Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Solemniteti i Zojës së Papërlyer: jeta jonë qoftë një “po” thënë Zotit, plot dashuri

Maria, krijesa e zënë pa mëkat e plot me hir, është në qendër të festës së sotme e Papa, në reflektimin para Engjëllit të Tënzot, e vuri në dukje gjithë bukurinë e saj: kryevepër, edhe në përvujtëri, e aftë t’i shërbejë Zotit pa vetëkënaqësi, gjithnjë e gatshme për t’i shërbyer të afërmit. “Qoftë model i bashkësive tona, i jetës sonë”- uroi Ati i Shenjtë në përfundim të lutjes!

R. SH. - Vatikan

E diel, 8 dhjetor. Kisha kremton solemnitetin e Të Zënit pa Mëkat të së Lumes Virgjër Mari:  siç ndodh që nga viti 1953, Papa do të marrë pjesë sot pasdite në homazhin që qytetarët e Romës i bëjnë gjithë ditën e sotme  shtatores së Zojës së Papërlyer në Sheshin Mignanelli, fare pranë Sheshit të Spanjës, ku do të lutet dhe do të vendosë lule, pas një ndalese në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

Zoja e Papërlyer

Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, ua kujtoi këtë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i ftuar të marrin pjesë në devocionin bijnor. E, në reflektimin para lutjes mariane, vuri në dukje  disa aspekte të bukurisë së Virgjërës Mari, “shenjtëriplote”, duke e paraqitur si model për bashkësitë e edhe për jetën vetjake të besimtarëve.

“Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë”. Në Ungjillin e Lajmërimit gjejmë gjithçka që do të bëjë Zoti, ashtu siç kishte premtuar. Por diçka - kujtoi Papa - tashmë ishte kryer në vetjen e në jetën e Virgjërës Mari, e kjo nis që në çastin, i cili i paraprin lindjes së saj:

“Të zënët e saj të papërlyer na çon pikërisht në çastin kur jeta e Marisë nisi të lëvizë në kraharorin e së ëmës; që në atë çast aty ishte e pranishme dashuria shenjtëruese e Zotit, duke e ruajtur nga molepsja e së keqes, trashëgimi e përbashkët e familjes njerëzore”.

Gruaja “Hirplote”

Marinë Zoti e deshi të lirë nga mëkati, e deshi “hirplote”që nga zanafilla. Ja epiteti i dytë i bukurisë së Virgjërës, që Françesku e theksoi, duke shpjeguar ç’do të thotë  të jesh “përplot” me dashurinë e Zotit:

“Zoti e mendoi dhe e deshi gjithnjë në planin e Tij të pashqyrtueshëm, si krijesë plot me hir, domethënë, të rrëmbushur me dashurinë e Tij. Por për t’u mbushur, duhet të krijosh një hapësirë. Duhet të zbrazesh, për t’u mbushur. Pikërisht ashtu siç bëri Maria, që diti t’ia vinte mirë veshin Fjalës së Zotit e të besonte plotësisht në vullnetin e tij, duke e pranuar pa asnjë kusht në jetën e saj. Aq sa në të Fjala e Zotit u bë njeri”.

“Gjithëshenjte", pa kurrnjë farë vetëvlerësimi

Duke iu pëgjigjur me një “po” të vendosur engjëllit, që i kërkon gatishmërinë për t’u bërë nëna e Jezusit, Maria e mundëson mishërimin. E pranimi i saj në atë çast është i plotë. Nuk humbet në arsyetime të pafundme, por beson e i krijon hapësirën e duhur veprimit të Shpirtit Shenjt, duke e bërë jetën e vet një kryevepër, ndonëse plot përvujtëri e vogëlsi:

“Ia dhuron menjëherë Zotit gjithë vetveten e gjithë historinë e saj, që të ishin Fjala e vullneti i Zotit ata, që do t’i jepnin trajtë e do ta çonin deri në përsosuri. Kështu, duke përkuar plotësisht me Planin, që kishte Zoti për të, Maria bëhet edhe ‘bukuriplote’, ‘shenjtëriplote’, por pa as më të voglën hije vetëvlerësimi. Mbetet e përvuajtur. Kryevepër e përvuajtur, e vogël, e varfër. Në të pasqyrohet bukuria e vetë Zotit, që është e tëra dashuri, hir, dhurim i vetvetes”.

Shërbëtorja e përvuajtur e Tënzot

Kështu u shpreh Papa, duke kujtuar, më pas, gatishmërinë e Marisë për të shërbyer atje ku dëshiron Zoti. Ajo është gati të bëjë vullnetin e Tij, ta lërë Atë t’i japë trajtë jetës së saj, duke u zbrazur nga vetvetja që në çastin kur thotë “po” e duke e quajtur veten “Shërbëtorja e Tënzot”. E në këtë sjellje shikojmë gatishmërinë e saj për t’i shërbyer edhe tjetrit, nevojtarit, të varfërit, gjë që e dëshmon duke u nisur menjëherë pas Lajmërimit, për të vizituar të kushërirën, Elizabetën:

“Gatishmëria për t’i shërbyer Zotit, përkon me gatishmërinë për të bërë të sajat nevojat e të afërmit. E gjithë kjo, pa zhurmë, pa kërkuar vende nderi, pa publicitet, sepse bamirësia dhe veprat e mëshirës nuk kanë nevojë të paraqiten si trofe. Bëhen në heshtje, në fshehtësi, pa mburrje. Edhe në bashkësitë tona jemi të thirrur të ndjekim shembullin e Marisë, duke jetuar sipas stilit të saj, me maturi e fshehtësi”.

Festa e Nënës sonë - tha në përfundim Papa - na ndihmoftë  ta bëjmë gjithë jetën një “po” thënë Zotit. “Po, e shprehur me adhurim e gjeste të përditshme  dashurie e shërbimi”.

08 dhjetor 2019, 14:29