Papa Francesco kremton Meshën e Krishtlindjes 2018: në lutje para Zojës. Papa Francesco kremton Meshën e Krishtlindjes 2018: në lutje para Zojës.  

Sonte, Mesha e Natës së Këshndellave, me Papën Françesku

Sonte, duke nisur nga ora 21.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku do të kryesojë Meshën e Natës së Krishtlindjes, që do të transmetohet në Mondovizion. Është takimi i parë e më i rëndësishëm i këtyre ditëve, kur mbarë bota e krishterë është në festë, me Papën.

R. SH. - Vatikan

Do të nisë me procesionin e hyrjes, ky kremtim prekës. Më pas Françesku do të zbulojë e do të puthë shtatoren e Krishtit Fëmijë, vendosur para altarit: gjesti i parë i Meshës të Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, që Papa do ta kremtojë sonte, duke nisur nga ora 21.30, me trasmetim drejtpërdrejt në Mondovizion. E do të jetë një nga kremtimet më të rëndësishme të këtyre ditëve, me Françeskun.

Në homelinë e 2018-ës: “Zoti bëhet i vogël, për të qenë shujta jonë”

Në homelinë e 2018-tës Papa u  pati kujtuar besimtarëve:

“Në Betlehem zbulojmë se Zoti nuk është ai, që merr jetë, po Ai që jep jetë. Njeriut, të mësuar që në zanafillë të marrë e të hajë, Jezusi nis e i thotë: ‘Merreni e hajeni. Ky është Korpi im!’. Trupthi i Ferishtes së Betlehemit na tregon një model të ri jete, duke na ftuar të mos grabisim, të mos synojmë vetëm fitimin, por ta ndajmë e ta dhurojmë gjithçka. Zoti bëhet i vogël, për të qenë shujta jonë. Duke u ushqyer me të, Bukë e jetës, mund të rilindemi në dashuri e ta copëtojmë spiralen e lakmisë  e të pangopësisë”.

Barinjtë e Betlehemit, pasi e panë Krishtin, edhe pse nuk ishin specialistë të fjalës, ngarendën ta kumtonin. Të presësh zgjuar, të shkosh, të rrezikosh, të tregosh bukurinë, janë gjeste dashurie. Të shkojmë, pra, deri në Betlehem (Lk 2,15), kështu thanë e bënë barinjtë. Edhe ne, o Zot, duam të vijmë në Betlehem. Udha, edhe sot, është e rrëpirtë: duhet të kapërcejmë majat e egoizmit, të ruhemi nga shkarja në greminat e mendësisë së botës e të konsumizmit e nga hendeqet e mohimit…

Lutje në arabisht, frëngjisht, kinezçe, portugalisht e swahili

Lutjet e besimtarëve do të shqiptohen në pesë gjuhë. Në përfundim të Meshës, Papa do ta mbartë me procession  shtatoren e Krishtit Fëmijë deri tek Shpella e Betlehemit e Bazilikës së Vatikanit, i shoqëruar nga 12 fëmijë të vegjël, ardhur nga mbarë bota, ngarkuar me lulet e viseve të tyre, si dhuratë për Mikun e zemrës, që vjen sonte mes tyre. Një diakon do ta vendosë Krishtin Fëmijë në grazhdin e Shpellës së Betlehemit, ndërsa Papa do të gjunjëzohet në lutje.

Nesër, Mesazhi i Krishtlindjes

Në orën 12.00, nga lozha qëndrore e Bazilikës, Papa Françesku do t’u drejtojë mesazhin e Krishtlindjes  besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe të gjithë atyre, që do ta ndjekin përmes radios e televizionit e, më pas, do të japë bekimin apostolik “Urbi et Orbi” - “Romës dhe Botës”.

Engjëlli i Tënzot, në Festën e Shën Shtjefnit dhe në atë të Familjes Shenjte

Më 26 dhjetor, festa e Shën Shtjefnit, martirit të parë, në orën 12.00, Papa do të kremtojë lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios së Pallatit Apostolik. Do të rikthehet përsëri në dritaren e Engjëllit, për t’u lutur me besimtarët e mbledhur në Shesh, të diel, 29 dhjetor, festa e Familjes Shenjte të Nazaretit.

Mbrëmësoret dhe Te Deum i Shën Silvestrit

Ditën e festës së Shën Silvestrit, më 31 dhjetor, së fundi, Papa do të kryesojë, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimin e Mbrëmësoreve të para  të solemnitetit të të Shenjtnueshmes Virgjër Mari, Nënë e Zotit. Gjatë liturgjisë, edhe “Te Deum”, himni tradicional i falënderimit të Zotit, në përfundim të vitit civil dhe bekimi eukaristik.  Pasi ta ketë kryer kremtimin, Papa do të vizitojë Shpellën e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit, një nga realizimet më të bukura të viteve të fundit.

E di se po më pret, o Zot!

Është Natë e Madhe, sonte. Ndaj në zemrën e besimtarit të vërtetë nuk mund të mos burojë lutja:

“Dua të mbërrij në Betlehem, o Zot. E di se po më pret. Për të më kujtuar  se ti, mbi grazhdin e vrazhdë, je buka e jetës, bukë e thyer për botën. Merrmë mbi shpatullat tua, o Bari i mirë! Kur Ti më do, edhe unë mund t’i dua e t’i marr për dore vëllezërit. Do të jetë Krishtlindje atëhere, kur do të mund të të them: ‘Zot, ti di gjithçka, ti e di se unë të dua!’”.

24 dhjetor 2019, 12:17