Papa në Engjëllin e Tënzot: si Jozefi, t’ia besojmë veten Zotit

Para lutjes së Engjëllit, Papa Françesku komentoi Ungjillin e së Dielës IV të Kohës së Ardhjes, duke u ndaluar tek roli i Jozefit në historinë e shëlbimit, si rojtar e atë tokësor i Jezusit. Feja e tij e ndihmoi ta pranojë një situatë kaq shqetësuese e edhe “krejt të pakuptueshme”, atë të Jezusit, që kërkon të pranohet në planet tona.

R. SH. - Vatikan

Besimi i patundur në Zotin e ndihmon Jozefin të pranojë një situatë shqetësuese e edhe ‘të pakuptueshme’: atë të  vashës, që pret një fëmijë, për virtyt të Shpirtit Shenjt. Shembulli i tij na ndihmoftë ta kuptojmë “logjikën mahnitëse të Zotit, logjikë, që hap horizonte të reja drejt Krishtit e Fjalës së Tij”. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u ndaluar tek figura e Jozefit, protagonist i Ungjillit të së Dielës IV e të fundit të Kohës së Ardhjes, në sjelljen e të cilit - shpjegoi – “përmblidhet e gjithë urtia e krishterë".

Jozefi, i varfër në shpirt, kërkon të bëjë vullnetin e Zotit

I fejuari i Marisë, së bashku me Gjon Pagëzuesin e vetë të Lumen Zojë, është njëri nga tre personazhet, që propozon liturgjia e Kohës së Ardhjes. E - kujtoi Papa - është edhe më i thjeshti. Nuk predikon, nuk flet, nuk ankohet. Ka vetëm një dëshirë: të bëjë vullnetin e Zotit, me stilin e njeriut të varfër në shpirt, sepse jeton çka është kryesore, si ata që janë të vetëdijshëm se gjithçka varet nga Zoti e, prandaj e mbështesin në Të, gjithë besimin e tyre.

Mendon ta lëshojë Marinë, për t’ia respektuar dinjitetin

Françesku u ndalua tek situata e rëndë, shqetësuese e Jozefit dhe e Marisë: “Janë të fejuar, nuk banojnë ende nën një çati, po ajo pret një fëmijë, për virtyt të Zotit”. Jozefi – vijoi Papa - përballë kësaj së papriture, natyrisht mbetet tejet i trazuar por, në vend që të veprojë me rrëmbesë, duke e dënuar aty për aty Marinë, kërkon një rrugëzgjidhje më të urtë, për ta respektuar deri në fund Vashën e tij. Kështu, në vend që ta akuzojë publikisht - siç rrëfen Ungjilli i Mateut - vendos ta lërë pa bujë. Jozefi, njeri i drejtë - nënvizoi Papa Françesku - e dinte mirë se po ta padiste të fejuarën, do t’i krijonte një situatë tejet të rrezikshme, që mund ta çonte edhe drejt vdekjes. Atëhere, ndonëse nuk e humbet kurrë besimin tek Maria, të cilën e zgjodhi për nuse, kjo rrethanë kaq e pashpjegueshme e shtyn ta vërë në diskutim lidhjen e tyre. Jo pa vuajtje, vendos të ndahet prej saj, pa bërë shkandull:

“Por Engjëlli i Zotit ndërhyn e i thotë se vendimi i tij nuk ishte ai, që  dëshironte Zoti. E Zoti vetë i hap një rrugë të re, të jashtëzakonshme, bashkimi, dashurie, lumturie”.

Engjëlli i thotë Jozefit: “Mos ki frikë ta marrësh Marinë!”

Jozef - i thotë Engjëlli - mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd. Fëmija, që u zu në të, vjen nga Shpirti Shenjt:

“Jozefi i beson plotësisht Zotit, i dëgjon fjalët e Engjëllit dhe e merr me vete Marinë. Pikërisht ky besim i patundur në Zotin e ndihmoi të pranojë një situatë tepër të vështirë për t’u kuptuar nga mendja njerëzore e madje, në një farë mënyre, edhe të papranueshme”.

Jozefi, rojtar e atë tokësor i Jezusit

Jozefi kupton, në fe, se fëmija i zënë në barkun e Marisë nuk është i biri i tij, por i Zotit e se ai, Jozefi, “do të jetë rojtar, duke e marrë mbi vete plotësisht detyrën e atit tokësor të foshnjës”:

“Shembulli i këtij burri të butë e të urtë na nxit t’i lartojmë sytë e të shikojmë tutje. Bëhet fjalë për të kuptuar logjikën mahnitëse të Zotit që, larg llogarive të vogla e të mëdha, hap horizonte të reja, drejt Krishtit e Fjalës së Tij”.

T’ia besojmë Jezusit planet tona

“Maria e Jozefi - përfundoi Papa - na ndihmofshin ta dëgjojmë Fjalën e Jezusit që vjen e kërkon t’ia lëshojmë kryet e vendit në planet tona e në rrugët tona”.

22 dhjetor 2019, 15:41