Papa Françesku me pëllumbin e paqes Papa Françesku me pëllumbin e paqes 

Dita botërore e Paqes 2020: udhë shprese

Mesazhi i Papës për Ditën e 53-të Botërore të Paqes hap një vit të ri. Shpresë, dialog, pajtim e kthesë ekologjike, fjalët kyçe. Ta ndjekim tekstin papnor, me sfidat e vitit 2020, që sapo filloi, por edhe me disa etapa të rëndësishme të vitit, që lamë pas shpine.

“Paqja, si udhë shprese: dialogu, pajtimi e kthesa ekologjike” - është tema  e Mesazhit të Papës me rastin e Ditës së 53-të Botërore për Paqen, që kremtohet sot. “Paqja nuk sigurohet - shkruan Françesku - nëse nuk shpresohet”, duke e rigjallëruar thirrjen njerëzore për vëllazërim”.

Paqe në këtë shtëpi!

Duke i nisur për në mision dishepujt e vet, Jezusi u tha atyre: “Në çdo shtëpi, kur të hyni, gjëja e parë që duhet të thoni është ‘paqe në këtë shtëpi!’. Nëse aty ka ndonjë bir paqeje, paqja do të zbresë mbi të, përndryshe do të rikthehet mbi ju” (Lk, 10,5-6). Me këto fjalë, që na i la trashëgim vetë Zoti ynë Jezu Krishti, shkëputur nga Ungjilli i Lukës, nis Mesazhi Papnor për Paqen 2020.

“Shpresa na nxit të ecim në udhën e paqes kujton Papa që në fillim të Mesazhit - ndërsa mosbesimi e frika cënojnë më tej brishtësinë e marrëdhënieve, duke krijuar rrezikun e dhunës”. Prej këndej, ftesa për të qenë artizanë të paqes, gati për dialog, pa përjashtime e manipulime, duke shkuar edhe drejt kthesës ekologjike, që është shikim i ri mbi jetën.

Të shumta, aspektet e prekura nga Françesku në Mesazhin për Ditën e 53-të Botërore të Paqes me temë: “Paqja, parë si udhë shprese: dialogu, pajtimi dhe kthesa ekologjike”, ndarë në shtatë kapituj. Titullohen:  “Paqja qoftë me këtë shtëpi”; “Sfida e politikës së mirë”; “Bamirësia dhe virtytet njerëzore për një politikë në shërbim të të drejtave njerëzore e të paqes”; “Veset e politikës”; “Politika e mirë nxit pjesëmarrjen e të rinjve dhe besimin në tjetrin”; “Jo, luftës e strategjisë së frikës”; “Një projekt i madh  i paqes”.

Shpresa na jep flatra për paqen

“Aspiratë e njerëzimit”, “pikësynim i shpresës sonë”, “pasuri e çmuar”. Kështu e quan Françesku paqen, cak drejt të cilit priremi, ndonëse nuk është aspak i lehtë të arrihet. “Shpresa - shkruan Papa - është virtyt që na vë për udhë, na jep flatra për të fluturuar, edhe kur pengesat  janë të pakapërcyeshme”. Ati i Shenjtë kujton “shenjat e luftës dhe të konflikteve, vulosur “mbi kujtesë e mbi korp”, që vijojnë të godasin posaçërisht më të varfërit e më të ligshtit e edhe tronditjet, “fryt i poshtërimit, i përjashtimit, mortit, padrejtësisë, kërcënimit sistematik kundër popullit tënd e familjes sate”.

Vëllazërimi është thirrja e njerëzimit

Mbarë kombet - lexohet në mesazh - përpiqen të çlirohen nga zinxhirët e shfrytëzimit e të korrupsionit, që ushqejnë urrejtje e dhunë. Sepse kështu  burrat e gratë, fëmijët e pleqtë humbasin dinjitetin, integritetin fizik, lirinë, duke përfshirë edhe atë fetare. “Çdo luftë - shkruan Papa - s’është tjetër, veçse vëllavrasje, që  rrënon gjithçka, edhe projektin e vëllazërimit, për të cilin u krijua familja njerëzore. Françesku nuk mjaftohet t’i dënojë luftërat, por shpjegon edhe arsyet e tyre, duke kujtuar se shpesh lindin nga mospranimi i ndryshimeve të tjetrit, gjë që ngjall dëshirën për ta nënshtruar tjetrin e për ta sunduar”.

