Kërko

Vatican News

Papa Françesku: konsumizmi është virus, që sulmon fenë dhe anestetizon zemrën

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Pjetër, në ritin zairez, me rasin e 25-vjetorit të Lindjes së Kapelanisë katolike kongoleze të Romës, Papa u lut për paqen në Republikën Demokratike të Kongos dhe ftoi për t’ia hapur zemrën tjetrit, pa menduar për grumbullimin e të mirave materiale.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku u lut për paqen, që kërcënohet rëndë në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, “posaçërisht në territoret e Beni e Minembwe, ku shpërthejnë vazhdimisht ndeshje, të ushqyera edhe nga jashtë, rrethuar me heshtjen e bashkëfajësisë së shumëkujt. Më pas, me ndërmjetësinë e së Lumes Marie-Clèmentine Anuarite Nengapetam kërkoi që “në emër të Zotit-Dashuri e me ndihmën e popullsive fqinje, të ulen armët, për një ardhmëri në të cilën kongolezët të mos jenë më njëri kundër tjetrit, por njëri me tjetrin e që ekonomia, e cila sot i shërben luftës, të shndërrohet në ekonomi në shërbim të paqes”. Kjo, thirrja e Papës, drejtuar gjatë homelisë së Meshës solemne, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit me rastin e 25-vjetorit të krijimit të kapelanisë katolike kongoleze të Romës, themeluar më 1994 në Kishën  e Lindjes së Krishtit, në Romë, me dëshirën e kardinalit Frédéric Etsou, kryeipeshkëv i Kinshasës.

Riti zairez ose kongolez

Ishte një Meshë  kushtuar e tëra bashkësisë kongoleze të Romës e të Italisë, kremtuar sipas ritit zairez, domethënë, të Zairesë, siç quhej Republika Demokratike e Kongos, ose kongolez. I dëshiruar fort nga ipeshkvijtë  e vendit deri më 1969 e i miratuar nga Kongregata për Kultin Hyjnor më 30 prill 1988, riti zairez është përshtatje e ritit të zakonshëm romak, fryt i një procesi të gjatë të inkulturimit të liturgjisë. Vlerësohet posaçërisht tradita stilistike gojore afrikane, pjesëmarrja aktive e asamblesë me këngë e valle, shoqëruar nga instrumentet tradicionale dhe kujtimi i paraardhësve, që janë në bashkim me Zotin.

Jemi të gjithë të ftuar nga Zoti

Në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes, dita e parë e Vitit liturgjik, Papa Françesku kujtoi ardhjen e Zotit mes nesh - si rrënjë e shpresës së krishterë. Folja “me ardhë” - u shpjegoi Papa besimtarëve të ardhur nga Kongo, nuk zgjedhohet vetëm për Zotin, por edhe për ne. “Të gjithë do të vijnë së bashku në Malin e Zotit” - profetizon Izaia. Jemi të gjithë të  ftuarit e Zotit, e kush është i ftuar, është edhe i pritur, i dëshiruar:

“Latë shtëpitë tuaja, latë njerëzit e gjërat e dashura. Si arritët këtu, gjetët mikpritje, por hasët edhe vështirësi e të papritura. Por për Zotin jeni gjithnjë të ftuar e të mirëpritur. Për të, për Zotin, nuk jeni kurrë të huaj, por bij të mirëpritur. E Kisha është shtëpia e Zotit; këtu duhet ta ndjeni veten gjithnjë si të ishit në shtëpinë tuaj”.

Ç’ndodh kur nuk pret, por pretendon

E, megjithatë, nganjëherë ndodh që njeriu i përgjigjet me një ‘jo’, ftesës së Zotit për të shkuar tek Ai. Si në ditët e Noesë, kur ndjehej se po vinte diçka e re, tronditëse, po askush nuk ia vuri veshin, sepse të gjithë mendonin vetëm për të ngrënë e për të pirë. Jetonin vetëm për barkun - shpjegoi Françesku. - Askush nuk priste, ndërsa të gjithë pretendonin për të shtënë në dorë sa më shumë gjëra:

“Konsumizmi është virus, që e kërcënon fenë në rrënjë, nga që të bën të besosh se jeta varet vetëm nga gjërat që ke, e kështu ti nis ta harrosh Zotin,   që vjen drejt teje, e edhe atë, që ke pranë. Zoti vjen, por ti shikon interesin tënd; vëllai të troket në portë, po kjo trokitje të bezdis. E pikërisht kjo është sjellja egoiste e konsumizmit”.

Lakmia e armatos zemrën me zemërim

Varet nga konsumi “anestezia e zemrës”, sepse jetohet me sendet, pa e ditur fare pse jeton. “Po, po, kanë shumë pasuri, por nuk i bëjnë mirë askujt”; “shtëpitë mbushen me sende, e zbrazen nga fëmijët”, “koha flaket në gjithfarë dëfrimesh, pa gjetur kurrë kohë për Zotin e për të tjerët”:

“E kur jeton për sendet, nuk ngopesh kurrë, lakmia shtohet e të tjerët  të bëhen pengesë në vrapim e kështu ndjehesh i kërcënuar e, gjithnjë i pakënaqur! I kërcënuar, gjithnjë i pakënaqur e i zemëruar. E urrejtja shtohet: ‘Unë dua më shumë, më shumë më shumë’. E shikojmë sot atje ku sundon konsumizmi: sa dhunë, qoftë edhe vetëm me fjalë, sa zemërim e dëshirë për ta kërkuar armikun me çdo kusht! Kështu, ndërsa bota është plot me armë, që shkaktojnë vdekjen, nuk kujtohemi fare se vijojmë ta armatosim zemrën me zemërim”.

Thesaret e lutjes e të mëshirës

E ja, atëherë Jezusi  dëshiron të na çlirojë nga gjithë ky zemërim, duke na ftuar të rrimë zgjuar e të mos zhytemi në gjumë, me shpresë se nata nuk do të zgjasë përgjithmonë e se së shpejti do të shkrepë agimi. Po tani - kujtoi Françesku - na takon ne të rrimë zgjuar, ta mposhtim tundimin, që na shtyn të mendojmë se kuptimi i jetës është të grumbullosh, të pasurohesh,  duke ua çjerrë maskën atyre, që mendojnë se ësht i lum vetëm kush grumbullon një mal me sende. Posaçërisht në muajin e Krishtlindjes, “duhet t’u bëjmë ballë dritave verbuese të konsumit, që vezullojnë në të katër anët, e të besojmë se lutja dhe dashuria e krishterë nuk janë kohë e humbur, por thesaret më të mëdha.

Hapja e zemrës për të tjerët, sjell paqen

Vetëm kështu, kur zemra hapet për Zotin e për vëllezërit, shpatat shndërrohen në palla parmendash e shigjetat, në drapërinj, ashtu siç profetizonte Izaia, me fjalë që të bëjnë të mendosh për situatën e sotme në Republikën Demokratike të Kongos “një komb nuk do ta shpërvjelë më shpatën kundër një kombi tjetër, e nuk do të mësohet më arti i luftës!”.

 

01 dhjetor 2019, 14:03