Kërko

Memoriali i Paqes në Hiroshimë - Udhëtimi apostolik në Tajlandë e Japoni Memoriali i Paqes në Hiroshimë - Udhëtimi apostolik në Tajlandë e Japoni 

Shpresë, dialog, pajtim dhe kthesë ekologjike: këto, fjalët kyçe të Ditës Botërore të Paqes 2020

Mesazhi i Papës për Ditën e 53-të Botërore të Paqes hapi sot vitin e ri. Shpresë, dialog, pajtim dhe kthesë ekologjike: këto, fjalët kyçe. E përshkojmë tekstin papnor, përmes intervistës me murgeshën ekonomiste, motër Alessandra Smerilli, duke u përqendruar në sfidat e vitit 2020 dhe në disa etapa të rëndësishme të vitit, që lamë pas.

R.SH. - Vatikan

Është dëshirë e jona që, çdo vit, kjo festë të përsëritet si urim dhe si premtim - në fillim të kalendarit, që mat dhe përshkruan rrugën e jetës njerëzore në kohë - që paqja, me ekuilibrin e saj të drejtë dhe të dobishëm, të mbizotërojë në zhvillimin e historisë së ardhshme”. Kështu shkruante Shën Pali VI në Mesazhin, me të cilin themeloi Ditën Botërore të Paqes, duke e kremtuar për herë të parë, më 1 janar 1968, duke i ftuar të gjithë të luten “me një zë e me një zemër, për paqen në botë”. 

Me 1 janar, në fillim të vitit 2020, kremtuam Ditën e 53-të Botërore të Paqes, e shtata e papnisë së Françeskut, i cili, në rrugëtimin e gjatë të këtyre viteve, ka vënë në qendër të vëmendjes së krishterimit, tema të ndryshme si: vëllazërimi, liria, lufta kundër indiferencës e dhunës, migrantët, politika e mirë.

Këtë vit tema e Mesazhit të Papës Françesku është: “Paqja si udhë shprese: dialogu, pajtimi dhe kthesa ekologjike”. Ati i Shenjtë reflekton gjerësisht, duke i nxitur të gjithë drejt kthesës shpirtërore, shoqërore e politike, pa i fshehur pengesat dhe vështirësitë. Paqja është sfidë, është dëshirë e mirë dhe pasuri e çmuar, është premtimi i Zotit, realizuar në historinë e njerëzimit me ardhjen e Jezusit në tokë. Paqja është rruga për t’u ndjekur, përmes ballafaqimit, besimit dhe dialogut; paqja kalon përmes një sistemi ekonomik më të drejtë dhe respektit për shtëpinë tonë të përbashkët.

Në intervistën me motër Alessandra Smerilli, murgeshë e Bijave të Marisë Ndihma e të Krishterëve, profesoreshë e ekonomisë në Fakultetin Papnor të Shkencave të Edukimit “Auxilium”, përshkojmë temat kryesore të tekstit të Papës, në dritën e ngjarjeve të vitit 2019 dhe të sfidave, që na presin gjatë vitit të ri:

Çka më pëlqen në Mesazh është lidhja e paqes me shpresën dhe me udhën, pra, nëse ka shpresë jemi për udhë, nuk ndalemi në vendnumëro, sepse kemi parë diçka. Papa Françesku thotë edhe se shpresa është si një portë, që dua ta kapërcej - e shoh! E pse e shoh, filloj të eci, kam dëshirë ta kaloj. Mendoj për të gjithë ata, që nuk e kanë bërë kurrë përvojën e pritjes për rezultatin e ndonjë konkursi, ose për një punë, ose për ndryshimin e ndonjë situate të vështirë: shpresa na mban zgjuar dhe na bën lëvizim. Pra, në një farë mënyre, është ilaç kundër palëvizshmërisë e ne sot, kemi nevojë të ecim drejt paqes.

Mesazhi na kujton se nëse zgjedhim rrugën e respektit, të besimit dhe të vlerësimit reciprok, mund ta këpusim spiralen e hakmarrjes. Është fjala për vëllazërimin, për të cilin flet shpesh Papa Françesku. Cilat janë etapat e vitit 2019, që mund të na japin shpresë për këtë lloj ardhmërie?

Besoj se një pikë e ndritshme në këtë udhëtim ka qenë sigurisht Deklarata e Abu Dabit, gur kilometrik në udhën e vëllazërimit. Edhe shtegtimi i fundit i Papës Françesku në Japoni dhe Tajlandë ishte çast për t’u ndalur, për të menduar e për të thënë: “disa gjëra nuk duhen përsëritur kurrë më”. Duhet ta shikojmë tjetrin si vëlla, ta pranojmë se jemi bij të të njëjtit Atë Qiellor. Këtu bazohet vëllazërimi ynë, këtu e ka bazën edhe kultura e takimit, për të cilën bën fuqishëm thirrje Papa Françesku.

Mbetet fakti se shpesh, përdoret frika si mjet për ta mbajtur gjendjen nën kontroll, por, në të vërtetë, frika mund të sjellë vetëm konflikte. Në këtë drejtim, cilat janë sfidat dhe problemet, që mund të hasim në të ardhmen?