Degjenerimi dhe shpërdorimi i pushtetit

Lufta buron nga zemra e njeriut, e ndotur nga egoizmi, nga fodullëku, nga urrejtja për tjetrin, që i duket “fytyrë e ndyrë”, prej këndej, për t’u zhdukur nga faqja e dheut. Është fryt i çoroditjes së marrëdhënieve, ambicieve  për hegjemoni, shpërdorimit të pushtetit, frikës e mosbesimit nga tjetri, që shikohet si pengesë. Duke kujtuar fjalët e shqiptuara në Japoni, Françesku nënvizon se “paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk mund të pajtohen me asnjë përpjekje për të ndërtuar mbi frikën dhe shkatërrimin reciprok, ose mbi kërcënimin e zhdukjes së plotë të botës e të njerëzimit. Paqja dhe stabiliteti lindin vetëm nga etika globale e solidaritetit dhe e bashkëpunimit”.

Politika, që vihet në shërbim të të drejtave njerëzore dhe të paqes

Në mesazh, Papa ndalet edhe tek bamirësia dhe virtytet njerëzore, të domosdoshme për një politikë, që vihet në shërbim të të drejtave dhe të paqes. Në vijim, programi për t’u ndjekur nga politikanët, të cilët  duan të punojnë për të mirën e familjes njerëzore dhe virtytet që duhet të ketë një politikan i mirë, apo “Lumnitë” e propozuara nga kardinali vietnamez François-Xavier Nguên Vân Thuân, vdekur në vitin 2002, “si dëshmitar besnik i Ungjillit” pasi kishte kaluar vite e vite burgimi e persekutimesh: 

Lum politikani, thellësisht i vetëdijshëm për rolin e vet!

Lum politikani, që frymëzon besim;

Lum politikani, që punon për të mirën e përbashkët e jo për interesin e vet;

Lum politikani, që e kryen me besnikëri të patundur, detyrën e besuar;

Lum politikani, që realizon unitetin;

Lum politikani, që angazhohet për realizimin e ndryshimeve rrënjësore;

Lum politikani, që di të dëgjojë;

Lum politikani, që nuk i tutet syri!

Vëllazërimi lind dialog e besim

“Mosbesimi dhe frika i bëjnë më të brishta marrëdhëniet dhe thellojnë rrezikun e dhunës, duke krijuar një rreth vicioz, që nuk mund të çojë kurrë në krijimin e marrëdhënieve paqësore. Në këtë kuptim, as përdorimi i armëve bërthamore nuk mund të krijojë iluzionin e sigurisë. Çfarë rruge duket përshkuar, atëhere? Duke i dhënë fund dinamikës së mosbesimit?  Duhet ndjekur - vë në dukje Papa në Mesazh - rruga e vëllazërimit të  vërtetë, e kontrolluar prej origjinës së përbashkët nga Zoti dhe e ushtruar me dialog e besim reciprok. Dëshira për paqen është e shkruar në thellësi të zemrës së njeriut e nuk duhet të dorëzohemi përpara asgjëje, që nuk  përkon me të.

Kujtimi i së kaluarës, për ardhmërinë me paqe

“Kujtesa është horizonti i shpresës; shpesh herë në errësirën e luftërave e të konflikteve, të kujtosh qoftë edhe një gjest të vogël solidariteti,  mund të të ngjallë frymëzim për marrjen e vendimeve të guximshme e madje, edhe heroike, mund të ngjallë energji të reja e të rindezë shpresën në gjirin e njerëzve të veçantë e të bashkësive”. Duke folur për këtë, Françesku kujton takimin e tij thellësisht prekës me Hibakusha-t, të mbijetuarit nga bombardimet atomike të Hiroshimës e Nagasakit, të cilët akoma sot  dëshmojë tmerrin e së kaluarës, për të garantuar ndërtimin e një ardhmërie “më të drejtë e më vëllazërore”. Kujtesa, në të vërtetë, është “rrënjë” edhe “gjurmë” për rrugët e sotme dhe të ardhshme të paqes.

Paqja, sfidë që lind nga zemra

Kështu, “ta hapësh e ta përshkosh udhën e paqes është sfidë, që bëhet gjithnjë më e ndërlikuar, në vartësi të interesave në lojë  ndërmjet njerëzve, bashkësive e kombeve, që janë shumë kontradiktore”. Prej këndej niset thirrja e Papës “drejtuar ndërgjegjes morale dhe vullnetit personal e politik”, sepse paqja lind në zemrën njerëzore e vullneti politik duhet gjallëruar vazhdimisht, për të hapur procese të reja, që i pajtojnë njerëzit e bashkësitë”

Artizanë të paqes

Françesku përdor figurën e një ndërtese, që duhet ngritur, për të përkufizuar paqen: një udhë për t’u bërë së bashku për kërkimin e së mirës së përbashkët, për të mbajtur fjalën e dhënë e për të respektuar të drejtën. “Bota - shpjegon Françesku - nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për dëshmitarë të bindur, artizanë të paqes, të gatshëm për dialog pa përjashtime e pa manipulime”. Udha për t’u përshkuar është ballafaqimi, angazhimi për të kërkuar të vërtetën, përtej ideologjive të ndryshme, duke u përpjekur të shtohet nderimi për tjetrin deri në atë pikë, sa të shikosh vëllain, në fytyrën e armikut. Punë durimtare, “që ngjall shpresë më të fortë se hakmarrja e që mund të zgjojë në shpirtin e njeriut mëshirë e solidaritet krijues”. Kisha, me kujtesën e Krishtit, merr pjesë në kërkimin  e një rendi të drejtë, duke i shërbyer së mirës së përbashkët.

