Kërko

 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa në audiencën e përgjithshme: “Nëse zgjedh Krishtin, nuk mund të rendësh pas magjistarit”

Françesku, në katekizmin e sotëm, nënvizoi: “Zotin nuk e njohim përmes praktikave të fshehta, por përmes dëftimit e dashurisë, që dhurohet”. Magjia, shtoi, nuk është e krishterë. Papa i nxiti barinjtë të rrinë zgjuar, për ta ruajtur grigjën.

R. SH. - Vatikan

Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, vijoi të flasë për “shtegtimin e Ungjillit nëpër botë”, ashtu siç rrëfehet në Veprat e Apostujve. Në qendër të vëmendjes, në katekizmin e sotëm, ishte fragmenti biblik kushtuar shërbesës së Palit në Efez. Falë Palit - kujtoi Papa - rreth dymbëdhjetë vetë marrin Pagëzimin në emër të Krishtit. Të shumta, janë, pastaj mrekullitë, që ndodhin përmes Apostullit: të sëmurët shërohen, të pushtuarit nga djalli, çlirohen; e kjo ndodh sepse dishepulli i ngjet Mësuesit:

“Pushteti i Zotit, që shpërthen me gjithë vrullin e tij në Efez, ua çjerr maskën të gjithë atyre, të cilët duan ta përdorin emrin e Jezusit për t’i çliruar të pushtuarit nga djalli, por pa autoritetin shpirtëror për ta bërë këtë. Zbulon njëkohësisht, edhe dobësinë e arteve magjike, nga të cilat shumë vetë largohen përgjithmonë, duke i braktisur magjistarët, për të zgjedhur Krishtin. Ishte një përmbysje e vërtetë e situatës, për një qytet si Efezi, qendër e famshme për praktika magjish. Nëse zgjedh Krishtin, nuk mund të rendësh tek magjistari; feja është lëshim besimplotë në duart e një Zoti, plot me shpresë se Ai nuk njihet përmes praktikave okulte, për përmes zbulesës dhe dashurisë pa shpërblim”.

Edhe sot - nënvizoi Papa - të krishterët praktikantë shkojnë tek magjistarët, duke harruar se “magjia nuk është e krishterë”. E nuk janë të krishtera as shumë gjëra të tjera - shtoi - që bëhen për të  zbuluar të ardhmen ose për të ndryshuar rrjedhën e jetës.

Rrini zgjuar, pranë grigjës!

Duke përshkruar shërbesën apostolike të Palit, Papa Françesku kujtoi se “fjala e tij e lamtumirës”, një tip testamenti shpirtëror, drejtuar nga Apostulli atyre, që pas nisjes së tij, do t’i prinin bashkësisë së Efezit, është një nga faqet më të bukura, që lexojmë në librin kushtuar “Veprave të Apostujve:

“Duke dashur t’u japë zemër, Pali i inkurajon  barinjtë e bashkësisë, të cilën e di mirë se po e shikon për herë të fundit. E çfarë u thotë atyre? Rrini zgjuar mbi vetveten e mbi gjithë grigjën! Bariu duhet të rrijë zgjuar, famullitari duhet të rrijë zgjuar, nuk duhet të mbyllë sy; meshtarët duhet të rrinë zgjuar, ipeshkvijtë, papa - duhet të vigjilojnë. Kjo do të thotë të jesh gjithnjë syhapur, për ta ruajtur grigjën e për ta ruajtur edhe vetveten, duke e rrëmuar ndërgjegjen e duke e parë si po e kryen detyrën e vigjilimit”.

Të përtërihet gjithnjë dashuria për Kishën

Pali, në fund, i inkurajon drejtuesit e bashkësisë, në këtë takim të përmallshëm, sepse i fundit:

“Rrini zgjuar mbi vetveten e mbi gjithë grigjën, në mes të së cilës ju caktoi Shpirti Shenjt si rojtarë, për të qenë barinj të Kishës së Zotit, që e fitoi me gjakun e të Birit”.

E, pasi ua besoi këtë detyrë krerëve të Efezit, Pali e la në dorë të Zotit e ia besoi Fjalës së hirit të Tij:

“Të dashur vëllezër e motra, t’i kërkojmë Zotit ta përtërijë në shpirtin tonë dashurinë për Kishën e për depozitën e fesë, që ajo e ruan, e ta mbrojmë të gjithë bashkë edhe grigjën, duke i ndihmuar me lutje barinjtë, që ndër ta njerëzit të mund të shohin vendosmërinë e dhembshurinë e Bariut Hyjnor”.

04 dhjetor 2019, 13:04