Papa: duhet t’i shpëtojmë emigrantët. Zoti do të na kërkojë llogari

Françesku takoi në Vatikan refugjatët e mbërritur kohët e fundit në Romë nga ishulli grek i Lesbos. “Është padrejtësia - tha Ati i Shenjtë - që i detyron shumë migrantë të lënë tokat e tyre”. E po kjo “padrejtësi bën të mos pranohen e të vdesin në det”.

R.SH. - Vatikan

Një kryq dhe një xhaketë shpëtimi brenda tij. Këto simbole vuajtjesh, ekspozuar në Vatikan, në Oborrin Belvedere, ishin në qendër të fjalimit të Papës Françesku për refugjatët, që mbërritën kohët e fundit nga ishulli Lesbos i Greqisë, përmes korridoreve humanitare. Xhaketa, që u dorëzua nga një grup shpëtimtarësh, “i përkiste një migranti të mbytur” në det, korrikun e kaluar. Kryqi, nënvizoi Papa, është transparent dhe na nxit të shikojmë “me vëmendje më të madhe e të kërkojmë gjithmonë të vërtetën”; e është edhe i ndritshëm, “sepse dëshiron të na e gjallërojë fenë tonë në Ringjalljen”.

Padrejtësia shkakton vdekjen e refugjatëve në det

         Ati i Shenjtë shpjegoi se xhaketa dhe kryqi na kujtojnë t’i mbajmë sytë dhe zemrën hapur. Nuk duhet të qëndrojmë indiferentë para vdekjeve të shkaktuara nga padrejtësia:

“Po, sepse është pikërisht padrejtësia ajo, që i detyron shumë migrantë të lënë tokat e tyre. Është padrejtësia, që i detyron të kapërcejnë shkretëtira dhe të pësojnë abuzime e tortura në kampet e paraburgimit. Është padrejtësia, që i kthen mbrapsht dhe i bën të vdesin në det”.

Plogështia është mëkat

         Shpëtimi i çdo jete njerëzore, nënvizon Ati i Shenjtë, “është detyrë morale, që bashkon besimtarët dhe jo-besimtarët”:

“Si mund të mos e dëgjojmë thirrjen e dëshpëruar të sa e sa vëllezërve dhe motrave, që preferojnë të përballen me detin e stuhishëm, sesa të vdesin ngadalë në kampet e paraburgimit në Libi, vende torturash dhe skllavërie të përçmuar. Si mund të qëndrojmë indiferentë para abuzimeve dhe dhunës kundër këtyre viktimave të pafajshme, duke i lënë në mëshirën e trafikantëve të paskrupull. Si mund të ‘kalojmë më tej’, si prifti dhe leviti i shëmbëlltyrës së Samaritanit të Mirë, duke u bërë kështu përgjegjës për vdekjen e tyre. Plogështia jonë është mëkat!”

Nuk zgjidhet gjë, duke bllokuar anijet

Klithma e dëshpëruar e shumë vëllezërve, kujtoi Françesku, nuk mbetet gjithmonë e padëgjuar:

“Falënderoj Zotin për të gjithë ata, që vendosin të mos qëndrojnë indiferentë dhe bëjnë çmos për të ndihmuar ‘fatkeqin gjatë rrugës për në Jeriko’, pa bërë shumë pyetje si e pse ky i varfër, gjysëm i vdekur, përfundon në udhën e tyre. Problemi nuk zgjidhet, duke bllokuar anijet”.

Në qendër, njerëzit, jo interesat ekonomike

Xhaketa e shpëtimit dhe kryqi janë edhe gurë kilometrikë, që tregojnë hapat për t’u ndërmarrë. “Të gjithë jemi përgjegjës - nënvizoi Papa - për jetën e të afërmit”:

“Duhet të impenjohemi seriozisht për të zbrazur kampet e paraburgimit në Libi, duke vlerësuar e zbatuar të gjitha zgjidhjet e mundshme. Duhen denoncuar dhe ndjekur penalisht trafikantët, që shfrytëzojnë dhe keqtrajtojnë migrantët, pa pasur frikë se zbulohen bashkëpunimet e tyre me institucionet. Duhen lënë mënjanë interesat ekonomike për të vënë në qendër njeriun, çdo njeri, jeta dhe dinjiteti i të cilit janë të çmuara në sytë e Zotit. Duhet të ndihmojmë dhe të shpëtojmë, sepse të gjithë jemi përgjegjës për jetën e të afërmit e Zoti do të na kërkojë llogari në çastin e gjykimit”.

Grupi i migrantëve mbërritur nga Lesbos

         Janë 33, refugjatët e mbërritur kohët e fundit nga ishulli Lesbos, falë një korridori humanitar. Ata u shoqëruan nga kardinali Konrad Krajewski dhe nga Bashkësia e Shën Egjidit. Ndërmjet refugjatëve ka 14 të mitur dhe një duzinë besimtarësh të krishterë. Aktualisht, kampi i refugjatëve i Morias, në Lesbos të Greqisë, strehon mbi 14 mijë migrantë. Jeta e tyre dhe ajo e mijëra refugjatëve lidhen me simbole të fuqishme, siç janë xhaketa e shpëtimit dhe kryqi. Jetë që mund t’i takojë secili ndërmjet udhëve të dhimbjes e të shpresës, nëse sheh vëllazërisht e pa indiferencë.

19 dhjetor 2019, 13:29