Falja na bën vëllezër

Françesku i fton të gjithë t’i japin fund dëshirës “për t’i sunduar të tjerët” e i nxit ta shikojnë njëri-tjetrin “si njerëz, si bij të Zotit, si vëllezër”. Duke ecur në këtë rrugë, mund t’i jepet fund spirales së dhunës e të hapet udha e shpresës. Të jetojmë duke falur, do të thotë të bëhemi gra e burra të paqes. Paqja e vërtetë kalon përmes një sistemi ekonomik më të drejtë, siç nënvizonte Benedikti XVI dhjetë vjet më parë, në Enciklikën “Caritas in veritate”, duke propozuar forma veprimtarish ekonomike “që karakterizohen nga bamirësia e nga bashkimi”.

Kthesa ekologjike, shikim i ri mbi jetën

E duke kujtuar enciklikën “Lëvduar qofsh” Papa flet për kthesë ekologjike, përballë pasojave të armiqësisë sonë kundër të tjerëve, mungesës së respektit për shtëpinë e përbashkët dhe shfrytëzimit abuziv të pasurive natyrore, parë si mjet i përshtatshëm vetëm për fitimet e sotme, pa respektuar bashkësitë vendase, të mirën e përbashkët  e natyrën.

“Udha, që nisi me Sinodin e Amazonës, është nxitje për të krijuar marrëdhënie  paqësore ndërmjet bashkësive e tokës, së sotmes e kujtesës, përvojës e shpresave. Udhë e shtruar nga dëgjimi e kundrimi i dhuratës së Zotit, që të çon drejt tjetrit, për t’u kujdesur për të mirën  e përbashkët të të gjithë familjes njerëzore”. “Kthesa ekologjike, për të cilën bëjmë thirrje  - shkruan Papa - na nxit për ta parë jetën me sy të rinj, për të parë, kështu, bujarinë e Krijuesit, që na dhuroi Tokën e na kujton se duhet të jetojmë  thjeshtë, duke ndarë bashkë gjithçka krijoi e duke i lënë të spikasin të gjitha pasojat e takimit me Jezusin në marrëdhëniet me botën”.

Paqja, fryt i një projekti të madh politik

Paqja është fryt i një projekti të madh politik, që bazohet mbi përgjegjësinë reciproke dhe ndërvartësinë e qenieve njerëzore. Por është edhe sfidë. Ndaj kërkon të pranohet ditë për ditë. Paqja, kthesë e zemrës, e shpirtit ka tri përmasa kryesore:

“Paqe me veten, duke refuzuar papajtueshmërinë, zemërimin, padurimin e, siç këshillonte Shën Françesku i Sales, duke u sjellë sadopak ëmbëlsisht me vetveten, për t’ia ofruar, pastaj, këtë ëmbëlsi edhe të tjerëve;

Paqe me tjetrin: me familjarin, mikun, të huajin, të varfërin, të vuajturin… duke u takuar me të e duke  dëgjuar mesazhin që sjell me vete;

Paqe me gjithësinë, duke zbuluar madhështinë e dhuratës së Zotit e përgjegjësinë, që i takon secilit nga ne, si banor i botës, qytetar e aktor i së ardhmes!

Politika e paqes, që i njeh mirë ligështitë njerëzore dhe i bën të vetat, mund të frymëzohet gjithnjë nga Magnificat, që Maria, Nëna e Krishtit Shëlbues  e Mbretëreshë e Paqes, e këndon në emër të të gjithë njerëzve:

 “… Punë të mëdha kreu i Gjithëpushtetshmi në mua,

e emri i tij është Shenjt:

 brezni pas breznie mëshira e tij

shtrihet mbi ata që i druhen.

E shpalosi fuqinë e krahut të vet,

i humbi madhështorët në dëshira të zemrave të tyre;

i përmbysi të pushtetshmit nga fronet

lartoi të përvuajturit.

 Me të mira përplot i mbushi të uriturit,

duar-thatë të pasurit i nisi.

 Ashtu si u pati premtuar etërve tanë,

Abrahamit e pasardhësve të tij,

për jetë të jetës”.

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2018

01 janar 2020, 11:20