1576921637409.JPG

Papa: Kuria Romake ndryshon për t’i shërbyer më mirë njerëzimit

Gjatë takimit tradicional për shkëmbimin e urimeve të Krishtilindjes, Papa Françesku i foli Kuries Romake për ndryshimet aktuale të institucioneve vatikanase, duke theksuar nevojat dhe objektivat e dikastereve të rinj. Ndryshojmë, theksoi Ati i Shenjtë, për të kapërcyer ngurtësinë dhe frikën e për ta kumtuar më mirë Ungjillin në një botë të çkristianizuar.

R.SH. - Vatikan

Në botën që ndryshon, Kuria Romake nuk ndryshon sa për sy e faqe, “për të ndjekur modën”. Zhvillimin dhe rritjen, Kisha i jeton nga perspektiva e Zotit; në fund të fundit, historia e Biblës është e gjitha “udhë e shenjuar nga fillime e nisje”. Ja përse, edhe një nga shenjtorët e rinj, kardinali John Henry Newman, kur fliste për “ndryshime”, nënkuptonte “kthesën”, kthimin në rrugën e Zotit.

Sfida dhe inercia

 Para se të fliste për temat, që i ka për zemër e para se të shkëmbente urimet e Krishtlindjes me bashkëpunëtorët e tij të parë në Kurien Romake, Papa Françesku e përgatiti auditorin e pranishëm në Sallën Klementine të hynte në mendimin e bindjen, që e shoqëron papninë e tij që nga fillimi: kjo e sotmja “nuk është thjesht një epokë ndryshimesh, por është ndryshim epoke”. Duhet t’i lejojmë sfidat e kësaj kohe të na shtrojnë pyetje, nënvizoi Ati i Shenjtë, për t’u përballur me to me zgjuarsi dhe guxim, në vend që të joshemi nga inercia e rehatshme për ta lënë gjithçka ashtu siç është:

“Shpesh, ndodh të jetohet ndryshimi thjesht duke veshur një rrobe të re, por, pastaj, në të vërtetë, mbetemi si më parë. Më vjen ndërmend shprehja enigmatike, që lexohet në një roman të famshëm italian: ‘Nëse duam që gjithçka të mbetet ashtu siç është, gjithçka duhet të ndryshojë’ (në “Il Gattopardo”, Giuseppe Tomasi di Lampedusa)”.

Ndërmjet risive e kujtesës

 Premisa e gjatë e Papës vijoi pastaj me temën e reformës së Kuries Romake, e cila, pohoi Françesku, “nuk ka pasur kurrë pretendimin të veprojë sikur të mos kishte ekzistuar asgjë më parë”, por është munduar “të vlerësojë gjithçka të mirë është bërë në historinë e ndërlikuar” të saj.

“E kemi për detyrë ta vlerësojmë historinë, për të ndërtuar një të ardhme me baza të qëndrueshme, e cila ka rrënjë dhe mund të na projektojë drejt ardhmërisë së frytshme. T’i bësh thirrje kujtesës nuk do të thotë të ngulësh këmbë për të mbrojtur vetëm veten, por të kujtosh jetën dhe gjallërinë e një rruge në zhvillim të vazhdueshëm. Kujtesa nuk është statike, është dinamike. Për nga natyra e saj, e nënkupton lëvizjen”.

Të ndryshojmë, për të kumtuar Ungjillin

Më pas, Papa Françesku foli për “disa risi në organizimin e Kuries, siç është lindja, në fund të vitit 2017, të Seksionit të Tretë të Sekretarisë së Shtetit (Seksioni për personelin diplomatik të Selisë së Shenjtë), së bashku me ndryshime të tjera në “marrëdhëniet ndërmjet Kuries Romake dhe Kishave të veçanta”, si edhe në “strukturën e disa dikastereve, veçanërisht në atë për Kishat Lindore e në ata për Dialogun ekumenik e ndërfetar, sidomos me hebraizmin”. Ristrukturimi i dikastereve ekzistuese e lindja e të rinjve u përcaktua nga vetëdija - e dukshme që në kohën e Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI – se bota e sotme nuk e ndjek më Ungjillin si në të kaluarën, shpjegoi Papa Françesku.

Duke iu referuar Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve, Papa vërejti se kur “u krijuan, ndodheshim në një epokë kur ishte më e thjeshtë të dalloheshin dy palë të përcaktuara mirë: bota e krishterë, nga njëra anë dhe, bota për t’u ungjillëzuar, nga ana tjetër”.

