birkenau-402324 (1).jpg

Gjon Pali II, Benedikti XVI dhe Françesku në Auschwitz e Birkenau

Sot, kur kremtohet Dita e Kujtesës, po ecim mbi gjurmët e tre Papëve, në në Auschwitz e Birkenau, kamp nazist i shfarosjes.

R. SH. - Vatikan

Janë tre, Papët që shkelën në kampin e shfarosjes të Auschwitz e Birkenau, në këtë vend të tmerrshëm, shenjtërore e dhimbjes. Më 7 korrik të vitit 1979 Gjon Pali II kremtonte këtu Meshën Shenjte. Më pas, më 28 maj 2016, kampin nazist të shfarosjes në Poloni e vizitonte Benedikti XVI. Këtyre shtegtimeve nëpër faqet tragjike të historisë, u shtohet edhe vizita e heshtur e Papës Françesku, më 29 korrik  2016. Vizita të dhimbshme, larg njëra tjetrës në kohë, por që i bashkon një gjë e vetme: lutja për shpirtin e atyre, të cilët u shuan në kushte çnjerëzore, të rrethuar me tela ferrc, e  atyre, që mbetën, të ngarkuar me kujtimet më të frikshme, deri në fund të jetës. Gjon Pali II, Benedikti XVI e Papa Françesku lanë gjurmët mbi ato të njerëzve të shuar këtu nga mizoria e verbër. Por edhe të atyre, që ngadhënjyen mbi vdekjen. Si Shën Maksimilian Kolbe, që dhuroi jetën në Auschwitz e Birkenau për të shpëtuar atë të një njeriu të pafajshëm.

Shtegtimi i Gjon Palit II

Duke kremtuar Meshën pranë kampit të përqendrimit të Auschwitz e Birkenau më 1979, Papa Wojtyla kujtoi se ky vend u ngrit  mbi urrejtjen dhe poshtrimin e njeriut, në emër të një ideologjie të çmendur! Vend i ndërtuar mbi barbarinë, ku hyhet, pasi të kesh kapërcyer një portë, mbi të cilën shkruhet “Arbeit macht frei” “Puna të bën të lirë”.  Mbishkrim ky  - pati nënvizuar Gjon Pali II në homelinë e rastit - me tingëllim tallës, sepse në kundërshtim të plotë me çka ndodhte pas asaj porte, asaj “Golgote të botës së sotme”, në të cilën vijojmë të jetojmë.  Papa polak u gjunjëzua para rrasave, shumica pa emër. Para varreve, plot me viktimat e popujve, që të ngjallin në shpirt tmerrin e njërës nga vijat e kufirit të urrejtjes. Auschwitzi “është dëshmitar i luftës dhe i pasojave të saj makabre. I kacafytjes së njeriut me njeriun. I thellimit të urrejtjes, që shkakton shkatërrime të frikshme e  ushqen mizorinë” – pati kujtuar Papa polak.

Vizita e Benediktit XVI

Papa Benedikti XVI shkeli në këtë vend tmerri, ku u kryen krime të pashembullta kundër Zotit e kundër njeriut, gjatë vizitës së tij në Poloni.  “Gjon Pali II - pati kujtuar Papa gjerman - ishte këtu si bir i popullit polak. Unë, si bir i popullit gjerman, në gjirin e të cilit një grup kriminelësh mori  në dorë pushtetin me premtime të rreme, në emër të Gjermanisë së Madhe, të rifitimit  të lavdisë së hershme e të mirëqenies së dëshiruar. E edhe me forcën e terrorit e të frikësimit. E kështu ia doli mbanesh ta përdorte popullin tonë si mjet të lakmisë së vet të çmendur, të etjes për shkatërrim e sundim. “Vendi ku ndodhemi - pati nënvizuar Benedikti XVI - është vend i kujtesës, vend i Shoah. E kaluara nuk është kurrë vetëm e kaluar. Ajo na përket edhe ne e na tregon udhët ku nuk duhet ecur, por edhe ato, ku duhet të ecur!”.

Lutja e Papës Françesku

Vizita e Papës Françesku në “Golgotën e kohëve moderne”, në vitin 2006,  kaloi me heshtje e lutje. Papa eci ngadalë, në këmbë, nën portën famkeqe, mbi të cilën lexohet “Arbeit macht frei”. Arriti në sheshin e apelit, ku vareshin të burgosurit e nazistëve. Preku e puthi trarët e strukturës, që përdorej për varjet. Në hyrje të “Bllokut 11”, Françesku u takua me dy  njerëz, që dolën gjallë nga ky vend vdekjeje. Pas këtyre çasteve të jashtëzakonshme, tejet prekëse, vijuan përqafimet e shtrëngimet e duarve, ndërsa Papa ecte ngadalë, mendueshëm, drejt murit të pushkatimeve. Për t’u ndaluar aty disa çaste. E më prekësi ishte kur shtriu dorën për ta prekur atë vend e mbeti i ngrirë, si shtatore e bardhë e kujtesës.  Në heshtje. Në lutje.

Së fundi, me një auto elektrike, përshkoi rrugën përgjatë binarëve, ku kalonte treni, që sillte këtu karvanet e të internuarve. Në kampin Birkenau  Papa kaloi para 23  pllakave përkujtimore  të Monumentit Ndërkombëtar, ngritur për kujtim të viktimave të nazizmit. Ishin minuta heshtjeje, të ndërprera vetëm nga vaji i një foshnjeje. Më pas, çasti  i fundit, ai i vizitës dhe i takimit me 25 të drejtë të Kombeve, gra e burra, që nuk iu nënshtruan tërbimit të së keqes!   

 

27 janar 2020, 13:26