Kërko

1576658080376.JPG

Papa: ndërsa bota fabrikon armë, Shpella e Betlehemit është simbol i paqes

“Ndërsa në botë vijojnë të fabrikohen armë, Shpella e Betlehemit është figurë artizanale e paqes”. Këtë kujtoi Papa sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI.

R. SH. - Vatikan

“Shpella e Betlehemit e çon Ungjillin atje ku jetohet: në shtëpi, në shkolla, në vendet e punës, në spitale, në burgje, në sheshe! Na kujton se Krishti vjen për ta ndryshuar jetën tonë! E botën tonë. Prandaj është më aktuale se kurrë” - këtë theksoi sot Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar temës “Shpella e Betlehemit, Ungjill shtëpiak”, duke uruar që Shpella ku lind Krishti, të mos mungojë në asnjë shtëpi.

Pas një jave do të jetë Krishtlindje - kujtoi Françesku - Këto ditë, ndërsa rendim për t’i dhënë fund përgatitjeve për festë, pyetja kryesore duhet të jetë: ‘Si po përgatitem për lindjen e të Festuarit?’. E mënyra më e thjeshtë dhe më e frytshme do të ishte t’i përgatitësh strehën Zotit, që lind, domethënë, t’ia bësh gati Shpellën e Betlehemit:

“Edhe unë sivjet ndoqa këtë udhë - kujtoi Papa - shkova në Greçio, ku Shën Françesku pati bërë Shpellën e parë të Betlehemit me njerëzit e vendit. E shkrova edhe një letër, për t’u kujtuar të gjithëve domethënien e kësaj tradite”.

Kuptimi i Shpellës së Betlehemit për Krishtlindje

Shpella e Betlehemit është si Ungjill i gjallë - vijoi të kujtojë Ati i Shenjtë, duke cituar letrën apostolike Admirabile signum - E sjell Ungjillin atje ku jetohet: në shtëpi, në shkolla, në vendet e punës, në spitale, në burgje, në sheshe….E atje ku jetojmë, na kujton se Zoti nuk mbeti i padukshëm në qiellin e lartë, po zbriti mbi tokë, u bë fëmijë. Të bësh Shpellën e Betlehemit, do të thotë  të kremtosh afërsinë e Zotit:

“Zoti ka qenë gjithnjë pranë popullit të vet, por kur u mishërua, u bë më i afërt se kurrë. Të bësh Shpellën e Betlehemit domethënë të kremtosh afërsinë e Zotit”.

Foshnja në Shpellë na përcjell njomësinë e vet

“Foshnja në Shpellë na përcjell njomësinë e vet. Disa shtatore e paraqesin Foshnjën Hyjnore me krahë hapur, gjë që na kujton se Zoti erdhi për ta përqafuar njerëzimin tonë. Atëherë është tejet e bukur të rrish para Shpellës së varfër e atje të flasësh me Zotin për jetën tënde, për njerëzit, për ngjarjet, që i ke më për zemër. Të bësh me Të bilancin e vitit, që po përfundon, të ndash shpresa e shqetësime”.

Françesku e quajti Shpellën e Betlehemit edhe “Ungjill shtëpiak”, që na jep një mësim tjetër për jetën. Në ritmet, shpesh të ethshme, të jetës së sotme,  është edhe ftesë për kundrim.

Ftesë për kundrim

Krishti në Shpellën e Betlehemit na kujton se nuk duhet vetëm të vrapojmë, por edhe të ndalemi e të meditojmë. Sepse vetëm kur dimë edhe të meditojmë, mund ta kuptojmë çka vlen më shumë në jetë. Vetëm nëse  e lëmë pas derës së shtëpisë zhurmën e botës, mund t’ia hapim me të vërtetë shpirtin Zotit, që flet në heshtim.

Shpella e Betlehemit është aktuale

Shpella e Betlehemit është aktuale, është aktualiteti i çdo familjeje - vërejti më tej Papa -  duke vijuar, pastaj, të flasë lirisht:

“Dje më dhuruan figuren e një Shpelle Betlehemi të jashtëzakonshme, të vocërr, ku qe shkruar ‘të pushojmë së bashku, nënë’. E aty pashë Zojen e përgjumur e Jozefin që përkundte foshnjën, për ta vënë në gjumë. Sa  gra e burra prej jush e kalojnë natën, herë njëri e herë tjetri, pranë vogëlushit a vogëlushes që qan, qan, qan e s’di të pushojë? Lëreni nënën të pushojë! Lëreni, sepse kjo është dhembshuria e familjes, ëmbëlsia e martesës”.

Jezusi vjen në jetën tonë konkrete  

Shpella e Betlehemit - nënvizoi Françesku në përfundim - na kujton  se Jezusi vjen në jetën tonë konkrete:

“E kjo është e rëndësishme. Të bësh një Shpellë të vogël Betlehemi në shtëpi, gjithnjë! Ajo të kujton se Zoti erdhi mes nesh, lindi për ne, na shoqëron në jetë, është njeri si ne, u bë njeri, si ne”.

Në jetën e përditshme nuk jemi më vetëm! Ai banon në ne. Nuk i ndryshon magjikisht sendet, por nëse e pranojmë, gjithçka mund të ndryshojë!

Urimi i Papës   

E, në përfundim, urimi i Papës:

“Ju uroj, atëhere, ta bëni Shpellën e Betlehemit e ky të jetë rast për ta ftuar Jezusin në jetën tuaj. Kur e bën Shpellën e Betlehemit në shtëpi, është njëlloj si të hapësh portën e të thuash: ‘Urdhëro brenda, Jezus!’”.

Të bësh Shpellën e Betlehemit, do të thotë ta bësh konkrete afërsinë, ftesën drejtuar Jezusit që të vijë e të hyjë në jetën tonë. Sepse kur Ai jeton në jetën tonë, ajo rilindet. E vetëm kur jeta rilind, atëherë është vërtet Krishtlindje.

Gëzuar Krishtlindjen, të gjithëve!

18 dhjetor 2019, 12:29