Papa filipinasve në Romë: të jeni “kontrabandistë të fesë”, tharm në famulli

Në homelinë e Meshës, kremtuar mbrëmë në Bazilikën e Vatikanit për bashkësinë katolike filipinase në Romë, Papa u ngarkoi migrantëve dhe bijve të tyre, lindur në Itali, një mision të posaçëm: ta bëjnë fenë “tharm” në bashkësitë famullitare, të cilave u përkasin sot, për të krijuar bashkim në larmi, tipar dallues i Mbretërisë së Zotit.

R. SH. - Vatikan

“Vijoni të jeni ‘kontrabandistë të fesë!’”. Kjo thirrja e Papës drejtuar 7500 besimtarëve të bashkësisë katolike filipinase në Romë, në përfundim të Meshës  së “Simbang Gabi”, e para e nëntshes së Krishtlindjes. Mesha, e kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, qe e tëra “mision i posaçëm” ngarkuar atyre, që  lanë  trojet e veta, në kërkim të një ardhmërie më të mirë.

Kapelani i filipinasve, duke iu drejtuar Papës, theksoi: “Jam i një mendje me Ju, Atë i Shenjtë, kur i quani gratë filipinase “contrabandistas de la fé”. Po, është e vërtetë, e mbartim me vete, kudo shkojmë nëpër botë, pishtarin e fesë e të Ungjillit, "atë pishtar që na e lanë trashëgim misionarët evropianë 500 vjet më parë”.

Në Romë bashkësia filipinase numëron 43 mijë vetë

Pasditen e së Dielës III të Kohës së Ardhjes, Papa kremtoi për herë të parë Meshën me  filipinasit, që në kryeqytetin italian e në provincë janë më se 43 mijë vetë, bashkësia e dytë më e shumënumërt me origjinë të huaj.

Duke komentuar Leximin e parë, Françesku nënvizoi se Izaia Profet e fton gjithë tokën “të ngazëllejë për ardhjen e Zotit”, që u sjell shpëtimin të gjithëve, por tregon një dhembshuri të veçantë për njerëzit më të ligshtë, më të brishtë, më të varfër të popullit të vet. Sepse i do në mënyrë të veçantë pikërisht ata, që nuk i mbron kush tjetër, veç Tij! Ai vjen t’ju shpëtojë – u kujtoi Papa. - Vjen të shndërrojë gjithçka! Të lulëzojë shkretëtirën, t’i mbushë me gëzim zemrat e ligështuara, të shërojë të çalin, të verbërin e shurdhmemecin:

“Këto janë shenjat, që shoqërojnë realizimin e Mbretërisë së Zotit. Nuk do të bien boritë, nuk do të ketë parada ushtarake, as gjykime e dënime të mëkatarëve, por çlirim nga e keqja  e kumtim të mëshirës e paqes”.

Ne jemi mjete të mëshirës

Ne jemi mjete të mëshirës për të fundmit. Emmanueli, misterin e të cilit përgatitemi ta festojmë - vijoi Françesku - bën mrekulli në favor të popullit, posaçërisht të më të vegjëlve. E duke parë se banorët e periferive  ekzistenciale janë akoma shumë, "duhet t’i kërkojmë Zotit ta përsërisë mrekullinë e Krishtlindjes çdo vit e ta ofrojmë vetveten si mjete të dashurisë së Tij mëshirëmadhe ndaj të fundmëve”.

Kështu u shpreh Papa, për të kujtuar, në përfundim, traditat e shumta  të Kremtimit të Kohës së Ardhjes në bashkësitë e ndryshme. Një kujtim i veçantë, për pratikën devocionale të “Simbang-Gabi”(Mesha e Natës),  që kremtohet nga filipinasit.

 

16 dhjetor 2019, 11:01