Kardinali Prosper Stanley Grech Kardinali Prosper Stanley Grech 

Papa kujton kardinalin Grech për dëshminë shembullore të fesë

Papa dërgon një telegram ngushëllimi për vdekjen e kardinalit maltez, Prosper Grech. Mesha e Dritës për kardinalin e ndjerë, do të kremtohet më 2 janar, në Bazilikën e Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

Papa dërgoi një telegram ngushëllimi për vdekjen e kardinalit maltez Prosper Grech. Në mesazhin, drejtuar Eprorit të Urdhërit të Shën Agostinit, në të cilin bënte pjesë kardinali i ndjerë, Papa Françesku nënvizon  se “pati gjithnjë nderim të veçantë për dëshminë e tij personale  e rregulltare të jetës së krishterë, ashtu si dhe për shërbimin në formimin e breznive të reja, posaçërisht të meshtarëve. Duke kujtuar shërbimin e tij të gjatë e kompetent, kryer gjatë gjithë jetës si pedagog në universitete të ndryshme romake, ashtu si dhe shërbimin ndaj Selisë së Shenjtë - thekson akoma Papa - i lartoj lutjen time Zotit, që ta pranojë shpirtin e tij  në mbretërinë e amshuar të dritës e të paqes”.

Mesha e Dritës për kardinalin e Grech do të kremtohet në Bazilikën e Vatikanit të enjten, më 2 janar, në orën 11.30. Liturgjinë do ta kryesojë kardinali Giovanni Battista Re e, në përfundim të kremtimit eukaristik, Papa do të kryesojë ritin e “Ultima Commendatio” (Lëshimit në dorë të Zotit) dhe të Valedictio (Lamtumirës së fundit). 

31 dhjetor 2019, 14:57