Kërko

Vatican News

Papa bekon “panetonet” e miqësisë Francë-Itali

Në audiencën e djeshme me kryetarin e shoqatës së miqësisë Francë-Itali, Paolo Celli, Papa Françesku bekoi gjashtë panetone gjigande dhe dy kryqe. Objektivi: të krijojë ura miqësie.

R.SH. - Vatikan

“Është traditë brenda traditës, fakti që çdo vit mund ta ndajmë me Papën Françesku ‘panetonin’ e Krishtlindjes”: kështu deklaron kryetari i shoqatës së miqësisë Francë-Itali, Paolo Celli, i cili u prit në audiencë nga Papa Françesku, së bashku me familjen. “Panetone” është ëmbëlsirë tipike italiane e Krishtlindjes, një lloj keku i mbushur me rrush të thatë e fruta të tjera të sheqerosura.

Betlehemi me çokollatë të bardhë

Natyrisht, roli i Atit të Shenjtë, në këtë rast, ishte i veçantë. “I sollëm gjashtë panetone gjigande – shpjegon Paolo Celli – një për çdo vit të papnisë. Ato e ëmbëlsira të tjera do t’u shpërndahen pastaj familjeve në nevojë. E duke i dhuruar një Betlehem bërë me çokollatë të bardhë, brenda një "panetone", e bëmë Papën të buzëqeshë e të mrekullohet. Ati i Shenjtë është shumë i lidhur me shpellën e lindjes së Krishtit, që në kohët moderne, priret të harrohet e të vlerësohet më pak nga të rinjtë”.

Objektivi: të krijohen ura miqësie

“I kërkova t’i bekojë panetonet – tregon më tej kryetari i shoqatës së miqësisë Itali-Francë. – Disa prej tyre do t’i dërgohen ipeshkvit të Nicës, imzot Marceau, për familjet nevojtare, ndërsa tre nga panetonet gjigante të bekuara nga Papa, ia çojmë presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, princit Albert të Monakos dhe presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron. Objektivi i shoqatës sonë është të krijojë ura miqësie”.

Papa bekoi edhe dy kryqe

Me rastin e audiencës së djeshme, Papa Françesku bekoi edhe dy kryqe, njëri prej të cilëve do të vendoset në kapelën e shkollës “François d’Assise – Nicolas Barré” të Principatës së Monakos. Ati i Shenjtë, përfundon deklaratën Paolo Celli, “na dha bekimin e tij për familjet tona, për ne emigrantët franko-italianë, për popullin e Francës e, në veçanti, për popullin e Nicës”. Më pas, kreu i shoqatës së miqësisë Francë-Itali u prit edhe nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe nga Lëmoshtari Apostolik, kardinali Konrad Krajewski.

18 dhjetor 2019, 12:34