Epifania: jeta e krishterë është histori dashurie me Zotin

Në qendër të vëmendjes gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Epifanisë - Festë e Dëftimit të Zotit - vlera e adhurimit: “Të adhurosh - pohoi Papa - do të thotë të shkosh drejt e tek themelorja, do të thotë të ecësh në udhën, që të shkëput nga një mori gjërash të kota”.

R. SH. - Vatikan

“Të adhurosh është gjest dashurie, që ta ndryshon krejtësisht jetën”. Homelia e Papës Françesku në Solemnitetin e Epifanisë, Dëftimit të Zotit, u përqendrua kryesisht tek figurat e Mbretërve dhe tek  ajo e Herodit, figura me dy kuptime, krejt të ndryshme. Mbretërit shtegtojnë në kërkim të Zotit me dëshirën e zjarrtë për ta adhuruar sepse - pohoi Papa - “ky është kuptimi i shtegtimit në jetën e krishterë”; “shtegtim drejt Zotit, jo drejt vetvetes”. Ndërsa Herodi adhuron vetëm veten! E çfarë na mëson kjo:

“Se njeriu, kur nuk e adhuron Zotin, kënaqet duke adhuruar vetveten. E edhe jeta e krishterë, pa adhurimin e Zotit, mund të bëhet mënyrë e edukuar për të miratuar vetveten e aftësitë vetjake. E ky është rrezik serioz:  të shërbehesh nga Zoti, në vend që t’i shërbesh Zotit! Sa e sa herë i shkëmbyem interesat e Ungjillit me interesat tona, sa e sa herë e fshehëm pas petkut të fesë, atë që na shkonte më për shtat, sa e sa herë e ngatërruam pushtetin sipas Zotit, që do të thotë t’u shërbesh të tjerëve, me pushtetin sipas botës, që do të thotë t’i shërbesh vetvetes”.

Zoti nuk mund të njihet, pa e adhuruar

Në Ungjill - kujtoi Papa - ka edhe njerëz të tjerë, përveç Herodit,  që nuk janë në gjendje të adhurojnë. Janë krerët e priftërinjve e skribët e popullit. “I dinë mirëfilli profecitë, por nuk ecin sipas tyre, e dinë ku duhet të shkojnë, po nuk shkojnë”. Edhe prej kësaj mund të nxjerrim një mësim të çmuar - vijoi:

“Në jetën e krishterë nuk mjafton dija: Zoti nuk mund të njihet, pa dalë nga vetvetja, pa e takuar, pa e adhuruar. Teologjia dhe aftësia baritore vlejnë pak e aspak, nëse nuk përkulen gjunjtë; nëse nuk bën si bënë Mbretërit Dijetarë,  që nuk qenë vetëm dijetarë e organizatorë të shtegtimit, por edhe njerëz që ecnin, që adhuronin. E kur adhuron, kujtohesh se feja nuk mund të katandiset në një grumbull doktrinash të bukura, por se është marrëdhënie me një Vetje të gjallë, që duhet dashur. Adhurim do të thotë të rrish sy për sy me Jezusin, të cilit ia njohim fytyrën. Duke adhuruar, zbulojmë se jeta e krishterë është histori dashurie me Zotin, ku nuk mjaftojnë idetë e mira, por duhet vënë Ai në krye të vendit, ashtu siç bën njeriu i dashuruar, me atë që do. Kështu duhet të jetë Kisha, adhuruese e dashuruar me Krishtin, Dhëndrin e saj”.

Të adhurosh, do të thotë të dalësh nga skllavëria

Françesku i nxiti besimtarët ta rizbulojnë adhurimin, duke e parë këtë “si detyrë feje”:

“Nëse dimë të gjunjëzohemi para Jezusit, do ta mposhtim tundimin e ecjes secili në rrugën e vet. Të adhurosh, do të thotë të dalësh nga skllavëria më e madhe, ajo e vetes. Të adhurosh, do të thotë ta vësh Zotin në krye të vendit, për të mos e zënë këtë vend për vete. Do të thotë t’i vësh në rendin e duhur të gjitha sendet, duke e lënë gjithnjë Zotin në vendin e parë. Të adhurosh do të thotë t’i vësh planet e Zotit para planeve tua, para të drejtave, para hapësirave tua. Do të thotë të bësh tëndin mësimin e Shkrimit Shenjt: ‘Do ta adhurosh Zotin, Hyun tënd!’(Mt 4,10). Zotin tënd: ta adhurosh e të ndjesh thellë në shpirt se i përket e të përket. E t’i drejtohesh me ‘ti’ kur je vetëm për vetëm me Të, t’i dhurosh jetën, duke i hapur rrugën për të hyrë në jetët tona. E të bësh që ngushllimi i Tij të dikohet mbi gjithë botën. Të adhurosh do të thotë të zbulosh se për t’u lutur mjafton të thuash: ‘Zoti im e Hyu im!”(Gjn 20, 28) e ta lëshosh ëmbëlsisht veten në krahët e  dashurisë së Tij”.

Kur adhurojmë, i premtojmë Jezusit se do ta ndryshojmë jetën

Të adhurosh - vërejti Papa - do të thotë ta takosh Jezusin, pa marrë me vete edhe listën e kërkesave. Do të thotë të kesh një kërkesë të vetme: të rrish me Të! Kur adhurojmë - shtoi - duhet të lëshohemi plotësisht në dorë të Krishtit, që të mund të na shërojë e të na ndryshojë:

“Duke e adhuruar, i krijojmë Zotit mundësinë të na shndërrojë me dashurinë e Tij, të na i ndriçojë terrinat tona, të na japë forcë në ligështi e guxim në provë. Të adhurosh do të thotë të shkosh tek thelbësorja: do të thotë të ecësh në udhën, që të shkëput nga një mori gjërash të kota”. 

Të adhurosh, do të thotë t’i rizbulosh vëllezërit

Të adhurosh do të thotë të mos e pranosh, çka nuk duhet adhuruar: zotin para, zotin konsum, zotin dëfrim, zotin sukses, zotin vetvete, të lartuar në rang Zoti:

“Të adhurosh do të thotë të bëhesh i vogël para fytyrës së Zotit, për të zbuluar para Tij se jeta nuk është e madhërishme kur ke, por kur do. Të adhurosh do të thotë ta ndjesh veten vëlla e motër me tjetrin përballë misterit të dashurisë, që kapërcen çdo distancë; do të thotë ta thithësh të mirën drejt nga burimi, do të thotë të gjesh në Zotin guximin për t’iu afruar edhe të tjerëve. Të adhurosh do të thotë të dish të heshtësh përpara Fjalës hyjnore, për të mësuar të thuash fjalë, që nuk plagosin, por ngushëllojnë”.

A e adhuroj Zotin?

Françesku nxiti, në përfundim, që secili t’i bëjë vetes këtë pyetje: “A jam i krishterë adhurues?”. Kisha - nënvizoi Papa - duhet të ecë më përpara në lutje e adhurim. Duhet të rritemi në adhurim. Eshtë urti, që duhet mësuar ditë për ditë. Shumë të krishterë, që luten - shtoi - nuk dinë të adhurojnë. Ta gjejmë kohën - porositi në përfundim Françesku - për adhurim në bashkësitë tona. E, ashtu si Tre Mbretërit, do të ndjejmë një gëzim të papërshkrueshëm, të paprovuar para adhurimit të vërtetë!

06 janar 2020, 13:30