Kërko

Papa para shtatores së Zojës Papa para shtatores së Zojës 

Papa: mariologjia, e nevojshme për të ushqyer dialogun dhe vëllazërimin ndërmjet kulturave

Françesku dërgoi një mesazh për sesionin e 24-të publik të Akademive Papnore dhe dha një çmim ex aequo për impenjimin në teologji të Carme López Calderón dhe të rev. Ionuț-Cătălin Blidar

R.SH. - Vatikan

“Akademia është vend ku dija bëhet shërbim, sepse pa dijen, që lind nga bashkëpunimi dhe sjell rezultate përmes bashkëpunimit, nuk ka zhvillim njerëzor të vërtetë dhe të gjithanshëm. Në fushën e vet, Akademia është përvojë dhe model sinodaliteti. Është edhe forcë ungjillëzuese, e cila i përket së tashmes së Kishës dhe misionit të saj”.

Me këto fjalë, e hap Papa Françesku mesazhin e tij për seancën solemne publike të shtatë Akademive Papnore, Këshilli Koordinues i të cilave kryesohet nga kardinali Gianfranco Ravasi. Takimi i sotëm organizohet nga Akademia Papnore Mariane Internationalis, që këtë vit feston 60-vjetorin e themelimit nga shën Gjoni XXIII, më 8 dhjetor 1959.

Maria, model i një Kishe, mësuese humaniteti

         Papa reflekton shkurtimisht mbi temën e sivjetme: “Maria, rrugë e paqes ndërmjet kulturave” e në tekst, thekson rëndësinë që i kanë dhënë papët mariologjisë.

“Përvoja dramatike e dy luftërave botërore e shtyu Piun XII t’i tregojë njerëzimit të shqetësuar e të frikësuar një fener paqeje, në shenjën e Zojës së Ngjitur në Qiell. Koncili II i Vatikanit, më pas, e shenjoi Nënën e Zotit si modelin e një Kishe ‘mësuese humaniteti’, pasi shërbëtore e aspiratave më të thella të zemrës së njeriut”.

Fitorja e shpresës mbi ankthin

         Tek shën Pali VI - shkruan Papa Bergoglio - lidhja ndërmjet Virgjërës Shenjte dhe popullit besimtar tingëllon lart, qartë, e vetëdijshme dhe emocionuese. E, njeriut bashkëkohor, shtypur nga ankthi dhe vetmia, Virgjëra i jep një vizion të qetë dhe të sigurt: fitoren e shpresës mbi ankthin, të paqes mbi turbullimin.

“Është fitorja e shpresës mbi ankthin, e bashkimit mbi vetminë, e paqes mbi turbullimin, e gëzimit dhe e bukurisë mbi mërzinë dhe zvjerdhjen, e perspektivave të amshimit mbi ato të përkohshme, e jetës mbi vdekjen”.

Maria, pjesë e çështjeve të rëndësishme

         Ndërsa, shën Gjon Pali II bëri që “Nëna e Shëlbuesit të kthehej në arsye e në frymëzim për përtëritjen e takimit e për rigjetjen e vëllazërimit, si mënyra për të hyrë në Kishë dhe në botën e mijëvjeçarit të ri”. Ai deshi me forcë që mariologjia të kishte një rol të rëndësishëm në formimin teologjik universitar dhe në dialogun ndërmjet dijeve të ndryshme, duke shpresuar se kjo degë do të hynte e do të mund të kontribuonte në përgjigjet për pyetjet thelbësore të kohës sonë.

Mariologjia, prani dialogu

         E duke përmendur Benediktin XVI, Papa Françesku kujton sa herë i nxiti studiuesit ta shqyrtojnë lidhjen ndërmjet mariologjisë dhe teologjisë së Fjalës. Në fakt, vëren Françesku, Akademia Papnore Mariane e ka shoqëruar magjisterin universal të Kishës me punën kërkimore dhe me koordinimin e studimeve mariologjike:

“Këto impenjime janë dëshmi e qartë se mariologjia është prani e domosdoshme në dialogun ndërmjet kulturave, e aftë të ushqejë vëllazërimin dhe paqen”.

Çmimi i Akademive Papnore

         Papa thekson edhe lidhjen gjithnjë të frytshme ndërmjet Ungjillit dhe kulturës, në kuadrin e së cilës duhet parë edhe Çmimi i Akademive Papnore: këtë vit çmimi prestigjioz iu dha “ex aequo”, Dr.shës Carme López Calderón, për veprën "Grabados de Augsburgo para un ciclo emblemáticoportugués. Los azulejos de la iglesia del convento de Jesús de Setúbal”, dhe Rev. Ionuț-Cătălin Blidar, për studimin me titull “Humaniteti i papërlyer i Marisë - ikonë e Fjalës së Zotit, plotësimi i fisit të zgjedhur dhe fryt i pemës së kryqit”.

04 dhjetor 2019, 18:26