Kërko

Vatican News
 Papa me fëmijët e Dispanserisë së Shën Martës Papa me fëmijët e Dispanserisë së Shën Martës  (Vatican Media)

Papa feston në Dispanseri: ç’mrekulli të luash me fëmijët!

Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u takua me fëmijët, familjet, vullnetarët dhe mjekët e Dipanserisë pediatrike të Shën Martës. Ndjehej fort atmosfera e festës, gjatë së cilës pacientët e vegjël kujtuan, me këngë e valle, edhe ditëlindjen e sapokremtuar të Papës.

R. SH. - Vatikan

Me një shkëmbim të përzemërt urimesh në Sallën Pali VI, u përsërit edhe sot takimi i përvitshëm, në prag të Krishtlindjes. Papa u takua me fëmijët dhe personelin e Dispanserisë pediatrike të Shën Martës, që u ofron asistencë shëndetësore fëmijëve nga zero deri në pesë vjeç, si dhe familjeve, që kalojnë çaste të vështira ekonomike, ardhur nga të katër anët e botës.

Shfaqja e fëmijëve

Fëmijët e shprehën përsëri gjithë gëzimin e tyre, duke u ngjitur në skenën e Sallës Nervi, ku  dhanë një shfaqje të vogël me këngë e numra të tjerë, me tematikë nga Krishtlindja, përgatitur me kujdes e dashuri për ta kënaqur Papën. Françesku ka gjithnjë dëshirë të madhe të takohet me të vegjlit e vullnetarët, që i ndihmojnë në strukturën bamirëse vatikanase, themeluar nga Papa Piu XI, në vitin 1922.

Dispanseria e Shën Martës: festë e madhe me Papën Françesku

“Familja” e Dispanserisë i bëri Papës një urim të ëmbël për ditëlindjen e tij dhe e falënderoi për kohën e kaluar këtu, duke i sjellë, më pas, edhe një tortë të madhe, që e hëngrën të gjithë së bashku në drekën e organizuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot.

Papa: fëmijët janë pafajni e premtim

Pasi u krye shfaqja e fëmijëve, Papa Françesku iu drejtua motrave, vullnetarëve të Dispanserisë së Shën Martës dhe prindërve të fëmijëve të asistuar nga struktura, duke u kujtuar të gjithëve sa rëndësi ka t’u dhurosh gëzim fëmijëve:

“Edhe prindërit, kur dinë të luajnë me fëmijët, bëjnë një gjë shumë të madhe. Gjë e madhe, të luash me fëmijët, të dëgjosh shprehjet e fëmijëve, që janë pafajnia, premtimi,  mirësia vetë… Faleminderit për këtë  takim!”.

Dialog për paqen, dashurinë e shpresën

Për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë me fëmijët, Françesku u frymëzua nga kutitë që sollën Mbretërit Dijetarë gjatë shfaqjes së tyre, mbi të cilat shkruheshin fjalët: “shpresë, dashuri, paqe”. Papa u shpjegoi, pastaj, fëmijëve se “lufta e vret jetën, vret pleq, të rinj, fëmijë, vret gjithkënd e  gjithçka. Por për ta  zhdukur luftën, duhet shumë dashuri”.

Para se të mbyllej takimi me falënderimet drejtuar të gjithë atyre, që e organizuan “këtë festë”, Papa  shkëmbeu edhe dy fjalë për shpresën:

“Të shkojmë përpara me shpresë. Duke ecur gjithnjë drejt së ardhmes e duke shikuar në horizont, me shpresën, që vjen gjithnjë nga Zoti, e edhe nga puna jonë, për një botë më të mirë”.

22 dhjetor 2019, 13:35