Kërko

Vatican News
Zoja e Papërlyer në Sheshin e Spanjës Zoja e Papërlyer në Sheshin e Spanjës 

Të dielën, nderimi i Papës Françesku për Zojën, në Sheshin e Spanjës

Në ditën e 8 dhjetorit, sipas traditës, Papa do të lutet në këmbët e kolonës, që mban shtatoren e Zojës, në Sheshin romak të Spanjës. Të pranishëm në shesh, edhe françeskanët e Bazilikës së 12 Shenjtorëve Apostuj.

R.SH. - Vatikan

Të dielën, më 8 dhjetor, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, Papa Françesku do të shkojë për homazhe në Sheshin Mignanelli, ngjitur me Sheshin romak të Spanjës, e do të lutet tek këmbët e Zojës, që lartohet mbi sheshin, nga maja e shtyllës, ku është vendosur. Traditë, e cila përsëritet që nga viti 1953, në një kremtim, që dëshmon marrëdhëniet e veçanta të ipeshkvit të Romës me qytetin e tij. Françesku do të arrijë në orën 16.00 dhe do të pritet nga kardinali vikar Angelo De Donatis, së bashku me autoritetet civile. Pastaj, Papa do të lutet para monumentit dhe do të lërë lule në bazën e shtyllës.

Festa e qytetit

Të shumta, grupet dhe organizatat e romakëve, që do të bëjnë homazhe tek Zoja. Françeskanët e Bazilikës së 12 Shenjtorëve Apostuj do të kujdesen për mikpritjen gjatë gjithë ditës, e cila do të gjallërohet me këngë dhe lutje. Edhe françeskanët do të çojnë një kurorë me lule për Zojën. Pas shtyllës, do të vendosen meshtarë të gatshëm për të dëgjuar rrëfimet, së bashku me studentët e Seraphicum, me grupin e ungjillëzuesve të rrugës “Zgjimi” françeskan dhe disa laikë nga “Militia e Zojës së Papërlyer”, themeluar nga Shën Maksimilian Kolbe.

Nëntëshja në Bazilikën e 12 Shenjtorëve Apostuj

         Në Bazilikën e 12 Shenjtorëve Apostuj, këto ditë, në orën 18.30, po mbahet nëntëshja më e lashtë kushtuar Zojës së Papërlyer në Romë. Më 2 dhjetor, lutja u kryesua nga kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Në ditët në vijim deri të shtunën, kremtojnë kardinaj të tjerë.

03 dhjetor 2019, 17:26