Kërko

Video e Papës për ndjetin e lutjes së dhjetorit: çdo fëmijë, që vuan, është britmë drejt Zotit

Në “Videon e Papës” për muajin dhjetor, Ati i Shenjtë flet për të rinjtë e për fëmijët, duke u kërkuar të gjitha vendeve të botës të marrin masa që e ardhmja e tyre të konsiderohet përparësi.

R.SH. - Vatikan

U paraqit sot videoja e Papës, me të cilën Ati i Shenjtë njofton ndjetin e tij të lutjes për muajin dhjetor. U kushtohet fëmijëve, që kanë përpara një të ardhme të pasigurt, sidomos atyre, që vuajnë nga shkaqe të ndryshme. Françesku thekson se “çdo fëmijë i mënjanuar, çdo fëmijë i keqtrajtuar, çdo fëmijë i braktisur, çdo fëmijë pa shkollë, pa mjekim, është britmë, që lartohet drejt Zotit”.

Më se 400 milion fëmijë jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë

         Lutja e Papës e gjen botën në një gjendje të vështirë. Sipas raporteve të vitit 2016 dhe 2017 mbi Gjendjen Botërore të Fëmijëve, vajzat dhe djemtë e vegjël përbëjnë gati gjysmën e 900 milion njerëzve, që mbijetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Gjithashtu, në vitin 2014, studimet treguan se rreth 160 milion prej tyre kanë vonesa në zhvillim. Përsa i përket shkollarizimit, megjithëse janë arritur objektiva të rëndësishme në regjistrimin e fëmijëve në shkollë, mbeten akoma rreth 124 milion prej tyre, që nuk frekuentojnë asnjë institucion arsimor, sidomos në vendet, ku vijojnë konfliktet e armatosura. Fatkeqësisht, rreth 250 milion fëmijë e të rinj jetojnë pikërisht në këto zona, gjë që u kompromenton të ardhmen.

Të merren masa për të ardhmen e fëmijëve

         Prandaj, Ati i Shenjtë i fton të gjithë të krishterët, përmes kësaj videoje, publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, të luten që “çdo vend të marrë masat e nevojshme, që e ardhmja e fëmijëve të kthehet në përparësi”. Gjithashtu, kërkon që secili të punojë për këtë në jetën e përditshme, sipas përgjegjësive që ka, pavarësisht se mund të duken të pakta.

         Për këtë, mjafton të kujtojmë fjalët e Papës Françesku drejtuar familjeve: “Më thuaj, o zotëri apo zonjë, a luan ti me fëmijët? – Po si o atë? – A e humbet kohën me fëmijët? A luan me ta? – Po jo se… kur dal nga shtëpia, në mëngjes herët – më thotë burri – akoma flenë e kur kthehem, janë në shtrat tashmë. Edhe dhurimi falas, ajo loja e nënës dhe e babait me fëmijët, është shumë e rëndësishme: kalojeni kohën me fëmijët, luani me ta… Sa herë braktiset një fëmijë e mënjanohet një i moshuar, bëhet jo vetëm një akt padrejtësie, por sanksionohet edhe dështimi i asaj shoqërie”.

Në çdo fëmijë, të shohim Krishtin

         Në Videon e Papës, Françesku shton se në secilin prej këtyre fëmijëve “është Krishti, ardhur në këtë botë si foshnjë e pambrojtur”. Ndihma, shmangia e vuajtjes së tyre dhe dhënia e mundësive për ta, është një mënyrë për të mos ua këputur rrënjët, për të mos ua errësuar të ardhmen, sepse “është Krishti, që na sheh përmes secilit prej atyre fëmijëve”.

         Pra, të lutemi e të veprojmë “që çdo vend të vendosë për të marrë masat e nevojshme që e ardhmja e fëmijëve, sidomos e atyre që vuajnë, të kthehet në përparësi”, sepse siç kujton Papa në një rast tjetër, fëmijët “janë e tashmja”.

05 dhjetor 2019, 16:00