Kërko

Vatican News
 Papa takohet me Kurien Romake Papa takohet me Kurien Romake  (ANSA)

Qendra është Ungjillëzimi, jo ndryshimi

Përmbledhje e veprimtarisë së Papës dhe Selisë së Shenjtë. Papa u takua sot me anëtarët e Kuries Romake për urimet tradicionale të Krishtlindjes: këtu, edhe takimi me kardinalin Angelo Sodano, që largohet nga roli i dekanit të Kolegjit kardinalor. Papa e bën pesëvjeçare këtë detyrë. Në Sallën e Palit VI, takimi me punonjësit e Vatikanit. Botohet teksti i plotë i dialogut me nxënësit e liceut romak.

R. SH. - Vatikan

Detyra e parë dhe më e rëndësishme e Kishës, është ungjillëzimi. Françesku e ripohoi qartë me rastin e shkëmbimit të urimeve të Krishtlindjes me Kurien Romake. Kisha jeton për të kumtuar Ungjillin.  Kjo është zemra e reformës në vijim: t’i bëjë të gjitha strukturat kishtare më misionare. Papa citon kardinalin Martini: “Kisha ka mbetur dyqind vjet mbrapa”. Jo pse nuk i është përshtatur modave të kohës, por pikërisht për të kundërtën, sepse është më pak misionare; e me që nuk e ka guximin e fesë, bota bëhet gjithnjë më pak e krishterë. Feja - nënvizon Papa - "kërkon ndryshime; ndryshime të vazhdueshme, dalje të përhershme nga egoizmi në dashuri, shndërrim të brendshëm, që na bën gjithnjë më shumë të përvuajtur, më shenjtorë, më të mëshirshëm” e akoma më të gëzueshëm, më përplot me Zotin. Për këtë, edhe më afër me njerëzit, posaçërisht me më nevojtarët, si në kuptimin material të fjalës, ashtu edhe në atë shpirtëror. Françesku kujton Urdhërimin e Jezusit; “Nga kjo të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi: në se do  ta duani njëri-tjetrin”. Urdhërim ky, që vjen nga thellësitë e dymijë vjetëve e që ne, të krishterët, duhet ta aktualizojmë gjithnjë. Edhe për të shmangur rrezikun e krijimit të paaftësisë për të komunikuar e të urrejtjes në gjirin e vetë bashkësisë së krishterë. Nuk bëhet fjalë për të kaluar në një baritori relativistike, por për të ditur t’i lexojmë  shenjat e kohës me sytë e fesë. Ndryshimi - përsërit Françesku - bazohet kryesisht mbi besnikërinë ndaj depositum fidei dhe mbi Traditën, por “Tradita nuk është statike, është dinamike”. Zhvillimi i vërtetë i doktrinës nuk është të shkosh nga fryn era: ka në qendër “Stabilitetin e Zotit”.

Jo të gjithë arrijnë t’i kuptojnë fjalët dhe vendimet e Françeskut - ka thënë kohët e fundit kardinali Marc Ouellet. - Ka nga ata që thonë, atë që nuk e thotë, si të ishte duke themeluar një Kishë të re. Disa e akuzojnë  se po e ndryshon doktrinën e përhershme; pikërisht ashtu siç e akuzonin Jezusin. Françesku u kërkon të krishterëve vetëm një gjë: të kryejnë  detyrën më të rëndësishme! T’u çojnë të gjithëve dashurinë e Zotit bërë njeri. E kjo është Krishlindja!

T’u çosh të gjithëve buzëqeshjen e Zotit ishte edhe ftesa, që Papa u bëri nënpunësve të Vatikanit, duke i takuar. Nganjëherë - vërejti - e kemi të vështirë të buzëqeshim, për një mori arsyesh. Atëhere kemi nevojë të kujtojmë se “Jezusi është buzëqeshja e Zotit” e vetëm Ai mund të na ndihmojë, sepse vetëm Ai është Shëlbuesi. Krishtlindje do të thotë t’i çosh atij që ka nevojë pikërisht këtë buzëqeshje të thjeshtë, të përvuajtur”.

Papa zgjodhi ditën e urimeve të Krishtlindjes për bashkësinë e Kuries, edhe për të pranuar dorëheqjen e kardinalit Angelo Sodano

E po sot L’Osservatore Romano dhe Vatican News botuan tekstin e plotë  të dialogut të Papës me studentët e liceut klasik shtetëror të Romës. “Pilo Albertelli”.

21 dhjetor 2019, 17:08