Kërko

Vatican News
 Papa me noterët e Shtëpisë Italiane të Notariatit Papa me noterët e Shtëpisë Italiane të Notariatit  (Vatican Media)

Papa noterëve: “në autostradën e fitimit, jeni të thirrur për shërbim të mirëfilltë”.

Duke pritur, në Vatikan, përfaqësuesit e Shtëpisë Italiane të Noterëve, Papa kujtoi se në veprimtarinë e tyre për të hyrë ndërmjet ligjit e mbrojtjes së njerëzve, noterët janë të thirrur të respektojnë dinjitetin dhe të drejtat e tyre, me sytë e ngulur çdo çast tek e mira e përbashkët.

R. SH. - Vatikan

Kompetencë teknike dhe pastërti morale! Françesku, duke pritur përfaqësuesit e Shtëpisë së Noterëve italianë, ente e sigurimeve dhe e ndihmës shoqërore, themeluar pikërisht 50 vjet më parë, u kujtoi se, për ta kryer si duhet detyrën, që u është caktuar, duhet të shërbejnë me fryt e drejtësi, duke bashkëpunuar, kështu, për të mirën e të gjithëve. Detyrë e rëndësishme, kjo e noterit - kujtoi më pas - që fiton pjekurinë në rrethana, ku nuk mungon gara e vrapimit në “autostradën e fitimit” e që, prandaj, kërkon shpirt të vërtetë shërbimi.

Parimi i solidaritetit

Papa kujtoi edhe se Sigurimet shoqërore i sigurojnë një  shtesë page  çdo noteri, që nuk ka të ardhurat e nevojshme dhe i ndihmojnë noterët në pension si dhe familjet e tyre, që jetojnë në kushte të vështira. Kësaj shume  i shtohet edhe ndihma për formimin e noterëve të sapoemëruar, atyre që kalojnë çaste të vështira, ose ndihma për studimin e fëmijëve:

“Ju inkurajoj t’i ruani këto vija të ndihmës së anasjelltë, që e mbështesin  identitetin tuaj dhe historinë tuaj. Janë elemente karakteristike, të cilat e bëjnë më të besueshme veprimtarinë tuaj dhe ngjallin frymën e mirëkuptimit ndaj jush”.

Shërbim i mirëfilltë

Në sfidat që keni përpara, ndihmojeni shoqërinë të bëhet sa më njerëzore - nënvizoi Papa - duke  i dëgjuar njerëzit e duke i njohur mirë. Është fjala për të hyrë ndërmjet ligjit dhe nevojave shoqërore-ekonomike me atë përpikmëri, që është karakteristike për noterin, duke i zbatuar drejt ligjet, por edhe duke i dëgjuar me vëmendje njerëzit, me shpresat e pritjet e tyre të natyrshme. Françesku i nxiti noterët të mbrojnë gjithçka është e vërtetë dhe e drejtë, pa harruar edhe dashurinë e krishterë, virtyt kryesor e tepër i nevojshëm në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve:

“Në rrethana shoqërore, në të cilat nuk mungon  dëshira për të hyrë në garë në ‘autostradën e fitimit’, që të nxit të vraposh gjithnjë më shpejt se të tjerët, ju jeni të thirrur ta luani rolin tuaj me frymë të vërtetë shërbimi”.

Me sytë drejtuar nga e mira e përbashkët

Duke kujtuar, më pas, porosinë e Koncilit II të Vatikanit, Papa u bëri thirrje noterëve të punojnë për një rend  shoqëror, që t’i përgjigjet sa më besnikërisht ligjit të Zotit dhe për normat etike, që burojnë prej tij. Kërkoi aftësi teknike e pastërti morale, në shërbimin që  kryejnë ndaj shoqërisë:

“E gjithë kjo, duhet t’ju shtyjë drejt njohjes përherë më të thellë të rendit ligjor, me syrin e drejtuar çdo çast  drejt së mirës më të madhe të njeriut  e të vetë shoqërisë, domethënë, së mirës së përbashkët”.

06 dhjetor 2019, 15:03