Papa, në audiencën e përgjithshme Papa, në audiencën e përgjithshme 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Nga katekizmi i audiencës së përgjithshme të së mërkurës, në "reskriptet" e së martës,me të cilat Papa Françesku shfuqizon sekretin papnor për abuzimet seksuale e në kremtimet e ardhshme me rastin e shtegtimit të madh të polakëve në Romë, për 100-vjetorin e lindjes së Shën Gjon Palit II: një javë me Papën e Kishën nëpër botë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku në audiencë: “Bëjeni gjithnjë një Betlehem të vogël në shtëpi”

Një javë para Krishtlindjes, Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, 18 dhjetor, Shpellës së Betlehemit, duke i ftuar të gjithë besimtarët ta ndërtojnë gjithnjë në shtëpinë e tyre. E tregoi historinë e një Betlehemi të veçantë, që pati marrë dhuratë, ku, me ëmbëlsi, shkruhej: “Ta lemë nënën të pushojë”.

“Kur bëjmë Shpellën e Betlehemit në shtëpi, është si ta hapim derën e të themi: “Eja, o Jezus”. Është afërsi, ftesë që Jezusi të hyjë në jetën tonë. Nëse Ai banon në ne, rilindim. Atëherë, vërtet është Krishtlindje”. Këto janë fjalët e fundit, që Papa i shqiptoi pa letër në Sallën Pali VI, para 7 mijë besimtarëve. Papa u kthye idealisht në Greccio, ku Shën Françesku krijoi Betlehemin e parë me njerëz dhe ku vetë Ati i Shenjtë nënshkroi Letrën apostolike “Admirabile signum”, kushtuar shpellës ku lindi Foshnja Hyjnore.

Papa Françesku, refugjatëve: “problemi nuk zgjidhet duke bllokuar anijet”

“Si të mos e dëgjojmë thirrjen e dëshpëruar të kaq shumë vëllezërve dhe motrave, që preferojnë më mirë të përballen me një det të stuhishëm, sesa të vdesin ngadalë në kampet e paraburgimit në Libi, vende torturash dhe skllavërie të përçmuar?”. Kjo ishte e para nga një sërë pyetjesh, me të cilat Papa Françesku përfundoi fjalimin e tij për refugjatët, ardhur kohët e fundit nga ishulli grek i Lesbos, përmes korridoreve humanitare. Ati i Shenjtë i takoi të enjten e kaluar, 19 dhjetor, në Vatikan.  “Si mund të qëndrojmë indiferentë para abuzimeve dhe dhunës kundër këtyre viktimave të pafajshme, duke i lënë në mëshirën e trafikantëve të paskrupull?”, vazhdoi Papa. “Plogështia jonë është mëkat!”, paralajmëroi Françesku.

“Duhet të impenjohemi seriozisht për të zbrazur kampet e paraburgimit në Libi, duke vlerësuar e zbatuar të gjitha zgjidhjet e mundshme. Duhen denoncuar dhe ndjekur penalisht trafikantët, që shfrytëzojnë dhe keqtrajtojnë migrantët, pa pasur frikë se zbulohen bashkëpunimet e tyre me institucionet. Duhen lënë mënjanë interesat ekonomike për të vënë në qendër njeriun, çdo njeri, jeta dhe dinjiteti i të cilit janë të çmuara në sytë e Zotit”, përfundoi Ati i Shenjtë.

Papa Françesku shfuqizon sekretin papnor për abuzimet seksuale

 Me një “reskript”, të martën, 17 dhjetor, Papa shfuqizoi sekretin papnor për abuzimet e anëtarëve të klerit në dëm të të miturve. Tani e tutje, dokumentet e këtyre çështjeve mund t’u transmetohen autoriteteve civile, nëse i kërkojnë. Mbetet, ndërkaq, sekreti zyrtar, për të garantuar “sigurinë, integritetin dhe konfidencialitetin” e fazave të ndryshme të procesit, si edhe “mbrojtjen e reputacionit të mirë, të imazhit dhe të jetës private të njerëzve të përfshirë” në çështje të tilla. Pra, dokumentet u transmetohen autoriteteve, por nuk bëhen publike. Masave kundër abuzimit me të miturit nga ana e anëtarëve të klerit, Papa Françesku i ka kushtuar edhe Motu proprio-n “Vos estis lux mundi”, shpallur më 7 maj 2019.

