Kërko

2019.12.12 Congregazione delle Cause dei Santi 2019.12.12 Congregazione delle Cause dei Santi 

Papa: shenjtëria është fjala e Zotit e mishëruar në histori

Shenjtorët janë shembuj dhe udhëheqës të jetës së Krishterë, por nuk janë qenie njerëzore të paarritshme: kështu tha Papa Françesku gjatë audiencës me " familjen e madhe " të Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve. Dikasteri e ka për detyrë të vlerësojë shqyrtimin e shenjtërisë heroike, si dhe atë heshtur a të fshehur. Paanshmëria, kërkimi i së vërtetës, pavarësia, ndjeshmëria ungjillore dhe rigoroziteti moral janë kriteret e punës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti, sot paradite, në audiencë anëtarët e Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të saj. Ishte 8 maji i vitit 1969 kur, siç kujtoi Papa Bergoglio, Shën Pali VI vendosi të zëvendësonte Kongregatën e Riteve të Shenjta me dy dikastere të ndryshme: Kongregatën për Çështjen e Shenjtorëve dhe Kongregatën për Kultin Hyjnor. Detyra e Kongregatës së parë është "shqyrtimi dhe njohja e shenjtërisë së atyre që kanë ndjekur besnikërisht Krishtin".

Shenjtorët kanë përjetuar lodhjen e përditshme

Papa Françesku vuri në dukje se në këto 50 vjet Kongregata e Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve "ka shqyrtuar një numër të madh profilesh biografike e shpirtërore të burrave e grave, për t'i paraqitur si shembuj dhe udhëheqës të jetës së krishterë". E vazhdoi:

Shumë beatifikime dhe kanonizime, që janë kremtuar në dekadat e fundit, pohojnë se Shenjtorët nuk janë qenie njerëzore të paarritshme, por janë pranë nesh dhe mund të na mbështesin në rrugën e jetës. Në fakt, ata janë persona që e kanë përjetuar lodhjen e përditshme të jetës me sukseset dhe dështimet e saj, duke gjetur në Zotin forcën për t'u ngritur e për të vazhduar udhën.

Çdo shenjtor është mishërim historik i një aspekti të Ungjillit

Papa vuri në dukje se çdo shenjtor përfaqëson "një projekt të Atit Hyjnor", mishërimin, në një çast të caktuar historik, të" një aspekti të Ungjillit", të një "fjale të Zotit". Prandaj është e rëndësishme, tha Ati i Shenjtë Françesku, të kemi para nesh "tipologjitë e ndryshme të shenjtërisë". Po kështu, shenjtëria e "shoqëron gjithmonë jetën e Kishës (...) madje shpesh në një mënyrë të fshehtë".

Prandaj, duhet të mësojmë ta shohim shenjtërinë në popullin e Zotit të durueshëm: tek prindërit që rrisin fëmijët e tyre me shumë dashuri, tek burrat e gratë që punojnë për të sjellë bukën në shtëpi, tek të sëmurët, tek motrat rregulltare të moshuara që vazhdojnë të buzëqeshin. [...] Kjo është, shumë herë, shenjtëria e "derës afër nesh", shenjtëria e atyre njerëzve që jetojnë afër nesh dhe janë rrezatim i pranisë së Zotit.

Objektiviteti dhe rigoroziteti përballë pritjeve të drejta të besimtarëve

"Shenjtëria është dritë e vërtetë e Kishës", pohoi akoma Papa, prandaj Kongregatës për Çështjen e Shenjtorëve i takon detyra e "shqyrtimit të mëmyrave të ndryshme të shenjtërisë heroike", si dhe të shenjtërive më të fshehura.

Është fjala për një verifikim të përditshëm që bën dikasteri juaj, i cili nga kohët e lashta ka punuar me ndërgjegje dhe saktësi duke u nisur nga puna e hulumtimit, studimit e analizimit të të dhënave, për t’i shqyrtuar, pasta,j me seriozitet e ekspertizë burimet procedurale e dokumentare, të cilat ekzaminohen  me objektivitet e rigorozitet në çdo shkallë të gjykimit, si çështja e martirizimit, natyra heroike e virtyteve, flijimi i jetës dhe mrekullia. Këto janë kritere bazë, të cilat kërkohen nga vetë rëndësia e lëndës së trajtuar, në përkim me ligjet kanonike dhe pritjet e të popullit të Zotit, i cili mbështetet tek ndërmjetësimi i Shenjtorëve dhe frymëzohet nga shembulli i jetës së tyre.

Konsultuesit janë në shërbim të së vërtetës

Papa Françesku u kërkoi anëtarëve të Kongregatës të vazhdojnë punën e tyre për të arritur " në sigurinë e plotë në shpalljen e shenjtërisë". Prandaj Papa iu drejtua Këshilltarëve që "në sferën historike, teologjike dhe mjekësore, ta kryejnë mirë punën e tyre me lirinë e plotë të ndërgjegjes", duke u porositur të jenë të vëmendshëm, paanshëm, të lirë nga çdo kushtëzim, të pavarur:

Duhet t’i keni gjithmonë para sysh qëllimet specifike të Shkaqeve, që janë lavdia e Zotit dhe e mira shpirtërore e Kishës, shkaqe që janë ngushtë të lidhura me kërkimin e së vërtetës dhe të përsosurisë ungjillore.

Për postulatorët: shkaqet janë realitetet e një karakteri shpirtëror

Postulatorëve, që merren me çështjen e kandidatëve për shenjtëri, Papa u tha të mos e lënë veten të udhëhiqen "nga vizionet materiale dhe interesat ekonomike", të mos e kërkojnë "afirmimin personal", sepse duhet harruar se çështja e lumturimit dhe e kanonizimit ka një karakter që nuk rregullohet vetëm nga procesi gjyqësor, por edhe ai shpirtëror. E shtoi:

Prandaj, çështjet e të lumturve dhe të shenjtorëve duhet të trajtohen me ndjeshmëri të fortë ungjillore e rigorozitet moral. Madje, një herë duke folur me Kardinalin Amato, thash se lypet një mrekulli. E vërtetë ka nevojë për një mrekulli, sepse pikërisht aty është gishti i Zotit. Pa ndërhyrjen e qartë të Zotit, ne nuk mund të shkojmë përpara në Çështjet e kanonizimit.

Shenjtëria është shpirti i Kishës

Së fundi, Papa nënvizoi rëndësinë e shërbimit që bën Dikasteri për "përhapjen e ndërgjegjësimit se shenjtëria është nevoja më e thellë e çdo personi të pagëzuar, shpirti i Kishës dhe aspekti kryesor i misionit të saj”.

12 dhjetor 2019, 16:12