“Tani kjo gjendje nuk ekziston më. Popullsitë, që nuk e kanë dëgjuar ende Ungjillin, nuk jetojnë aspak vetëm në kontinentet jo-perëndimore, por banojnë kudo, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane, të cilat kanë nevojë për një kujdes të veçantë baritor. Në qytetet e mëdha kemi nevojë për ‘harta’ të tjera, paradigma të tjera, që të na ndihmojnë të ripropozojmë mënyrën tonë të të menduarit dhe qëndrimet tona: nuk jemi në krishterim, jo më!”

Ungjilli dhe kultura dixhitale

 Për këtë arsye, rimodelimi i institucioneve të Vatikanit e mori shtysën nga nevoja për një kumtim të përtërirë të Ungjillit. Gjithçka - zakonet, stilet, oraret, gjuha, pati sqaruar Papa edhe në “Evangelii gaudium” - duhet të jetë “një kanal i përshtatshëm për ungjillëzimin e botës së sotme, më shumë se për vetëmbrojtje”. Kësaj nevoje i përgjigjet lindja e Dikasterit për Komunikimin, vijoi Ati i Shenjtë, një entitet që bashkon nëntë media të Vatikanit, më parë, të ndara. Nuk është thjesht një lloj “grupimi i koordinuar”, saktësoi Françesku, por një mënyrë “harmonizimi”, që të kemi “një ofertë më të mirë shërbimesh” në një “kulturë gjerësisht të dixhitalizuar”.

“Kultura e re, shenjuar nga faktorët e konvergjencës dhe multimedialitetit, ka nevojë për një përgjigje të përshtatshme nga Selia Apostolike, në fushën e komunikimit. Sot, në vend të shërbimeve të ndara, mbizotëron forma multimediale e kjo përcakton edhe mënyrën e konceptimit, të mendimit dhe të transmetimit të këtyre shërbimeve. Së bashku me ndryshimin kulturor, e gjithë kjo nënkupton një shndërrim institucional dhe personal për të kaluar nga puna në sektorë të veçantë - që në rastet më të mira kishin një farë koordinimi - në punën e lidhur nga brenda, në sinergji”.

Një strukturë, shumë shërbime

 I njëjti fat i takoi edhe Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, themeluar për ta bërë më koherente e më të bashkuar punën, që më parë e bënin Këshilli Papnor për Drejtësi dhe Paqe, ai Cor Unum, ai i Baritorisë së Migrantëve dhe ai i Punonjësve të Shëndetësisë.

“Kisha është e thirrur për t’u kujtuar të gjithëve se nuk është fjala vetëm për çështje shoqërore apo migratore, por për njerëz, për vëllezër e motra, që sot janë simbol i gjithë të mënjanuarve të shoqërisë së globalizuar. Është e thirrur të dëshmojë se për Zotin askush nuk është ‘i huaj’, ose ‘i përjashtuar’. Është e thirrur t’i zgjojë ndërgjegjet, që flenë me indiferentizëm para realitetit të Detit Mesdhe, i cili është bërë varrezë për shumë, tepër njerëz”.

Dashuria e mund plogështinë

Kështu, ndërmjet “sfidave të mëdha” dhe “ekuilibrave të domosdoshëm”, Kisha dhe Kuria Romake e para, duhet ta shikojnë njerëzimin si vend ku të gjithë janë “bij të një Ati Qiellor”. Papa Françesku pranoi se ka vështirësi në zbatimin e ndryshimeve kaq të mëdha, nënvizoi nevojën për të ecur hap pas hapi, duke pasur parasysh edhe “gabimin njerëzor”. “Lidhur me këtë proces të vështirë historik, - theksoi Papa – ekziston gjithmonë tundimi për të ngulur këmbë në të kaluarën (madje, edhe duke përdorur formulime të reja), sepse është më e sigurt, më e njohur dhe, sigurisht, më pak konfliktuale”.

“Këtu është e nevojshme të tërheqim vëmendjen ndaj tundimit për të qenë të ngurtë. Ngurtësia, që vjen nga frika e ndryshimit dhe përfundon në vendosjen e pengesave në terrenin e së mirës së përbashkët, duke e kthyer në një fushë të minuar moskomunikimi dhe urrejtjeje. Të kujtojmë gjithmonë se prapa çdo ngurtësie fshihet një çekuilibër. Ngurtësia dhe çekuilibrimi ushqejnë njëri-tjetrin në një rreth vicioz”.

 Fjalët e fundit, Papa i mori nga kardinali i ndjerë Martini, i cili, në prag të vdekjes, pati thënë: “Kisha ka mbetur dyqind vjet mbrapa. Pse vallë nuk shkundet? Kemi frikë? Frikë, në vend të guximit? Po feja është themeli i Kishës. Feja, besimi, guximi. ...Vetëm dashuria e mund plogështinë”.

21 dhjetor 2019, 12:24