Kërko

 Forumi Botëror i OJQ me frymëzim katolik Forumi Botëror i OJQ me frymëzim katolik 

Papa Ojq-ve katolike: formimi, detyra e parë për Kishën

Papa priti në audiencë pjesëmarrësit në Forumin Ndërkombëtar të Ojq-ve me frymëzim katolik, që përfundoi sot në Romë, duke i inkurajuar të fitojnë aftësi profesionale e ta forcojnë identitetin kishtar.

R. SH. - Vatikan

Duke iu drejtuar krerëve të Organizatave jo qeveritare me frymëzim katolik, Françesku i inkurajoi “t’i mirëpresin e t’i përfshijnë përsëri në radhët e shoqërisë, njerëzit më të ligshtë, për ta bërë, kështu, botën shtëpi e përbashkët për të gjithë”. Duke cituar Kushtetutën baritore mbi Kishën në botën e sotme “Gaudium et Spes”, kujtoi edhe se “shoqëritë e ndryshme katolike ndërkombëtare mund të shërbejnë në mënyra të ndryshme për  krijimin e një bashkësie popujsh, që jeton në paqe e vëllazërim. Prandaj - lexojmë akoma në Kushtetutën baritore - duhet  fuqizuar e duhet shtuar gjithnjë më shumë numri i bashkëpunëtorëve të mirëformuar, të pajisur me mjetet e nevojshme të ndihmës e me koordinim të përshtatshëm forcash.

Formimi

 Për të dhënë  një dëshmi koherente jete, duhen plotësuar dy kërkesa, të cilat Françesku i theksoi me forcë. E para, feja dhe besimi i patundur se “nuk je tjetër, veçse mjet në dorë të Zotit, për të mirën e botës”. Vendin e parë nuk e zë kurrë forca jonë. Por është e nevojshme të kesh edhe formimin e duhur - shtoi Papa - të kesh përgatitjen e përshtatshme profesionale në lëndët shkencore e humane, për të dhënë kontributin tënd sipas perspektivës së krishterë. Në këtë drejtim - nënvizoi Françesku - doktrina shoqërore e Kishës ofron kuadrin e parimeve kishtare të përshtatshme për t’i shërbyer sa më mirë njerëzimit:

“Ju porosis ta njihni, për t’u formuar sa më mirë përmes saj e për ta vënë, pastaj, në jetë, në projektet tuaja. Formimi i përshtatshëm dhe edukimi, si përmasë e tërthortë për problemet e jetës shoqërore-politike, në ditët sotme është angazhimi kryesor për Kishën. Prandaj bëra thirrje botërore për rithemelimin e një pakti global kushtuar edukimit, për t’i formuar njerëzit që punojnë për paqen e drejtësinë ndërmjet popujve e për solidaritetin universal, përveç kujdesit ndaj shtëpisë së përbashkët, sipas mësimeve të Enciklikës “Lëvduar qofsh”. Ju inkurajoj, përsëri, t’i përsosni  akoma më shumë aftësitë tuaja profesionale si dhe identitetin kishtar”.

Mjetet e nevojshme

Françesku kujtoi se edhe burimet janë të rëndësishme, e edhe të nevojshme, por shpesh mund të ndodhë që të jenë të pamjaftueshme për të arritur qëllimet  e caktuara:

“Nuk duhet të çkurajohemi! Duhet të mendojmë se Kisha ka bërë gjithnjë punë  të mëdha, me mjete të vogla. Duhen gjetur, por duke dëshmuar se çdo aftësi na vjen nga Zoti, nuk është jona. Me bindjen se pikërisht në Zotin e ka rrënjën çdo pasuri”.

Nismat të jenë  të përbashkëta

Papa  nënvizoi, në përfundim, se nismat mund të realizohen bashkërisht e se mund të punohet në grup. Përvoja e fesë, vetëdija se jemi mbartës të hirit të Zotit, na siguron se kjo është plotësisht e mundur:

“Kur bashkëpunon në projekte të përbashkëta, e bën të shkëlqejë akoma më shumë vlerën e veprave, sepse vë në dukje diçka, që është në natyrën e Kishës: bashkimin e saj, ecjen së bashku, për e në të njëjtin mision (syn-odos) në shërbim të së mirës së përbashkët, përmes përgjegjësisë së përbashkët dhe kontributit të secilit”.

 

07 dhjetor 2019, 15:25