Kërko

Manifestim për të drejtat e njeriut Manifestim për të drejtat e njeriut 

Të drejtat e njeriut. Papa: “Njeriu është gjithnjë i shenjtë e i padhunueshëm”

Një nga tweet-et e sotme të Papës Françesku në faqen e tij @Pontifex i kushtohet Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, 71 vite pas Deklaratës Universale të OKB-së. Mbi hapat e bëra deri tani në fushën e të drejtave të njeriut, intervista jonë me Riccardo Noury, zëdhënësi i Amnesty International në Itali.

R.SH. - Vatikan

“Qenia njerëzore – lexohet në tweet-in e Papës Françesku - është gjithmonë e shenjtë dhe e pacënueshme, në çdo situatë dhe në çdo fazë të zhvillimit të saj. Nëse bie kjo bindje, nuk mbeten më baza të qëndrueshme dhe të përhershme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut #DirittiUmani”. Thirrjet e Papës për të mbrojtur dinjitetin e më të brishtëve kudo në botë kanë qenë dhe janë të shumta, siç komenton për Radio Vatikanin-Vatican News, Riccardo Noury, zëdhënës i Amnesty International në Itali. “Mendoj se Papa e ka mbështetur fuqimisht çështjen e të drejtave të njeriut, është zë me autoritet e i fuqishëm, aleat i asaj bote, që përbëhet nga shoqata të vogla dhe të mëdha burrash e grash, të cilat impenjohen çdo ditë”.

Tema: “Rinia mobilizohet për të drejtat e njeriut”

Në vazhdën e 30-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, kremtimet e së cilës arritën kulmin më 20 nëntor, edhe Dita e sotme Botërore vë në qendër të vëmendjes potencialin e të rinjve si veprimtarë të ndryshimit. Në një videomesazh, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara fton të mbështeten të rinjtë, që mobilizohen për të drejtën e së ardhmes në paqe, drejtësi dhe mundësi të barabarta. “Kudo në botë, të rinjtë dalin në rrugë, organizohen vetë, prononcohen: për të drejtën e një ambienti të shëndetshëm, për të drejta të barabarta për gratë dhe vajzat, për të marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes dhe për të shprehur lirisht mendimet e tyre. Çdo njeri - thekson António Guterres në videomesazh - duhet të gëzojë të drejtat qytetare, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore, pavarësisht nga vendi, raca, grupi etnik, feja, origjina shoqërore, gjinia, orientimi seksual, mendimet politike apo të një lloji tjetër, pavarësisht nga aftësia e kufizuar,  të ardhurat, ose nga ndonjë status tjetër”.

Më të brishtët

“Të miturit janë akoma në kushte të këqija, veçanërisht në kuadrin e konflikteve”, thekson Noury, duke kujtuar cilat janë “tri krizat e mëdha të kësaj periudhe”: konfliktet, refugjatët, ndryshimi i klimës. “Janë kriza, ku, si gjithmonë, ata që nuk kanë asnjë faj vuajnë më shumë: në mesin e tyre ka fëmijë, gra, pakica dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, të cilët përpiqen ta pengojnë këtë rrjedhë shtypëse dhe këto politika të mohimit të të drejtave të njeriut. Jemi të shqetësuar sidomos për ç’po ndodh në Lindjen e Mesme, ku shohim një politikë vrastare”.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut ka akoma udhë për të bërë

“Mbetet për t’u bërë shumë më tepër nga sa është bërë”, pohon Noury. “Është e vërtetë që mbrojtja e të drejtave të njeriut po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, është e vërtetë që e drejta ndërkombëtare, duke filluar nga viti 1948, është zhvilluar e, megjithatë, nëse shohim zbatimin në realitet të tridhjetë neneve të Deklaratës Universale, vërejmë qartë se shumica e banorëve të këtij planeti nuk i kanë ato të drejta. Mendoj në veçanti për ato ekonomike dhe shoqërore”.

Rruga është e gjatë por “ka një mobilizim të madh nga poshtë, nga shoqëria civile, në shumë vende, sidomos aty ku ka protesta masive - inkurajon zëdhënësi i Amnesty International, duke menduar për Iranin, Irakun, Libanin, Kilin, Hong Kongun...”. E përfundon: “Edhe në Evropë e vërejmë këtë zgjim të atyre, që ndiejnë nevojën urgjente për ta kundërshtuar atmosferën përçarëse të urrejtjes, gjithnjë e më depërtuese në kontinentin tonë”.

10 dhjetor 2019, 15:07