Kërko

 Papa nëshkruan Letrën mbi altarin e Shpellës së Betlehemit Papa nëshkruan Letrën mbi altarin e Shpellës së Betlehemit 

Papa në Greçio: ndajeni gëzimin, me kë është i trishtuar; shpresën, me kë e humbi

Pas 2016-tës, Papa rikthehet në Greçio, për të vizituar Shpellën e Betlehemit e për t’u lutur aty ku, për herë të parë, Shenjti i Asizit deshi ta rikrijonte ngjarjen e Lindjes së Krishtit. Aty e nënshkroi edhe Letrën Apostolike “Admirabile signum” drejtuar gjithë besimtarëve.

R. SH. - Vatikan

Sot Papa ishte përsëri shtegtar në trojet e të Vobegtit të Asizit, duke hapur, kështu, në një mënyrë që sigurisht do të kujtohet gjatë, Kohën e Ardhjes. Për ta pritur kishte dalë gjithë popullsia e qytetit, duke krijuar një atmosferë gëzimi,  karakteristike vetëm për Krishtlindje.

Nënshkrimi i Letrës kushtuar Shpellës së Betlehemit

Nisi me përshëndetjet e ipeshkvijve dhe të kryebashkiakut, vizita, për të vijuar me kundrimin, përballë afreskut të shkollës gjoteske, të skenës që ia ndryshoi faqen historisë. Aty Papa u lut i vetëm, në heshtje, për pak minuta. E më pas, pikërisht mbi altarin e Shpellës, nënshkroi Letrën “Admirabile signum”, dhuratë për gjithë Popullin e Zotit, për të rikujtuar  kuptimin edhe vlerën e Shpellës së Betlehemit.

Të kuptojmë themeloren

Si doli nga Shpella, para Kishës së Shenjtores, e priste një kor fëmijësh të Greçios dhe të Rietit, që këndoi për të një fragment nga  shfaqja muzikore “Forca, ejani njerëz!”, kushtuar jetës së Shën Françeskut.

Fjalët e Papës në Greçio

“Sa mendime vërshojnë në mendje në këtë vend shenjt! - kujtoi Françesku në përfundim të vizitës - E megjithatë, përballë shkrepave të këtyre maleve aq të dashura për Shën Françeskun, jemi të thirrur vetëm për një gjë: të rizbulojmë thjeshtësinë.

Shpella e thjeshtë, të cilën Shën Françesku e realizoi për herë të parë pikërisht në këtë hapësirë të vogël, në ngjasim të shpellës mbretërore të Betlehemit, flet vetë. Këtu nuk ka nevojë për shumë fjalë. Sepse skena, që e kemi parasysh, shpreh urtinë, për të cilën kemi aq nevojë që të mund të kuptojmë çka është më themelore në jetë.

Përpara Shpellës së Betlehemit zbulojmë sa rëndësi ka për jetën tonë, shpesh tejet të ethshme, të gjejmë çaste heshtjeje e lutjeje. Heshtje, për të kundruar fytyrën e Krishtit Fëmijë, Birit të Zotit, lindur në varfëri, në një stallë. Lutje, për të shprehur “falënderimin”, të mahnitur përpara kësaj dhurate të pamasë dashurie, që na bëhet.

Në këtë shenjë, të thjeshtë e mahnitëse, të Shpellës së Betlehemit, që përshpirtëria popullore e bëri të vetën  dhe e përcolli nga breznia në brezni,  shprehet misteri i madh i fesë sonë: Zoti na do aq, sa të bëhet njeri si ne, të jetojë, si ne. Nuk na lë kurrë vetëm; na shoqëron me praninë e Tij të fshehur, por jo të padukshme. Në çdo rrethanë, në gaz e në vaj, Ai është Emmanueli, Zoti me ne!

Ashtu si barinjtë e Betlehemit, t’i përgjigjemi ftesës për të vrapuar tek Shpella, për ta parë e për ta pranuar shenjën, që na e dha vetë Zoti. Atëhere zemra jonë do të jetë plot me gëzim! E do të mund ta çojmë këtë gëzim, atje ku ka trishtim! Zemra do të jetë plot shpresë. E do të mund ta ndajmë këtë shpresë, me atë që e humbi!

Ta vëmë veten në vend të Marisë, që e vendosi të Birin në grazhd, sepse për të nuk pati vend në asnjë shtëpi. Me të, e me Shën Jozefin, fatin e saj,  t’ia ngulim sytë Krishtit Fëmijë. Buzëqeshja e Tij, që mungulloi atë natë,  e shpërndaftë indiferencën e i haptë zemrat për gëzimin e njeriut, i cili e ndjen se duhet nga Ati, që është në qiell!".

Tani Papa kthehet në Vatikan, ku përgatitet për kremtimet e kësaj Kohe aq të pasur të me kremtime! Duke nisur nga Solemniteti i Zojës së Papërlyer.

01 dhjetor 2019, 17:47