Kërko

Papa Françesku Papa Françesku  

Papa, Solidarnosc: "Mirësia dhe drejtësia shoqërohen nga prania e Zotit".

Pak para audiencës së përgjithshme, Françesku përshëndeti drejtuesit e sindikatës polake, duke u kujtuar rolin frymëzues në rënien e perdes së hekurt dhe shërbimin në favor të punëtorëve.

R. SH. - Vatikan

“Kusht për ndryshimet pozitive në strukturat shoqërore është, posaçërisht, ndryshimi i mendësisë, i bindjeve e i sjelljeve, me të cilat duhen edukuar breznitë e reja. Përndryshe vetë strukturat e reja, heret a vonë, nuk do t’i shërbejnë më së mirës së përbashkët, por grupeve të veçanta e do të bëhen të korruptuara, të rënda e të pafrytshme. Madje edhe të dëmshme”.

Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku, në Sallën e Palit VI,  pak para se të fillonte audiencën e përgjithshme, këshillit drejtues të sindikatës  Solidarnosc e cila, në fund të viteve ’80, luajti rol vendimtar për shembjen e komunizmit në Poloni. Shembje, që shumë shpejt i mori me vete një nga një të gjithë satelitët e Bashkimit Sovjetik, duke shembur perden e hekurt e duke ua ndryshuar rrënjësisht jetën shumë njerëzve të Evropës Lindore!

Përtej kufijve të Polonisë

Kështu organizata, asokohe e udhëhequr nga Lech Walesa, “luajti rol frymëzues edhe përtej kufijve të Polonisë” e Papa u shprehu sindikalistëve mirënjohjen e tij “për shërbimin në favor të së mirës së përbashkët e edhe të grupeve të ndryshme profesionale në Poloni, në shërbim të të cilave punojnë sot.

Kanë kaluar dyzet vjet, që asokohe! Dyzet vjet, që na kujtojnë edhe vizitën e Gjon Palit II në Varshavë, prej nga pati kërkuar për bashkatdhetarët dhe tokën e vet, praninë e Zotit dhe frymën e Shpirtit Shenjt. Françesku kujtoi, më pas, edhe se “përpjekja e sinqertë, që bëjnë njerëzit dhe grupet në kërkim të së mirës dhe të drejtësisë, shoqërohet gjithnjë nga prania e Zotit”.

Solidaritet ndaj njeriut, të cilit që i mohohen të drejtat

Një shenjë, që flet për hapjen ndaj pranisë së Shpirtit të Zotit- kujtoi në vijim Papa - është solidariteti me njerëzit, të cilëve u shkelen të drejtat e tyre të pamohueshme! Solidaritet, që vihet në jetë “në fushën e punës e të studimit, në marrëdhëniet shoqërore, ekonomike, politike e ndërkombëtare”.  Kjo  do të thotë ta dëgjosh zërin  e vëllezërve e të motrave, që u mungojnë të drejtat themelore: kushtet dinjitoze të punës, paga e drejtë, e nevojshme për të mbajtur familjen, shërbimi shëndetësor dhe gjithçka ka nevojë njeriu,  për të jetuar si njeri”.

04 dhjetor 2019, 12:57