Kërko

Papa Françesku dhe të moshuarit Papa Françesku dhe të moshuarit 

Papa Françesku: ta bëjmë botën më humane dhe të garantojmë të drejtat e të pamundurve

Në një mesazh për Ditën Botërore të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, Papa kujtoi se nevojitet ndryshimi i mendësisë për të mos lejuar të ekzistojnë qytetarë të kategorisë së dytë. Në fakt, të gjithë mund të japin kontributin e tyre për të mirën e përbashkët.

R.SH. - Vatikan

Në çdo vëlla dhe në çdo motër është i pranishëm vetë Krishti, “i cili e konsideron çdo gjest dashurie për njërin nga vëllezërit më të vegjël sikur t’ia kishim bërë Atij”. Por sot, është përhapur mjaft “kultura e hedhurinave”, prandaj, shumë njerëz me aftësi të kufizuara diskriminohen dhe mënjanohen, “e ndiejnë se ekzistojnë, pa i përkitur askujt e pa marrë pjesë askund”. Kështu e ngre zërin Papa Françesku, në një mesazh për Ditën Botërore të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, ku shpjegon se është e nevojshme jo vetëm të mbrohen të drejtat e këtyre personave dhe të familjeve të tyre, por edhe “duhet bërë bota më njerëzore, duke eliminuar gjithçka që e pengon qytetarinë e tyre të plotë, duke zhdukur paragjykimet, duke favorizuar mundësinë e shfrytëzimit të të gjitha ambienteve dhe duke rritur cilësinë e jetës, e cila duhet të ketë parasysh të gjitha përmasat e njeriut”.

Dinjiteti nuk varet nga përdorimi i të gjitha shqisave

         Çdo njeri është unik e i papërsëritshëm, prandaj, “me forcë e dhembshuri”, duhet t’i marrim përsipër gjendjet e vështira, duke u dhënë njerëzve të gjymtuar dinjitet, “që të marrin pjesë aktivisht në bashkësinë civile dhe kishtare”. Kjo, shkruan më tej Papa në mesazh, duhet bërë në çdo çast të jetës, pavarësisht nga kushtet e personit, “duke përdorur edhe teknologjitë aktuale, por pa i absolutizuar ato”. Dinjiteti i secilit, në të vërtetë, “nuk varet nga funksionimi i pesë shqisave” e çdo njeri, megjithëse me aftësi të ndryshme nga të tjerët, mund të japë një “kontribut të veçantë për të mirën e përbashkët”.

Diskriminimi është mëkat shoqëror

Duhen zhvilluar antikorpet “kundër asaj kulture, që i konsideron njerëzit, disa të kategorisë së parë e disa të kategorisë së dytë”, kërkon Ati i Shenjtë. Ky është “mëkat i vërtetë shoqëror”, kundër Ungjillit të Krishtit. Fatkeqësisht, është i pranishëm në shumë vende, ku njerëzit me aftësi të kufizuara, me vështirësi, konsiderohen si persona me dinjitet të barabartë, “vëllezër dhe motra në humanitet”.

Të mërguarit e fshehur

         Në shtëpitë tona, denoncon Papa Françesku, ka shumë “mërgimtarë të fshehur”, sidomos të moshuar, që shpesh, përjetohen si pesha të rënda, si njerëz që kërkojnë shumë impenjim, duke rrezikuar të mënjanohen, të mos u jepen perspektiva konkrete pune e të mos lejohen të ndërtojnë të ardhmen e tyre.  

Të ndryshohet mendësia

         Për të gjitha këto, nuk është e mjaftueshme të vendosen ligje të mira kundër pengesave arkitektonike, ose fizike: duhet “ndryshuar mendësia”. “Në këto vite”, nënvizon Françesku, “janë menduar dhe zbatuar procese për përfshirjen e njerëzve me aftësi të kufizuara, por akoma nuk janë të mjaftueshme, sepse, përveç barrierave fizike, paragjykimet shkaktojnë kufizime edhe në arsimimin, punësimin dhe pjesëmarrjen për të gjithë.

Inkurajimi i Papës

         Së fundi, Papa inkurajon “të gjithë ata që punojnë me njerëz me aftësi ndryshe ta vazhdojnë këtë shërbim dhe angazhim të rëndësishëm, i cili përcakton shkallën e qytetërimit të një kombi” dhe lutet “që çdo njeri të mund ta ndiejë vështrimin atëror të Zotit, i cili afirmon dinjitetin e plotë dhe vlerën e pakushtëzuar të jetës së tij”.

03 dhjetor 2019, 15:29