Kërko

Vatican News
2019.12.03 Papa Francesco Messa Santa Marta 2019.12.03 Papa Francesco Messa Santa Marta  (Vatican Media)

Papa: ‘Bariu i vërtet, prift a ipeshkëv qoftë, është vetëm ai që bëhet i vogël’

Vetëm në një zemër të përvuajtur mund të mbin shpirti i Zotit. Kështu pohoi Papa Françesku sot në homelinë e Meshës, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë tha se dëftimi i Zotit fillon gjithmonë në vogëlsi që, megjithatë, nuk do të thotë mbyllje në vetvete, por besim në Hyjin dhe këndej aftësi për të rrezikuar.

R.SH. - Vatikan

"Liturgjia e sotme -  nënvizoi në fillim të predikimit të Meshës që u kremtua në mëngjes në Shën Martë Papa Françesku - flet për gjëra të vogla, flet për atë që është e vogël,  e sot mund të themi se është dita e të voglit". Në Leximin I të liturgjisë së sotme nga Libri i Isaisë Profet, thuhet: "Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të pipëtojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë Shpirti i Zotit...". Pra, "Fjala e Zotit e vlerëson të voglin”, tha Papa, dhe bën një premtim, premtimin e një filizi që do të dalë, e çfarë ka më e vogël se një filiz? Megjithatë, "Shpirti i Zotit do të bie në të". E Papa Françesku komentoi pohimin e Isaisë Profet duke thënë se:

Shëlbimi, dëftimi, prania e Zotit në botë fillon kështu, dhe gjithmonë është kështu.  Dëftimi i Zotit ndodhë e realizohen  në vogëlsi. Në Vogëlsi, në përvujtëri dhe në... shumë gjëra, por gjithmonë në vogëlsi, në thjeshtësi. Të mëdhenjtë e botës prezantohen të fuqishëm, po le t’i kujtojmë tundimet e Jezusit në shkretëtirë, se si Djalli e paraqet veten të fuqishëm, si padron i mbarë botës  “unë të jap gjithçka, nëse ti...". Ndërsa punët e Zotit fillojnë të mbinë, nga një farë, e vogël. Dhe mos të harrojmë se Jezusi në Ungjill flet për këtë vogëlsi".

Të bëhesh i vogël në mënyrë që Mbretëria e Zotit të mbinë

Jezusi gëzohet dhe falënderon Hyjin Atë sepse iu dëftua jo të pushtetshmëve, por të vegjëlve dhe na kujton se në Krishtlindje "të gjithë do të shkojmë te shpella e Betlehemit ku është vogëlsia e Zotit". Nga këtu thirrja e fortë e Papës:

Në një komunitet të krishterë ku besimtarët, priftërinjtë, ipeshkvijtë, nuk e marrin këtë rrugë të vogël, aty nuk ka të ardhme, do të shkatërrohet. E pamë në planet e mëdha të historisë: të krishterët që u përpoqën të imponohen, me forcë, madhështi, pushtime... Por mos të harrojmë se  Mbretëria e Zotit lulëzon në një farë të vogël, gjithmonë në vogëlsi, në thjeshtësi, në farën e vogël, në farën e jetës. E fara vetvetiu nuk mundet të bëj gjë. Ka edhe një diçka tjetër që ndihmon dhe jep forcë, është Shpirti i Zotit. Thotë Ungjilli i sotëm nga Luka: "Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të pipëtojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë Shpirti i Zotit...".

Shpirti nuk mund të hyjë në një zemër krenare

"Shpirti zgjedh të voglën, zgjedh të voglin, të përvuajturin, kurdoherë", nënvizoi Papa Françesku në homeli, sepse " nuk mund të hyjë në të madhin, në krenarin, në njeriut e vetëmjaftueshme". Në zemër të vogël ndodh zbulimi i Zotit. Papa u foli studiuesve të teologjisë duke nënvizuar se teologët "nuk janë ata që dinë shumë gjëra rreth teologjisë", sepse këta mund t’i quajmë "enciklopedistë" të teologjisë. "Dinë gjithçka - vazhdoi Papa - por nuk janë në gjendje të bëjnë teologji, sepse teologjia bëhen në gjunjë, duke u bërë të vegjël".

Prandaj, theksoi Papa "bariu i vërtetë  qoftë ky prift, ipeshkëv, papë, kardinal, kushdo që të jetë, nëse nuk bëhet i vogël, ai nuk është bari shpirtëror". Mund të jetë shef zyre. E kjo vlen për të gjithë. "Nga ai që ka një funksion që duket më i rëndësishëm në Kishë, tek plaka e varfër e cila bën vepra bamirësie fshehurazi".

Vogëlsia e krishterë nuk është frikacake

Papa Françesku pastaj sqaroi se rruga e vogël  nuk shpie në sjellje prej frikacaku, që do të thotë, të mbyllesh në vetvete, nga frikësimi. Ati i Shenjtë Bergoglio tha se përkundrazi "vogëlsia është e madhe", është aftësi që rrezikon "sepse nuk ka asgjë për të humbur”. Papa shpjegoi se është pikërisht vogëlsia ajo që na çon në zemërgjerësi, në bujari, sepse na bën të aftë të shkojmë përtej vetes duke e ditur se madhështinë e fuqinë na e jep Zoti.

03 dhjetor 2019, 16:07