1576494555915.JPG

Papa, të rinjve të Veprimit Katolik: “ndërtoni ura, kurrë mure”

Papa Françesku u takua me të rinjtë e Veprimit Katolik, me rastin e 50 vjetorit të themelimit, dhe i ftoi ata të mësojnë nga Maria e shën Jozefi si ta presin Jezusin.

R.SH. - Vatikan

Papa u besoi një mandat të rinjve të organizatës kishtare “Veprimi Katolik”, të cilët i priti sot në Vatikan. “Ndërtoni ura e jo mure”, u kërkoi atyre. Në një dialog të hapur e të drejtpërdrejtë, duke folur hera-herës pa letër, Françesku, në lojën e pyetje-përgjigjeve me fëmijët, të cilët bënte sikur nuk i dëgjonte mirë, theksoi:

“Jezusi, me lindjen e Tij, u bë urë ndërmjet Zotit e njerëzve, pajtoi tokën me qiellin, ribashkoi krejt racën njerëzore. E sot, Ai ju kërkon edhe juve të jeni ‘ura’ të vogla, aty ku jetoni: që tani e dini se është gjithnjë e nevojshme të ndërtohen ura, apo jo? Është më mirë të ndërtohen ura apo mure? Mos thatë mure? …Mure sikur dëgjova? …Jo, thatë ura! Nganjëherë nuk është e lehtë, por nëse jemi të bashkuar me Jezusin mund t’ia dalim”.

Ta jetojmë Krishtlindjen me mahnitjen e barinjve të Betlehemit

         Ati i Shenjtë u dha të rinjve të Veprimit Katolik një detyrë shtëpie:

“Ditën e Krishtlindjes, mblidhuni në lutje e, me të njëjtën mahnitje si barinjtë, shikojeni Krishtin Fëmijë, që erdhi në botë për të sjellë dashurinë e Zotit, e cila i bën të reja të gjitha gjërat. Ju bekoj ju e të gjithë djemtë e vajzat e Veprimit Katolik. E, një favor: mos harroni të luteni për mua”.

Roli i Veprimit Katolik

         Themeluar në vitin 1969, Veprimi Katolik i Fëmijëve dhe i të Rinjve synon të vlerësojë rolin e të vegjëlve në Kishë, një aspekt që Papa Françesku e nënvizoi veçanërisht:

         “Programi juaj formues përcakton një rrugë, që ju ndihmon të bëheni të vetëdijshëm për thirrjen tuaj si dishepuj misionarë. Dhe më vjen mirë që keni jetuar një takim të shkëlqyeshëm si ai i ‘Të rinjve në sinod’. Do të jetë interesante të mësojmë ç’doli nga ky takim, cilat janë reflektimet dhe propozimet tuaja”.

16 dhjetor 2019, 13:59