Kemi parë një varg trazirash këtë vit, në vende të ndryshme të botës: ja pra, frika çon drejt dhunës, sepse çon instinktivisht në vetëmbrojtje e, kështu, secili bën diçka kundër tjetrit. Në vend të kësaj, kemi nevojë ta zgjojmë edhe më shumë ndërgjegjen civile të shumë njerëzve, që, ndoshta, nënshtrohen, por ne nuk jemi në gjendje t’i dëgjojmë në atmosferën e dhunës që përjetojmë, përfshirë mediat. Kam frikë se kjo klimë mund të mbizotërojë, duke shkaktuar reagime iracionale. Shpresa, që më bën të vihem për udhë e të bëj detyrën time, sado të vogël, për këtë, është fakti se ka shumë njerëz, që nuk duan të dorëzohen para kësaj spiraleje dhune, njerëz që duhet të lidhen në rrjet. Shpresa ime për vitin 2020 është që, ashtu si për lëvizjen e Greta Thunberg, që nga një grevë e vetmuar para parlamentit u zgjerua në lëvizje mbarëbotërore më se e dukshme, ashtu të lindë edhe një lëvizje botërore njerëzish, që e ngrenë zërin për të kërkuar paqe e vëllazërim, për të jetuar njëri pranë tjetrit, pa pasur nevojë të urrehemi apo të frikësohemi nga njëri-tjetri.

Papa e lidh fjalën “pajtim” edhe me “kthesën ekologjike”, temë e rëndësishme e vitit 2019, që, siç e thatë ju, mbushi sheshet e botës me protesta për klimën. Sipas jush, cilat janë rezultatet e arritura nga këto manifestime?

 Sigurisht, viti 2019 shënoi një kthesë të rëndësishme. Kur mendoj për ekologjinë, për kthesën ekologjike, për pajtimin me natyrën, bindem se në vitin 2019 u arrit masa kritike: pra, ndodhën ato revolucione, të cilat, si reaksionet bërthamore, kanë nevojë për një masë kritike që të fillojnë. Pasi fillon, reaksioni nuk ndalet kurrë. Ja, në vitin 2019, mbërritëm që, në një kohë të shkurtër, të tërheqim vëmendjen e botës për këto çështje, falë të rinjve që nuk reshtën së ngrituri zërin e, edhe falë Kishës, sepse është një nga zërat e paktë profetikë, që u dëgjuan në këtë fushë – le të mendojmë për Sinodin kushtuar Amazonës; aty ishte pikërisht Kisha. Tani, për vitin 2020, duhet përgjithësuar kjo kthesë, prandaj, e shoh me shpresë takimin që do të zhvillohet në fund të marsit, në Asizi, ku Papa ka ftuar ekonomistë të rinj. Pse është shenjë shprese? Sepse po punojnë së bashku shumë të rritur dhe shumë njerëz të mëdhenj – laureatë të Çmimit Nobel, ekonomistë dhe sipërmarrës të mëdhenj - me të rinjtë, të cilët po përgatiten e do të jenë më se dy mijë nga e gjithë bota. Siç shkruan Papa në ftesën e tij, ata duhet ta ndryshojnë ekonominë aktuale, t’i japin një shpirt ekonomistit të së ardhmes e kjo do të thotë të përjetojmë një ekonomi të pajtuar me Tokën.

Këtë ka ndërmend Papa, kur në Mesazh, flet për “stilet e ndryshme” e për “thjeshtësinë plot gëzim të ndarjes” me të tjerët…

Pikërisht. Meqenëse jam në komitetin organizativ të Asizit, kam mundësi të lexoj letrat, ku të rinjtë shprehin arsyet për të marrë pjesë. Ka disa konstante në to, siç është dëshira për ta jetuar ekonominë si bashkëndarje, dëshira për t’u lidhur në rrjet, që të mos ndihen të izoluar, dëshira për një ekonomi, që nuk lind për shfrytëzim, por për t’i shërbyer njerëzimit, vëllazërimit dhe paqes. Në Asizi, do të ketë edhe një fshat tematik, ku do të trajtohet tema e një ekonomie për paqen.

Në fillim të këtij viti, Papa i beson secilit detyrën për të qenë artizan i paqes. Si mund të bëhet kjo konkretisht?

Mendoj se tema e paqes në nivel botëror është çështje shumë e madhe. Por, besoj edhe se të gjithë mund të bëjnë gjëra të vogla, të cilat, nëse zbatohen, mund të krijojnë ndryshime. Personalisht, prej kohësh, jam impenjuar të vigjëloj mbi mediat shoqërore që të mos ketë asnjëherë fjalë, të cilat nuk kanë të bëjnë me paqen dhe me vëllazërimin. Besoj që, nëse secili prej nesh, para se të shkruajë një postim, të bëjë një koment, ose të reagojë, mendon mirë a i shërben paqes shkrimi i tij apo kontribuon në krijimin e një klime urrejtjeje, kjo do të ishte e mjaftueshme për të krijuar atë atmosferë, që na duhet për të qenë zejtarë-ndërtues të paqes.

01 janar 2020, 17:30