Kërko

VATICAN POPE FRANCIS MASS VATICAN POPE FRANCIS MASS 

Papa: ta mbështesim jetën tonë në Zotin e jo në gjëra kalimtare

Mos ta ndërtojmë jetën tonë mbi gjëra që kalojnë, të shkojmë tek "shkëmbi" që është Zoti dhe me Të do të jemi të lumtur. Kjo ftesa e Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në shtëpinë e Shën Martës, frymëzuar nga Ungjilli i Mateut e nga Isaia Profet: "Kini gjithmonë shpresë në Zotin, sepse Zoti është Qeta e amshueshme”.

R.SH. - Vatikan

"Lavdërimi i qëndrueshmërisë" është në zemër të Liturgjisë së sotme, me Ungjillin e Mateut ( Mt 7, 21.24-27) në të cilin Jezusi bën një krahasim ndërmjet njeriut të urtë dhe njeriut të marrë: njëri, e vendos Zotin për themel të jetës, duke e ndërtuar shtëpinë e vetë mbi shkëmb, tjetri nuk e dëgjon Fjalën e Zotit e jeton në dukje, duke e ndërtuar shtëpinë e vetë mbi një themel të brishtë, siç mund të jetë rëra.

Zoti është shkëmbi sigurt dhe i fortë

Nga këtu u shtjellua predikimi i Papës, gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, në një dialog të vazhdueshëm me besimtarët të cilëve u kërkon të reflektojnë mbi "urtinë dhe paqëndrueshmërinë” me fjalë tjera mbi themelin e shpresave tona, të sigurive tona dhe të jetës sonë, duke kërkuar prej Zotit hirin e shoshitjes për të ditur se ku është shkëmbi guri dhe ku është rëra.:

Shkëmbi. Kështu është Zoti, shkëmb. Njeriu që mbështetet në Zotin gjithmonë do të jetë i sigurt, sepse themelet e tij janë mbi shkëmb. Këtë e thotë Jezusi në Ungjill. Ai flet për një njeri të urtë që e ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb, që do thotë se u mbështet në Zotin, në gjëra serioze. Dhe kjo mbështetje, ky besim është një material fisnik, sepse themeli i ndërtimit të jetës sonë është i sigurt, është i fortë.

Dukja është rëra në të cilën jeta e krishterë bie

Njeri i urtë është ai që ndërton mbi shkëmb, përkundrazi i marrë - vazhdoi Papa Françesku - është ai që zgjedh "rërën që lëviz" e që fshihet nga era e shiu. Kështu ndodh edhe në jetën e përditshme, me pallatet, që janë ndërtuar pa themele të mira e të sigurta, që shemben, prandaj kështu ndodh edhe në jetën tonë personale:

Edhe jeta jonë mund të tenë kësisoji, kur themelet e mia nuk janë të forta. Vjen stuhia – e të gjithë kemi stuhi në jetë, të gjithë, pa përjashtim, nga Papa e deri te i mbrami, të gjithë – e kur vjen stuhia nuk jemi në gjendje të rezistojmë. E shumë njerëz thonë: "Jo, po unë do të ndryshojë jetën time" dhe mendojnë se të ndryshosh jetën është si të bësh një makijazh. Ndryshimi i jetës nënkupton ndryshimin e themeleve të vetë jetës, do të thotë të vësh për themel shkëmbin që është Jezusi. Pa këtë themel, jeta e krishterë bie, pra, nuk mund të jetë e qëndrueshme.

Ta kërkojmë hirin e Zotit për të dalluar shkëmbin nga rëra

Vetëm Jezusi është, pra, themel i sigurt, pamjet e jashtme nuk ndihmojnë, e kjo shihet qartë edhe në rrëfyestore – ky shembulli që përmendi Papa -  e në rrëfim shohim se vetëm kush e pranon veten si mëkatar, të dobët, të etur për shpëtim në Zotin, tregon se ka një jetë të mbështetur mbi shkëmb, sepse beson dhe mbështetët në Jezusin si shpëtimtar. Prandaj duhet të konvertohemi në atë që nuk bie, që nuk shembet e nuk kalon: kështu i ndodhi Shën Françeskut Borgia më 1500, kur ky ish kalorësi i oborrit mbretëror, para trupit tani të dekompozuar të perandoreshës Isabella, e kuptoi brishtësinë, kotësinë, përkohësinë dhe jetëshkurtësinë e gjërave tokësore dhe zgjedh Zotin e u bë shenjtë:

Ne nuk mund ta ndërtojmë jetën tonë mbi gjërat kalimtare, të përkohshme duke pretenduar se gjithçka është në rregull. Duhet të shkojmë te shkëmbi, ku gjendet shpëtimi ynë. Sepse vetëm aty të gjithë do të jemi të lumtur. Të gjitha.

Lutja që Papa na fton në ditën e sotme të kohës liturgjike të Ardhjes është të mendojmë se çfarë themeli kemi në jetën tonë, nëse kemi për themel shkëmbin apo rërën e kotë, ta kërkojmë hirin e Zotit që të dimë t’i dallojmë.

05 dhjetor 2019, 13:16