Përdorimi i fesë për të ngjallur urrejtje, kërkon gjyq para Zotit!

Sot paradite Papa Françesku priti, në Vatikan, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Në përfundim, regjistruan së bashkun një videomesazh.

R. SH. - Vatikan

“Nuk mundemi as nuk duhet ta kthejmë kokën mënjanë a të mbyllim sytë përballë plagëve, që i hapen botës. I bëjmë thirrje çdo njeriu të mos qëndrojë indiferent”. Këto, disa nga fjalët e Papës në videomesazhin, regjistruar sot paradite së bashku me Antonio Guterres. Tingëllon gati-gati si lutje me forcën e thirrjes drejtuar ndërgjegjeve, që lartohet e lartohet, derisa kthehet në britmë, për të kujtuar aktet që kërkojnë gjyq para Zotit!

Takimi i tyre u mbajt sot, në Vatikan, në një nga ditët, që na çojnë drejt Krishtlindjes. Ditë, kur sytë tanë lartohen kah qielli për t’ia besuar Zotit njerëzit e situatat, që i kemi më për zemër. E në këtë  lartim, nuk mund të mos pranojmë se jemi bij të një Ati të vetëm, jemi vëllezër.

Bisedë mbi krizën e Planetit

Papa e priti në studion e tij kreun e Pallatit të Qelqit, i cili më pas u takua edhe me sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, dhe kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shetet. Takimi - kujton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit - u mbajt në prag të 75-vjetorit të Organizatës. Për Françeskun - nënvizon nota -  ishte rast për të ripohuar “konsideratën e Selisë së Shenjtë mbi angazhimin e Kombeve të Bashkuara në favor të paqes në , për të reflektuar mbi procesin e vënies në jetë të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm e mbi krizën e multilateralizmit, që bie dhe më tepër në sy kur bëhet fjalë për t’u bërë ballë vështirësive si dhe për të zgjidhur problemet më aktuale, siç janë migrimet dhe trafiku i njerëzve, ndryshimet klimaterike e çarmatimi”. E nuk mungoi as një shikim mbi situatat e konfliktit, mbi mungesën e stabilitetit shoqëror dhe emergjencat e rënda humanitare.

Nuk mund të shpëtosh i vetëm

E falënderojmë Zotin për gjitha të mirat e botës, për gjithë njerëzit që angazhohen falas, për kë shkrin jetën në shërbim, për kë nuk dorëzohet e ndërton një shoqëri më njerëzore e më të drejtë - thekson Papa në videomesazh. E dimë: nuk mund të shpëtojmë vetëm me forcat tona!- shkhet në mesazh. E nuk mund as nuk duhet ta sjellim kokën mënjanë, për të mos i parë padrejtësitë që u bëhen të vegjëlve. Duhet të bashkohemi, për ta luftuar  së bashku këtë plagë.

Nuk mund t’i mbyllin sytë përballë vëllezërve tanë të shumtë që, për shkak të konflikteve, të dhunës, të mjerimit ose të ndryshimeve klimaterike, i lënë vendet e tyre  e nisen, shpesh drejt një fati të trishtuar.

Sulmet kundër jetës njerëore

Nuk mund as nuk duhet të rrimë indiferentë përballë dinjitetit  njerëzor të vënë nën thembër e të shfrytëzuar - vijon videomesazhi papnor - as përballë sulmeve kundër jetës njerëzore, si asaj që nuk ka dalë akoma në dritë, ashtu edhe asaj, që ka nevojë për kujdes.

Nuk mund e as nuk duhet ta kthejmë kokën mënjanë, kur besimtarët e feve të ndryshme persekutohen në të katër anët e botës.

Jo përdorimit të fesë për dhunë dhe armëve bërthamore

Kërkon gjyq para Zotit përdorimi i fesë për nxitjen e urrejtjes, të dhunës, të shtypjes, të ekstremizmit e fanatizmit të verbër, ashtu si dhe kundër çdo detyrimi për të marrë rrugët e mërgimit – ngriti zërin Françesku në vijim të videomesazhit. - Por kërkon gjyq para Zotit edhe gara e armatimeve si dhe riarmatosja bërthamore. E është imorale jo vetëm t’i përdorësh, por edhe t’i kesh armët bërthamore, të cilat kanë një forcë të tillë shkatrrimtare, sa vetëm rreziku i një aksidenti krijon  kërcënime tejet të zymta për mbarë njerëzimin.

Të mos rrimë indiferentë përballë luftërave të panumërta,  që vijojnë, duke shkaktuar vdekjen e njerëzve të pafajshëm.

Duhet multilateralizëmi dhe diplomacia

Françesku ka besim në dialogun ndërmjet njerëzve e kombeve, në multilateralizmin, në rolin e organizatave ndërkombëtare, në diplomacinë, si mjet për mirëkuptim e marrëveshje, është i domosdoshëm për ndërtimin e një bote paqësore.

Ta shikojmë njëri-tjetrin si anëtarë të një njerëzimi të vetëm - fton Papa - e të kujdesemi për tokën tonë që, brezni pas breznie, na u besua nga Zoti për ta ruajtur, për ta kultivuar e për t’ua lënë trashëgim fëmijëve tanë. Angazhimi për t’i reduktuar emetimet ndotëse e për ekologjinë integrale është urgjent dhe i nevojshëm: të bëjmë diçka, para se të jetë tepër vonë!

Të rinjtë kërkojnë mbjellës të paqes

Ta dëgjojmë zërin e të rinjve, që na ndihmojnë të bëhemi të vetëdijshëm për çka po ndodh sot në botë e na kërkojnë të mbjellim paqen e të ndërtojmë, së bashku - jo të vetëm - një qytetërim më njerëzor e më të drejtë.

Krishtlindja, me vërtetësinë dhe thjeshtësinë e saj, na kujton se çka vlen me të vërtetë në jetë, është dashuria!

Guterrez: së bashku për paqe e unitet

“Në këto kohë të trazuara e të vështira, duhet të punojmë së bashku për paqe e harmoni”- kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke i bërë jehonë thirrjes për unitet, që buroi nga fjalët e Papës e duke ndërhyrë, edhe ai, pas Atit të Shenjtë, në videomesazh. Gutterres i shprehu mirënjohjen e tij Françeskut, “lajmëtar i shpresës e i humanitetit”, për pakësimin e vuajtjes e promovimin e dinjitetit të njeriut, me një zë të qartë moral, që shkëlqen, si kur u flet të ligshtëve, duke përfshirë edhe migrantët, ashtu edhe kur flet për pabarazitë, kur bën thirrje për çarmatimin, për ndërtimin e urave e për ndryshimet klimaterike - në përkim të plotë me Kartën e Kombeve të Bashkuara lidhur me vlerësimin  e njeriut. Më pas kujtoi edhe nevojën për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. Duke ardhur në Romë nga COP25 - pohoi - i ftoj të gjitha vendet të angazhohen për t’i çuar në zero emetimet e anhidridit karbonik deri në vitin 2015. Më pas, i shprehu Papës edhe mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të punës së OKB-së, duke përfshirë edhe vizitën e tij të vitit 2015. E në përfundim, thirrja kundër urrejtjes në rritje, si dhe urimet për  festimin e Krishtlindjes në paqe e për një Vit të Ri të bekuar!

20 dhjetor 2019, 14:41