Papa në Sheshin e Spanjës Papa në Sheshin e Spanjës 

Papa në Sheshin e Spanjës ia beson Marisë ata, që e kanë humbur besimin dhe shpresën

Sot, 8 dhjetor, solemniteti i Zojës së Papërlyer, Papa Françesku shkoi, si çdo vit, në Sheshin e Spanjës, për t’u lutur përballë monumentit, që i kushtohet Virgjërës Mari. E në lutje theksoi se korrupsioni i zemrës është “rrezikun më i rëndë”. Më pas e falënderoi Zotin, që na dha një nënë Hirplote, e cila na kujton fitoren e Krishtit mbi të keqen.

R. SH. - Vatikan

Pasdite Papa u nis nga Shtëpia e Shën Martës, për të shkuar në Sheshin romak të Spanjës e për të nderuar Zojën. Por së pari deshi të gjunjëzohej para Zojës Salus Populi Romani, në bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Më pas, një gjunjëzim tjetër, rreth orës 15.40 tek këmbët e shtatores të Zojës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX, më 1854.

Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30, një zjarrfikës i dhuroi Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Ndërsa lulet e para te këmbët e kësaj shtatoreje i pati vënë Papa Piu XII, më 1957.

E sot edhe Françesku, sipas traditës, i dhuroi përsëri Zojës kompozimin me lule të bardha dhe i drejtoi lutjen e dalë nga zemra, në emër të popullit shenjt të Zotit, të familjeve, të fëmijëve, të rinjve, të pleqve, të sëmurëve, të  burgosurve, edhe në emër të atyre, që kishin ardhur nga toka të largëta:

Lutja e Papës Françesku, drejtuar Marisë

O Zojë e Papërlyer!

Po mblidhemi përsëri rreth teje.

Sa më shumë ecim përpara në jetë,

aq më mirënjohës jemi ndaj Zotit

që na dha ne, mëkatarëve një nënë:

Nënë si Ti,  të papërlyer.

Ndërmjet të gjitha qenieve njerëzore, ti je e vetmja

që u ruajt nga mëkati, si Nënë e Krishtit,

Qengjit të Zotit, që shlyen mëkatin e botës!

Po ky privilegj krejt i veçantë

t’u dhurua për të mirën e ne të gjithëve, bijve të tu.

Sepse, kur të shikojmë Ty, shikojmë fitoren e Krishtit,

ngadhënjimin e dashurisë së Zotit mbi të keqen.

Atje ku e teproi mëkati, domethënë, në zemrën njerëzore,

u dikua begatisht hiri,

nëpërmjet pushtetit të butë të Gjakut të Krishtit.

Ti, Nënë, na kujton se, po, jemi mëkatarë,

por jo më skllevër të mëkatit!

Biri yt, me Flijimin e Tij,

e shembi sundimin e së keqes e ngadhënjeu mbi botën.

Kjo i tregon të gjitha breznive Zemrën tënde,

të kulluar si qielli, kur era i davarit retë.

E kështu ti na kujton se nuk është e njëjta gjë

të jesh mëkatar e të jesh i korruptuar; është krejt ndryshe.

Një gjë është të rrëzohesh e pastaj, i penduar, të rrëfehesh

e të ngrihesh përsëri në këmbë

me ndihmën e Zotit;

e gjë tjetër, bashkëfajësia hipokrite me të keqen,

korrupsioni i zemrës, që përjashta duket e panjollë,

por përbrenda është plot me ndjete të këqija,

me egoizëm meskin.

Pastria jote e kulluar na kërkon sinqeritet,

transperencë, thjeshtësi.

Sa nevojë kemi, o Zojë, të çlirohemi

nga korrupsioni i zemrës, që është rreziku më i madh!

Kjo na duket e pamundur, aq jemi mësuar me të,

e pra e prekim me dorë. Por, mjafton të ngremë sytë

 e të shohim buzagazin tënd,

bukurinë tënde të papërlyer,

për ta ndjerë përsëri se nuk u bëmë për të keqen,

por për të mirën, për dashurinë e Zotit!

Prandaj, o Virgjëra Mari,

sot po t’i besoj të gjithë ata që, në këtë qytet,

e në mbarë botën, shtypen nën barrën e mosbesimit

e të ligështimit për shkak të mëkatit;

sa e sa njerëz mendojnë se për ta nuk ka ma kurrfarë shprese,

se fajet e tyre janë shumë e tepër të rënda,

e se, sigurisht, Zoti nuk ka kohë për të humbur me ta.

Po i lëshoj në dorë tënde, sepse ti jo vetëm që je nënë

e si e tillë nuk pushon kurrë s’i dashuri bijtë e tu,

por je edhe e papërlyer, hirëplote,

e mund ta lëshosh edhe në terrinat më të dendura

një rreze nga drita  e Krishtit të Ngjallur.

Ai, vetëm Ai, i copëton zinxhirët e së keqes,

i zhduk veset më të ndyra, i zgjidh leqet më kriminale,

i prek zemrat më të ngurta.

E nëse kjo ndodh në shpirtin e njerëzve,

si ndërron edhe fytyra e qyteteve!

Në gjestet e vogla e në vendimet më të rëndësishme,

rrethet veskëqia bëhen pak nga pak virtuoze;

cilësia e jetës përmirësohet

e klima shoqërore bëhet më përtëritëse.

Të falënderojmë, o Nënë e Papërlyer,

që na kujton se, nëpër dashuri të Jezusit,

ne nuk jemi më skllevër të mëkatit,

por të lirë: të lirë të duam, të lirë të duhemi,

të ndihmohemi si vëllezër, edhe pse ndryshojmë.

Të falemi, o Zojë! Ti Nënë e papërlyer,

 me dlirësinë tënde, ti na jep zemër

të mos turpërohemi nga e mira, por nga e keqja;

na ndihmon të rrimë larg djallit,

që  na josh me mashtrime drejt tij e dredhave të vdekjes!

na e dhuro, të lutemi, kujtimin e ëmbël se jemi bij të Zotit,

Atit të mirësisë së pambaruar,

gurrës së amshuar të jetës, të bukurisë, e të dashurisë”. Amen!

08 dhjetor 2019, 17:08