëritjen dhe mbojtjen e tokës sonë. Ja fjalët e Atit të Shenjtë:

“Në kryevjetorin e tragjedisë së Brumadinho-s, lutemi për 272 vëllezërit e motrat, që mbetën  të varrosur. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për ndotjen e gjithë ujit të lumit, solidaritetin ndaj familjeve të viktimave,   kryedioqezës dhe të gjithë njerëzve, që vuajnë dhe kanë nevojë për ndihmën tonë. Lutemi që, me ndërmjetësinë e Shën Palit, Zoti të na ndihmojë për ta ruajtur e për ta mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët”.    

25 janar 2020, 13:41