Kërko

Bekimi i shtatoreve të Krishtit Fëmijë Bekimi i shtatoreve të Krishtit Fëmijë 

Sot, në Shën Pjetër, Bekimi i shtatoreve të Krishtit fëmijë, në duar fëmijësh

Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, bekoi shtatoret e vogla të Krishtit Fëmijë, që do të vendosen në mesnatën e Solemnitetit, në Shpellat e Betlehemit. Mijëra duar, me Foshnjën Hyjnore, lartoheshin kah dritarja e Engjëllit, prej nga zbriste bekimi. Ngjarja, realizuar për herë të parë nga Qendra e Oratoreve Romake, sivjet mbushi një gjysëm shekulli. Në vitin 1969 qe Pali VI ai që e nisi këtë zakon, i cili u përhap më pas në mbarë botën.

R. SH. - Vatikan

Sheshi i Shën Pjetrit sot ishte skenë e një ngjarjeje jashtëzakonisht prekëse, që përsëritet që prej një gjysëm shekulli në të Dielën III të Kohës së Ardhjes. Në qendër të kësaj skene, stolisur për festë, Foshnja e Betlehemit, të cilën mijëra të rinj e fëmijë e shtrëngonin në duar, në pritje që t’ua bekonte Papa, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Takim ky, që tashmë është bërë zakon edhe për shumë dioqeza e famulli në Itali e në botë: nga Milano, në Palermo; nga Britania e Madhe, në SHBA-të, mijëra famullitarë e meshtarë sot bekuan shtatoret e Krishtit Fëmijë, në bashkim me Atin e Shenjtë.

Pali VI, Papa i parë që i bekoi shtatoret e Krishtit Fëmijë në Sheshin e Shën Pjetrit

Traditën e bekimit të shtatoreve të Krishtit Fëmijë, themeluar nga Qendra e Oratoreve Romake, e nisi së pari Pali VI, më 21 dhjetor të vitit 1969. Fjalimi i tij, shqiptuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot, iu kushtua i tëri  pikërisht Shpellës së Betlehemit:

 “Ajo - pati thënë me këtë rast Papa Shenjt - e gjallëron kujtimin e ngjarjes së madhe, lindjes së Krishtit, Shëlbuesit, Birit të Zotit, që zbret mes nesh; bëhet kështu, skenë ungjillore, mësim për shpirtin e krishterë, mesazh e zakon. Kush ngrohet pranë Shpellës, si pranë një vatre dashurie të mirë e të pastër, ndjen si i ndriçohen të gjitha problemet e aventurës, jetës së tij mbi tokë”.

Këto, fjalët e Palit VI, që vijojnë të tingëllojnë aktuale edhe pasi kanë kaluar 50-vjet nga dita kur u shqiptuan.

Mesha me kardinalin Comastri

Fëmijët e të rinjtë u mblodhën në zemër të Sheshit të madh, me pamje festive, që në orën 08.30, për të kaluar ca çaste kundruese rreth Shpellës së Betlehemit dhe Bredhit të Krishtlindjes. Në orën 10.00 ishin në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku ndoqën Meshën, kremtuar nga kardinali Comastri, mëkëmbës i Papës Françesku për Qytetin e Vatikanit. E, pas Meshës, përsëri në Shesh, në pritje të Papës Françesku, që i bekoi mijëra shtatoret, në një atmosferë të vërtetë festive, duke iu drejtuar fëmijëve dhe të rinjve me fjalët:

“Ju përshëndes ju, të dashur, që erdhët me shtatoret e Krishtit Fëmijë për Shpellat tuaja të Betlehemit. I bekoj me gjithë zemër. Siç e kujtoj në Letrën Admirabile signum, Shpella e Betlehemit është si Ungjill i gjallë. Ndërsa kundrojmë skenën e Krishtlindjes, jemi të ftuar të vihemi shpirtërisht për udhë, të joshur nga përvujtëria e Atij, që u bë njeri, për të takuar çdo njeri. E zbulojmë, kështu, se Ai na do deri në atë pikë, sa të bashkohet me ne, që edhe ne të mund të bëhemi një gjë e vetme me Të”.

Jezusi lind për të gjithë

Ndjehej fort Krishtlindja sot, në Sheshin e madh, të ndriçuar nga dielli, pas kaq ditësh të zymta, me shi. Duke u kujtuar të gjithëve - por sidomos fëmijëve - se Krishti lind përsëri për secilin prej nesh! Se vjen të na takojë,  në çdo vend a situatë që të gjindemi. Jezusi lind për të gjithë, e kjo është ftesë e madhe për gëzim!”.

15 dhjetor 2019, 14:13