Papa, gjatë audiencës me anëtarët e Seminarit Papnor Rajonal Flaminio “Benedikti XV” i Bolonjës Papa, gjatë audiencës me anëtarët e Seminarit Papnor Rajonal Flaminio “Benedikti XV” i Bolonjës 

Papa: seminari të jetë shtëpi studimi, lutjeje dhe bashkimi

Tre aspekte identifikojnë ambientin e seminarit ku meshtarët e ardhshëm përforcojnë fenë, dijen dhe vëllazërimin. Papa i theksoi sot, në fjalën e tij për anëtarët e Seminarit Rajonal Papnor Flaminio (Emilia-Romagna), të cilët i priti në audiencë së bashku me kardinalin Matteo Zuppi, kryeipeshkëv metropolit i Bolonjës.

R.SH. - Vatikan

Në javën, gjatë së cilës kremton 50-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak (më 13 dhjetor), Papa pati sot mundësinë të flasë pikërisht për “bukurinë e thirrjes në shërbimin meshtarak”, gjatë audiencës me anëtarët e Seminarit Papnor Rajonal Flaminio “Benedikti XV” i Bolonjës, ku çojnë studentë tetë dioqezat e Emilia-Romagna-s.

Këtyre përfaqësuesve të “Bariut të Mirë në mes të popullit të tij” - siç i quan Françesku - në rrugën e përgatitjes për meshtarinë, Papa u foli për vendin ku rriten, për seminarin, duke vënë në dukje tri karakteristika të tij: ai është shtëpi lutjeje, shtëpi studimi dhe bashkësi. Janë përmasa transversale, nënvizoi Ati i Shenjtë, pasi lutja është bashkim me Zotin e në Zotin, me të afërmin; studimi është personal, por jo individual, prandaj studentët janë të bashkuar në të njëjtin horizont kishtar.

Formimi shpirtëror: pranë zemrës së Jezusit

Përsa i përket tiparit të parë, Papa nënvizoi se “formimi shpirtëror” ka dy aspekte: marrëdhëniet me Zotin dhe takimin me të varfërit, për t’u kultivuar në atë “shtëpi të lutjes”, që është seminari. Kuadri aktual karakterizohet nga çkristianizimi i shoqërisë, prandaj, Papa u bëri thirrje seminaristëve të jenë “ungjillëzues” me fe të fuqishme:

“Ata që janë më të ekspozuar para acarit të pasigurisë ose të indiferencës fetare, duhet të gjejnë tek meshtari atë fe të fuqishme, që është si pishtari, që e shndrit natën dhe si shkëmbi, ku mund të mbahesh. Kjo fe ushqehet sidomos në marrëdhëniet personale, duke ia afruar zemrën zemrës së Jezu Krishtit. E seminari është para së gjithash shtëpi lutjeje, ku Zoti i thërret akoma ‘të vetët’ në ‘një vend të veçantë’, për të jetuar përvojën e fortë të takimit dhe të dëgjimit”.

Takimi me Jezusin, përmes të varfërve

I duhet kushtuar kohë dhe impenjim formimit shpirtëror, vijoi Papa, duke pasur parasysh se pikërisht vitet e kaluara në seminar janë më të përshtatshmet për të mësuar si të “rrimë me Zotin”, si “ta dëgjojmë e ta kundrojmë fytyrën e Tij”:

“Aty, përvoja e heshtjes dhe e lutjes është thelbësore: aty, kur rri në praninë e Zotit, dishepulli mund ta njohë Mësuesin, ashtu siç e njeh Ai - do të thoshte shën Pali. Por, është thelbësor edhe takimi me Jezusin, në fytyrën dhe në korpin e të varfërve. Edhe kjo është pjesë e formimit shpirtëror të seminaristit”.

Studim për misionin e përbashkët

         Tipari i dytë karakteristik për seminarin është “studimi”. Papa dha këshilla të qarta për vendosjen e “bazave të fuqishme në formimin e meshtarëve të ardhshëm”. Në veçanti, Françesku nënvizoi se studimi për një meshtar, nuk është vetëm mjet i privilegjuar për të shtuar dijet dhe njohuritë shkencore, por edhe mënyrë për ta ndarë këtë dije me të tjerët:

         “Impenjimi për të studiuar, edhe në seminar, është pa dyshim personal, por nuk është individual. Shkëmbimi i leksioneve dhe studimi me shokët e seminarit është pjesë e të qënit meshtar. Në fakt, pa lënë pas dore prirjet dhe talentet personale, madje, duke i përmirësuar ato, në seminar studiohet së bashku për një mision të përbashkët e, kjo i jep një ‘shije’ krejt të veçantë mësimit të Shkrimit Shenjt, të teologjisë, historisë, ligjit dhe të çdo disipline”.

Bamirësia të shoqërohet me vëllazërim

         Përmasa e tretë e seminarit është bashkimi: nga njëra anë, bashkim me të tjerët e, nga ana tjetër, bashkim meshtarak me ipeshkvin:

         “Bamirësia baritore e meshtarit nuk mund të jetë e besueshme, nëse nuk paraprihet dhe nuk shoqërohet nga vëllazërimi, së pari ndërmjet seminaristëve dhe më pas, ndërmjet meshtarëve”.

         Me urimin që seminaristët të bëhen lajmëtarë të gëzueshëm të Ungjillit, Papa i përshëndeti të pranishmit, duke ua besuar Zojës së Bekuar.

09 dhjetor 2019, 14:38