Kërko

Vatican News

Papa, në meshën për Virgjërën e Gudalupes: Mari është grua, nënë e “metise”

Në ditën kur Kisha kremtoi festën e Zojës së Guadalupes, Pajtores së Amerikës Latine, Papa Françesku kryesoi kremtimin eukaristik të solemnitetit, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Maria nuk e paraqiti kurrë veten si bashkë-shëlbuese, por si dishepulle besnike. U bë një metise, për të qenë nëna e të gjithëve: këto, fjalët e Papës.

R.SH. - Vatikan

Maria: grua, nënë e metise. Këto ishin fjalët e Papës Françesku në homelinë e meshës së kremtuar mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, në solemnitetin e Zojës së Guadalupes.

         Morenita, Pajtore e gjithë popujve që flasin spanjisht, mbrojtëse e “latinos” dhe e migrantëve, që përpiqen të kalojnë kufirin meksikan për të arritur në Shtetet e Bashkuara, Virgjëra e Guadalupes, drejt së cilës shtegtojnë çdo vit mbi 20 milion besimtarë, ishte në qendër të homelisë së djeshme të Papës, në një meshë, që është bërë tashmë traditë e kësaj papnie. Veshjet e çmuara shumëngjyrëshe, puplat e indiosve, tamburët dhe këngët e korit të Kolegjit Pio Latinoamerikan, së bashku me atë të Kapelës Sikstine, e shndërruan Bazilikën e Vatikanit në një copëz toke latine.

         Pa letër, Papa Françesku reflektoi mbi figurën e Marisë. Zoja, tha Ati i Shenjtë gjatë homelisë në gjuhën spanjolle, “u bë metise për të qenë një gjë e vetme me njerëzimin”. E, duke kujtuar fytyrën e zeshkët të Virgjërës së Guadalupes,  përfundoi: “Deshi të ishte metise, jo vetëm iu duk Huan Diegos, u bë metise për të qenë Nëna e të gjithëve, u shkri me njerëzimin. Pse e bëri këtë? Sepse ajo ‘u shkri’ me Zotin, ky është misteri i madh. Maria, nënë metise, që lindi Zotin, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, në Birin e tij Jezus”.

13 dhjetor 2019, 09:23