Papa Françesku në ekspozitën “100 Betleheme në Vatikan”

Pa lajmëruar askënd, pasditen e djeshme, Papa vizitoi ekspozitën “100 Betleheme në Vatikan”, organizuar jo larg nga Via della Conciliazione. Në mes të habisë dhe gëzimit të mjeshtrave zejtarë, Françesku u ndal të admironte më se 130 shpella të lindjes së Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Nga Greccio, në zemrën e krishterimit. Homazhi i Papës Françesku për ekspozitën e “100 Betlehemeve në Vatikan” ishte i papritur, pasi Ati i Shenjtë shkoi pa lajmëruar në sallën pranë via della Conciliazione, krejt afër Shën Pjetrit, ku 30 vende të botës kanë sjellë traditën e tyre të ndërtimit të shpellës ku lindi Krishti. Edhe me këtë gjest, Papa deshi të theksojë, siç nënvizohet në Letrën e tij Apostolike “Admirabile signum”, rëndësinë e asaj shenje, e cila i flet botës që prej dy mijë vitesh. Bergoglio mbërriti dje pasdite rreth orës 16.10, në Sallën Piu X, i shoqëruar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri. Aty admiroi më shumë se 130 shpella Betlehemi, me shën Marinë e shën Jozefin, në pritje të lindjes së Birit të Zotit.

Papa Françesku admiroi shpellat e Betlehemit

         Betlehemi i parë, ku u ndal Papa është krejt i veçantë. Brenda veprës ndodhet pikërisht vetë Ati i Shenjtë, me veladonin e bardhë, punuar me grep. Vizita vijoi ndërmjet Betlehemeve, realizuar nga mjeshtër zejtarë, që, me krenari, i treguan Françeskut krijimet e tyre. Shpellat e grazhdi i lindjes së Krishtit, punuar prej tyre, përdorin çdo lloj materiali, që nga materialet e ricikluara, si qelqi dhe letra, tek vizatimet e fëmijëve e tek sendet më të çmuara, si koralet. Rruga nga një Betlehem në tjetrin u shoqërua nga Kori i Dhomës i Shkollës “Kodály” të Budapestit, ardhur në Vatikan me një delegacion hungarez, që këndon këngë Krishtlindjeje. Pastaj Françesku bekoi ekspozitën, duke thënë një lutje.

Imzot Fisichella: Betlehemi ungjillëzon

         Në përfundim, Imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, nënvizoi se vizita e Papës konfirmoi çfarë shkruhet në Letrën “Admirabile signum” për kuptimin dhe vlerën e Betlehemit. “Fakti që Papa deshi ta vizitonte ekspozitën, nga e cila mbeti i mahnitur e i mrekulluar, - tha kryetari i dikasterit vatikanas - nënvizon edhe një herë se Betlehemi është vepër e vërtetë ungjillëzimi”. Imzot Fisichella vërejti se Françesku u ndal para çdo shpelle dhe pati fjalë të mira për çdo ekspozues. “Papa u interesua për çdo shpellë Betlehemi - shtoi ai - duke treguar sa e rëndësishme është afërsia me këto gjëra të thjeshta, që megjithatë kanë përshpirtëri të madhe”.

10 dhjetor 2019, 13:04