Me një “reskript” të dytë, po të martën, u bënë të njohura edhe ndryshimet në tre nene të Motu Proprio-s “Sacramentorum sanctitatis tutela”. Sipas tij, konsiderohet krim i rëndë, për t’u gjykuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, “blerja, ose mbajtja, ose përhapja e imazheve pornografike me të mitur nën moshën 18 vjeç, nga ana e një kleriku, për qëllime epshore, në çfarëdo mënyre dhe me çdo lloj mjeti”. Deri më sot, ky kufi ishte fiksuar në 14 vjeç.

Papa Françesku dhe Polonia kujtojnë Shën Gjon Pali II në përvjetorin e lindjes

“I ftoj të gjithë të marrin pjesë, më 17 maj, në liturgjinë solemne eukaristike, kryesuar nga Papa në Vatikan, kremtuar me rastin e shtegtimit të madh për 100-vjetorin e lindjes së Shën Gjon Palit II”: njoftimi u dha nga imzot Stanisław Gadecki, kryetari i ipeshkvijve polakë. Karol Wojtyla lindi në 18 maj 1920 në Wadowice. Imzot Gadecki sqaroi se i kërkoi Papës ta kremtojë meshën më 17 maj, “sepse është e diel e do të jenë në gjendje të marrin pjesë më shumë njerëz”. Kryeipeshkvi Artur Miziński, sekretar i përgjithshëm i ipeshkvijve polakë, duke folur për kremtimet e 100-vjetorit të lindjes së Gjon Palit II, njoftoi se Konferenca Ipeshkvnore do të botojë një mesazh të veçantë për besimtarët me atë rast, ku do të nënvizohet aktualiteti i magjisterit të Papës Wojtyla .

Ekumenizëm: “N’kolli është shenjt i Kishës së pandarë. Bari, simbol i dëshirës së Jezusit”

“Shën N’kolli është shenjt i Kishës së pastër, Kishës së pandarë, prandaj, Pajtori ynë na nxit ta bëjmë tonën dëshirën e Jezusit për të qenë ‘një Kishë e vetme, që bota të besojë’”. Atë Giovanni Distante, epror i Bazilikës së Shën N’kollit të Barit, është i sigurt se shenjti i Mirës i bashkon popujt dhe njerëzit. Kishat e krishtera, që ndjekin kalendarin gregorian e festuan më 6 dhjetor, por ato që ndjekin kalendarin julian, e festuan javën e kaluar, më 19 dhjetor. E nga Lindja, erdhën për ta kremtuar këtë festë në Bari të Italisë.

Kulmi i saj u arrit me liturgjinë hyjnore, kremtuar në Bazilikën bareze nga metropoliti Hilarion Alfeev, Kryetar i departamentit të Patriarkanës së Moskës për Marrëdhëniet me Jashtë: “Këtu, në emër të Shën N’kollit, mund të jemi ‘një Kishë e vetme’ e Krishtit - pohoi eprori në përfundim të liturgjisë. - E çdo vit gëzimi i pritjes së shtegtarëve rusë në këtë vend bëhet gjithnjë më i madh, sepse shenjti hyn në shpirtin e të gjithëve”. Atë Distante kujton më pas se Bari “është vend i kultit të Shën N’kollit”. Mbërrijnë nga Lindja e Perëndimi, për t’u lutur mbi varrin e shenjtit, veçanërisht këto ditë. Në Bari arrijnë gjithnjë e më shumë rusë, sepse aty kanë Pajtorin e tyre. Ky vend është ëndrra e tyre e madhe, sepse që në fëmijëri dëshirojnë të vijnë në shtegtim në Bazilikën e Shën N’kollit, për t’u lutur e për ta nderuar shenjtin”.

22 dhjetor 2019, 09:14